1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Türkei Israel

19 Tetor 2009

Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Turqisë janë përkeqësuar ndjeshëm. Ankaraja është zemëruar seriozisht prej politikës ndaj palestinezëve të qeverisë Netanjahu. Përfitues në këtë mes mund të jetë regjimi i Asadit në Siri.

https://p.dw.com/p/KANJ
Demostrues turk duke djegur flamurin izraelit.
Demostrues turk duke djegur flamurin izraelit.Fotografi: AP

Një vit më parë marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Jeruzalemit ishin ende në rregull. Ushtritë e të dyja vendeve zhvilluan si prej disa vitesh manovra të përbashkëta dhe kryeministri turk Erdoğan u përpoq me sukses të ndërmjetësonte midis Izraelit dhe Sirisë në lidhje me kthimin Damaskut të lartësive Golan .

Gjendja ndryshoi shpejt pak para ndërrimit të viteve me luftën e Izraelit kundër Hamasit terrorist, ku të dyja palët kanë kryer krime të rënda kundër njerëzimit siç vërteton raporti Goldstone i debatuar në OKB.

Harta e Lindjes së Mesme
Turqia është duke e zgjeruar vijën e saj deri tani strikte pro-perëndimore.

Në forumin ekonomik botëror në Davos Erdoğani që turfullonte e akuzoi presidentin izraelit Shimon Peres, se Izraeli po vriste fëmijë të pafajshëm në Rripin e Gazës dhe në Turqi pati demonstrata solidariteti për popullsinë palestineze që vuante.

Me skandalin në Zvicër marrëdhëniet turko-izraelite u ftohën së tepërmi. Jeruzalemi doli nga procesi i ndërmjetësimit rreth lartësive Golan dhe kontaktet midis dy vendeve u keqësuan. Që irritimet e dimrit të kaluar kanë ende efekt, kjo u duk javën e shkuar. Me afat të shkurtër Turqia përjashtoi Izraelin nga manovrat ajrore vjetore "Shqiponja e Anadollit".

Si arsyetim qarkullojnë ndërkohë dy përgjigje të ndryshme. Kreu i qeverisë Erdoğan thotë, se përjashtimi është - shprehimisht - "Vullnet i popullit turk", gjë që është qartë replikë ndaj krizës së Palestinës në dimër. Sepse, siç thuhet në qarqet diplomatike, Turqia nuk do që avionët reaktivë që bombardojnë Gazën të ushtrojnë në Turqi.

Prej ushtrisë turke nga ana tjetër dëgjohet një version tjetër. Atje thonë, se ka zemërim, ngaqë Izraeli po vonon pa qenë nevoja një livrim avionësh anti-terror pa pilot me vlerë prej 180 milionë dollarësh.

Demostrues kundër Izraelit në Turqi.
Izraeli ka humbur mikun e vetëm në Lindjen e Mesme.Fotografi: AP

Kushdo qoftë përgjigjja e saktë: Turqit kanë hapur ndërkohë - dhe kjo duhet t'i dhembë më shumë Izraelit - derën për një bashkëpunim të ri ushtarak. Për në fund të prillit të vitit që vjen ata janë marrë vesh për manovra me Sirinë përgjatë kufirit të përbashkët.

Përballë faktit që Izraeli dhe Siria grinden ende për lartësitë Golan dhe Damasku është aleati më besnik i Iranit, nga Jeruzalemi u regjistruan, siç pritej, tone nxehjeje. Izraeli, thuhet, shqetësohet për të ardhmen e aleancës me Turqinë, madje druan "rrezik serioz" për marrëdhëniet e përbashkëta strategjike.

Në një kohë që shefi i shtabit të përgjithshëm turk Ilker Başbuğ komentoi, se vendi i tij nuk do të lejojë t'i diktohet prej askujt se me kë zhvillon manovra, bëhen sa vjen e më të qarta dy gjëra: Turqia është duke e zgjeruar vijën e saj deri tani strikte pro-perëndimore dhe Izraeli duke humbur mikun e vetëm në Lindjen e Mesme.

Autor : Ulrich Pick / Elert Ajazaj

Redaktoi : Aida Cama