1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fund i përpjekjeve dhe keqardhje për dështimin e bisedimeve

4 Dhjetor 2007

Trojka për Kosovën njoftoi Prishtinën me pjesët bazë të raportit, i cili do t'i paraqitet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

https://p.dw.com/p/CWYQ
Agim Çeku me troikën ndërkombëtareFotografi: AP

Treshja e grupit të kontaktit i dha fund përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhje kompromisi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e statusit final të Kosovës. Ata tashmë janë në përfundim të raportit të tyre të cilin në 10 dhjetor do t'ia dorëzojnë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun (Ban Ki Moon). Autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës u informuan me pjesët bazë mbi të cilat do të ndërtohet raporti i tre ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. Ndërkohë raporti para së të arrijë në KS-it, do t'i prezatohet edhe vendeve anëtare të grupit të kontaktit.

Misioni i Treshes përfundon me dorëzimin e raportit

Frank Uisner, i ngarkuari amerikan në treshen ndërkombëtare e sheh mandatin e treshes të përfunduar. "Sigurisht do të ketë takime të tjera në Këshillin e Sigurimit. Çështja e statusit është ende e pazgjidhur, por misioni i Treshes përfundon me dorëzimin e raportit te Sekretari i Përgjithshëm", thotë Frank Uisner (Frank Wisner).

Pas takimit me autoritetet në Beograd, Ishinger (Wolfgang Ischinger) shprehu keqardhjen për mosgjetjen e një kompromisi. Ndërsa në Kosovë përfaqësuesi i BE-së, Volfgang Ishinger u shpreh se treshja nuk ka lënë gur pa levizuar për të gjetur një marrëveshje ndërmjet palëve, por kjo qenë e pamundur.

Rusia pro vazhdimit të negociatave

Me këtë konstatim nuk u pajtua përfaqësuesi i Rusisë, Aleksander Botsan - Kartçenko. Ai beson se negociatat ende kanë shanse. "Shoh se ka vend për kompromis dhe zgjidhje të pranueshme për të dyja palët" tha Kartçenko.

Udhëheqësit kosovarë nga ana e tyre, thanë se ata nuk janë të gatshëm të rinegociojnë më çështjen e statusit. Ata presin një vendim ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë.

Tre ndërmjetësuesit e grupit të kontaktit, thanë se megjithë dështimin për një marrëveshje për çështjen e Kosovës procesi e negociatave shtesë kishte disa të arritura. Ata veçuan gatishmërinë e palëve për të diskutuar dhe zotimin e tyre se do të përmbahen nga çdo akt nxitje që mund çojë në shpërthimin e dhunës.