1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fund i recesionit - Sinjale pozitive për ekonominë greke?

Jannis Papadimitriou/Lindita Arapi23 Nëntor 2014

Kryeministri Antonis Samaras po i shfuqizon pjesërisht shkurtimet e pagave dhe debaton me trojkën për kushtet që duhet të zbatojë qeveria greke. Ekspertët e shohin optimizmin e Samaras me sy kritik.

https://p.dw.com/p/1DrLI
Symbolbild - griechische Reeder drücken Steuerlast
Fotografi: Getty Images/Afp/Aris Messinis

Policët, ushtarët, roja bregdetare dhe zjarrifikësit grekë këto ditë mezi duhet ta presin rrogën e muajit dhjetor. Ata kanë të drejtë të rimarrin në këste të caktuara mujore rreth 50% të pjesës së rrogës që iu shkurtua në gusht të vitit 2012. Edhe gjykatësit grekë duhet të gëzohen në javët e ardhshme për kompensimet në masë të gjerë të pagave.

Shfuqizimi i pjesshëm i shkurtimeve të pagave lidhet me një vendim të Gjykatës së Lartë greke në janar. Gjykatësit e shpallën kundraligjore shkurtimin e rrogës për uniformat e shtetit. Antonis Samaras me këtë kompensim do të japë edhe një sinjal pozitiv për kthesën në ekonominë greke. Që nga viti 2013 ai kumton me krenari se Greqia ka arritur për herë të parë prej dhjetë vitesh një plus buxhetor - pa marrë parasysh këtu peshën e normave të interesit. Panagiotis Petrakis, profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës në bisedë me Deutsche Wellen kritikon se "për politikën është e rëndësishme me sa duket që këto të ardhura primare t'i japë sërish si dividende". Petrakis beson në një plus buxhetor edhe në vitet e ardhshme, por ai nuk është i sigurtë nëse Greqia edhe në vitet e ardhshme do të rrisë pandërprerë të ardhurat buxhetore, aq sa kreditorët ndërkombëtarë të marrin paratë e tyre.

Antonis Samaras Premierminister Griechenland
Kryeministri grek, Antonis SamarasFotografi: REUTERS/A. Konstantinidis

Greqia del nga recesioni

Por kreu i qeverisë greke nuk ka dyshime: Në shtator gjatë inagurimit të panairit më të madh grek të tregtisë në Selanik, Samaras deklaroi se më e keqja ka kaluar. Më vonë ai hapi perspektivën e uljeve të tatimeve, lehtësime në pagesa për debitorët e bankave, si edhe një të ardhur minimale të garantuar nga shteti - e sidomos daljen e Greqisë nga ombrella e shpëtimit në gjysmën e parë të vitit 2015. Në fund të viti 2014 merr fund afati i paketës së ndihmës financiare për Greqinë, por programi i ashpër i kursimit i vendosur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar do të jetë në fuqi deri në vitin 2016.

Besimi i Samarasit rritet edhe nga vlerësimet e fundit të statistikave të Eurostatit për rritjen ekonomike në eurozonë. Ekonomia greke, sipas këtyre të dhënave, ka vazhduar rritjen ekonomike përgjatë tre katërmujorëve të këtij viti. Megjithatë kjo deklaratë duhet parë me kujdes, paralajmëron Petrakis. "Vërtet Greqia e ka lënë pas një recesion gjashtëvjeçar, por kjo lidhet në masë të madhe me uljen e importeve, për shkak të krizës. Ne nuk shohim një zhvillim të qëndreshëm të eksporteve dhe turizmi, i vetëm, nuk ia del dot."

Tourismus in Griechenland
Fotografi: DW/I. Anastassopoulou

Ekonomisti e sheh një pjesë të problemeve edhe tek FMN, Banka Qendrore Europiane dhe trojka. Si shembull Petrakis merr reformën në tregun e punës: Nuk duhet të flasim për liberalizim të tregut të punës pas gjashtë vitesh recesion dhe 1,5 milionë të papunëve. Reforma të tilla, sipas Petrakis, duhen bërë që në fillim të një programi shpëtimi, para se popullsia të jetë e rraskapitur nga masat e kursimit.

Debat me trojkën

Kreditorët paralajmërojnë se shumë nga reformat e kërkuara nuk janë zbatuar ende. Për këtë arsye vizita e trojkës në Athinë, e planifikuar për në fillim të nëntorit është shtyrë sërish, me arsyetimin se "priten propzime konkrete" nga pala greke. Politologu Levteris Koussolus kritikon klasën politike. "Klasa politike është e dobët dhe nuk është në gjendje të menaxhojë problemet, duke i shtyrë ato në kohë, me shpresën se ato nuk do ta bezdisin më". Dëftesën e paaftësisë politike Koussolus ia jep jo vetëm politikanëve qeverisës, por edhe opozitës. Në një kohë që trojka kërkon garanci për reformat dhe parashikon një minus financiar për 2015-n, qeveria këmbëngul se hapat financiarë që janë ndërmarrë tani janë të llogaritur mjaft mirë dhe janë të financueshëm.