1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushatë zgjedhore pa përmbajtje

Thomas Mösch29 Korrik 2006

Forcat politike në Kongo diskutojnë më shumë mbi personat se sa mbi programet

https://p.dw.com/p/Aqp2
Zgjedhjet në Kongo
Zgjedhjet në KongoFotografi: AP

Për postin e presidentit të vendit në Republikën Demokratike të Kongos të djelën do të konkurrojnë 32 kandidate dhe kandidatë. Për 500 vendet në parlament ka madje 10.000 pretendentë. Peisazhi politik është shumë i përçarë dhe lufta për votat e zgjedhësve është e ashpër. Shumë kongolezë nuk kanë besim në zgjedhjet e para të lira pas më shumë se 40 vjetësh. Kjo u dëshmua edhe të martën kur mijëra përkrahës të opozitës protestuan dhunshëm në Kinshasa kundër zgjedhjeve dhe qeverisë së Zhozef Kabilës. Por cilat janë temat politike që mbizotërojnë në këtë skenar të ngatërruar?

Pikërisht shtyllat mbështetëse të kthesës së shkurtër demokratike në fillim të viteve '90 - socialdemokratët në Etjen Tshisekedi dhe kisha katokile - janë kritikë ndaj zgjedhjeve të së djelës. Tshisedeki dhe partia e tij, partia më e madhe opozitare UDPS, do t'i bojkotojnë madje ato. Kështu në zgjedhje do të mungojë e vetmja parti e rëndësishme në Kongo që ka vërtet një program politik. Ajo kishte mbrojtur në fushatë vendosjen e shtetit ligjor dhe drejtësisë funksionuese. Bojkotimin e zgjedhjeve UDPS e argumenton para së gjithash me pretendimin se fitorja e Zozef Kabilës është vendosur qysh më parë dhe se kështu proçesi elektoral është i manipuluar.

33 kandidatët për postin e presidentit përpiqen të bindin kongolezët se kanë kontaktet më të mira për nxjerrjen e vendit nga mjerimi.

Shanset më të mira duket se i ka presidenti aktual Zhozef Kabila. Zëdhënësi i tij për shtyp Henri Meva Sakani thekson se Kabila ka treguar tashmë vitet e kaluara se mundi të sillte paqe në Kongo: "Asnjë tjetër veç Kabilës nuk arritur të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Ruandën apo Ugandën. Ndër protagonistët e krizës së Kongos ai është i vetmi që mund të garantojë që fuqitë e huaja nuk do të hyjnë sërish në Kongo."

Gadishmëria e Kabilës për të bërë paqe me kundërshtarët i sollën atij mbështetjen e fuqive me influencë si SHBA dhe Franca. Forcat opozitare si UDPS i Etjen Tshisedeki druhen se zgjedhjet do të përdoren vetëm për të veshur me një petk demokratik pretendimet e Kabilës për pushtet.

Zëdhënësi i Kabilës Sakani i referohet edhe sukseseve ekonomike të presidentit. Ai e ka bërë vendin sërish tërheqës për investuesit e huaj. Kritikët e akuzojnë Kabilën për shitje të rezervave të mëdha të lëndëve të para ku kanë përfituar bollshëm ai dhe familja e tij.

Ndër kandidatët me më shumë shanse janë dy kundërshtarë të Kabilës nga koha e luftës civile. Azarias Ruberva dhe Zhan Pjerre Bemba janë sot zv-presidentë në qeverinë e tranzicionin. Ruberva kandidon për ish lëvizjen rebele RCD, Lëvizja Kongoleze për Demokraci" e cila gjatë luftës mbështetej nga Ruanda. Partia e tij ka orientim socialdemokrat thotë vetë kandidati. Por objektivat e tij politikë mbeten të panjohur kur ai në mënyrë të mjegullt kërkon një personalitet të përgjegjshëm dhe me vizion në krye të shtetit: "Duhet ta rikthejnë popullin në punë. Ndërmarrjet publike duhet të punojnë sërish. Dogana duhet të dyfishojë, madje katërfishojë të ardhurat. Kjo vlen edhe për të ardhurat nga tatimet."
E paqartë mbetet se si do të bëhen këto të mundura.

Edhe Zhan Pjerr Memba i cili në luftën civile kishte mbështetjen e Ugandës nuk paraqet programe të detajuara. Ngjashëm me Kabilën ai ka farkëtuar një aleancë shumëpartiake e cila duhet ta ndihmojë për të marrë pushtetin. "Liga e nacionalistëve kongolezë" RENACO hedh tani dyshime mbi identitetin kongolez të Kabilës. Një nga përkrahësit e Membas thotë: "Ne ndiejmë se në Kongo mungon një udhëheqje e përgjegjshme dhe se kreu i shtetit nuk është plotësisht kongolez. Ky është problemi. Kongolezët besojnë se ai që është në krye ka origjinë të dyshimtë."

"Congolite" është fjala kyç, pra pyetja se çfarë dhe kush është vërtet kongolez.
Vëzhguesit kongolezë dhe të huaj kujtojnë ngjarjet në Bregun e Fildishtë. Një debat i tillë e futi vendin dikur model të Afrikës Perëndimore në luftë civile. Për këtë arsye sociologu kongolez që jeton në Gjermani M'fulama Mambuessi e konsideron pa vlerë debatin aktual në atdheun e tij: "Në vend që të flitet mbi problemet dhe programet e vërteta të partive shihen personat dhe origjina e tyre dhe diskutohet nëse Kabila është kongolez apo ruandez. Kjo nuk na intereson. Ajo çfarë na duhet është një president i besueshëm që mendon për popullin."