1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushatë e ashpër verbale në Maqedoni

Fatos Musliu25 Prill 2014

Në prag të zgjedhjeve në Maqedoni janë shtuar kritikat dhe akuzat mes subjekteve politike. Por analistët thonë se kjo fushatë në përgjithësi ka qenë e varfër.

https://p.dw.com/p/1BoHg
Zgjedhjet në Maqedoni
Zgjedhjet në MaqedoniFotografi: Petr Stojanovski

Skandalet, aferat korruptive, shantazhet dhe përbuzja e oponentit, kanë qenë karakteristikat kryesore të kësaj fushate thonë analistët. Partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI, që nga fillimi i fushatës angazhohen që të fitojnë edhe më shumë deputetë: VMRO 62 ndërsa BDI 25. Ndërsa partitë opozitare, gjithnjë janë marrë me kritika ndaj pozitës dhe shumë pak kanë prezentuar projekte me të cilat do të tërhiqnin elektoratin.

Analistja Sonja Stojadinoviç, kërkesën e partive në pushtet për të fituar sa më shumë deputetë, më tepër e sheh si retorikë për fushatë elektorale se sa kërcënim ndaj njërës apo partisë tjetër. Por, sipas saj, kërkesa për sasinë dhe jocilësinë e deputetëve i ngjanë atyre të shteteve me diktarturë në rritje e sipër.

Rreziku nga diktatura

Nikola Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE
Nikola Gruevski, kryetar i VMRO DPMNEFotografi: Petr Stojanovski

“Deri tani kishim një diktaturë të butë por nëse realizohet dëshira e VMRO-DPMNE-së lidhur me numrin prej 62 deputetëve, atëherë edhe juridikisht do të kemi një lloj të diktaturës”, shprehet Stojadinoviç.

Ajo pohon se fitorja kaq e thellë e VMRO-DPMNE-së nuk do të ishte mirë as për partinë që pretendon një rezultat të tillë, sepse përgjegjësitë do të ishin shumë më të mëdha. Në këtë rast ajo do të kishte pushtetin absolut dhe nuk do të kishte asnjë bazë për të akuzuar të tjerët për moszgjidhjen e çështjeve aktuale me të cilat përballet Maqedonia - zgjidhja e çështjes së emrit dhe atnatërsimi i Maqedonisë në NATO dhe BE.

Aferat duhet të marin epilog juridik

Eksperti për çështje juridike Osman Kadriu, thotë se në këtë fushatë janë prezentuar informacione nga partitë politike që kanë të bëjnë me afera të mëdha financiare. Institucionet shtetërore të cilat janë përgjegjëse për luftimin e korrupsionit, deri tani nuk kanë ndërrmarë asnjë veprim. Por sipas ekspertit Kadriu, këto raste duhet të marrin edhe epilog juridik me qëllim që të shmangen spekulimet dhe të zbardhet e vërteta, veçanërisht kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë.

“Pavarësisht se shteti gjendet para një aktiviteti të rëndësshëm politik që ka të bëjë me zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, kur bëhet fjalë për këto vepra dhe kur pretendohet se ka edhe dëshmi të cilat janë publikuar nga opozita, vlerësoj se nuk ka asnjë pengesë që të mos zhvillohet procedurë juridike,” thotë Kadriu

Analisti Gjorgje Tonevski, thotë se opinion në Maqedoni është bërë imun ndaj aferave korruptive që publikohen gjatë fushatës zgjedhore. "Sensibilizimi i opinionit është vënë në pikëpyetje si pasojë jo vetëm e mosfunksionimit të institucioneve politike, por te ne ndodhë edhe një fenomen më i rëndë: mosfuksionimi i institucioneve të cilat janë përgjegjëse për çështje të caktuara përfshirë këtu edhe luftën kundër korrupsionit”, shprehet Tonevski.

Ali Ahmeti
Ali Ahmeti synon të shtojë numrin e votave.Fotografi: Petr Stojanovski

Retorika nxitëse dhe pasojat

Analistët politikë vlerësimet e opzitës se në 27 prill mund të ndodhë dhunë në vendvotime, i vlerësojnë si përpjekje për të mobilizuar sa më shumë elektoratin por pa mbajtur llogari për pasojat që mund të sjellë retoka e tillë në ditën e zgjedhjeve.

“Në fakt fushatat zgjedhore gjithnjë janë të tilla, me tensione të larta, me fyerje dhe shprehje të pakontrolluara, të cilat pastaj lënë pasoja në diëtn e votimit. Unë vlerësoj se nuk mund të përsëriten incidentet dhe dhuna e fushatave të mëparëshme. Ky fjalor bëhet që të inkurajohet një pjesë e elektoratit që të dalë në mënyrë më masive në zgjedhje”, thotë analisti Naser Zyberi.

Bojkoti dhe zgjedhja e presidentit

Bojkoti i zgjedhjeve presidenciale nga një pjesë e elektoratit shqiptar, ka ngritur edhe çështjen e legjitimitetit të kreut të shtetit, pasi ai nuk do ët ketë mbështetjen e shumicës së popullatës shqiptare në Maqedoni. Profesori universitar Mersim Maksuti mendon se presidenti do të jetë legal por jo edhe legjitim.

“Presidenti i zgjedhur në mënyrë të njëanëshme nuk është demokratik. Ky president gjatë ushtrimit të mandatit do të jetë i kontestuar nga pjesa dërmuese e shqiptarëve të Maqedonisë”, shprehet Maksuti.

Ivanov i (pa)rëndësishëm për shqiptarët.
Ivanov i (pa)rëndësishëm për shqiptarët.Fotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkaq për analistin Kire Vasilev zgjedhja e presidentit pa votat e shqiptarëve nuk do të paraqesë problem të theksuar për shkak të kompetencave të pakta që ka institucioni President.

“Vlerësoj se mandati i ardhshhëm 5-vjeçar i presidentit do të kalojë fare pa u vërejtur. Ai nuk do të shkojë asnjëherë në Maqedoninë pendedimore përveç ndonëj aktiviteti diplomatik, pra thjesht do të jetë i harruar”, thotë Vasilev.

Mediat dhe fushata elektorale

Vërejtje të mëdha janë adresuar edhe tek mediat për mbulimin e fushatës. Analistët thonë se në këtë fushatë elekorale mediat po ndiqen me një profesionalizëm të ulët, jo etik, dhe jashtë çdo standardi për informimni të drejtë të opoinionit. Për kryetarin e SHGM-së (Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë) Naser Selmani, mediat janë shndërruar në zëdhënës të partive politike qofshin ato në pushtet ose opozitë.

”Ky raportim joprofesional i mediave është pasojë e mungesës së lirisë së mediave dhe lirisë së fjalës. Mediat në Maqedoni janë të kontrolluara dhe potësisht të nënshtruara. Me këtë qeveri, të pretendosh të kesh media profesinoale është njësoj si të pretendosh të kultivosh banane në Siberi”, thotë Naser Selmani.

Për komunikologun Klime Babunski, gjatë fushatës kemi politika redaktuese të zhvendosura nga binarët e informimit të drejtë. “Parësore për mediat nuk është opoinioni dhe informimi objektiv, por qarqe të caktuara qofshin në pushtet ose opozitë. Mediat janë vënë në shërbim të plotë të shtabeve politike”, shrehet Babunski.

Më 27 prill në Maqedoni votohet për zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe balotazh për president të vendit. Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor janë akredituar rreth 1000 vëzhgues të huaj dhe vendor.