1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futbollistet nga Afganistani vizitojnë Gjermaninë

Nabila Karimi-Alekozai6 Shkurt 2008

Femrat në futboll? Në Gjermani femrat në futboll kanë bërë histori suksesi që kur ekipi gjerman fitoi titullin kampion bote, por në Afganistan femrat dhe futbolli kanë qenë krejt të pamundura.

https://p.dw.com/p/D3RD
Futbollistet afgane
Futbollistet afganeFotografi: picture-alliance/ dpa

Megjithë pengesat e mëdha në Afganistan është krijuar një ekip femrash, i cili është duke bizituar aktualisht Gjermaninë, ku po bën një trajnim dyjavor në shkollën e sportit Ruit, në Shtutgart. Programi i trajnimit zhvillohet në kuadër të një projekti për zhvillimin e sportit të Ligës gjermane të sporteve olimpike (DSOB).

Sporti në Afganistan është çështje burrash, dhe megjithëse futbolli i meshkujve është duke u popullarizuar sërish, ai i femrave vazhdon si më parë të jetë i vështirë. Gjatë regjimit të talebanëve sporti për gratë ka qenë tabu, por që nga viti 2004 është krijuar një ekip futbolli femrash. Por jo vetëm në futboll janë krijuar femnrash, edhe në lloje të tjera sporti si boks, volejboll, basketboll, pingpong dhe taekwondo. Sot, qeveria afgane lufton tabutë sociale në sport, kryesisht në ushtrimin e sportit nga femrat.

Ardhja e futbollisteve afgane në Gjermani ishte pjesë e kësaj strategjie dhe për vajzat përjetimi i lirisë në fushën e trajnimit ishte diçka krejt e veçantë. Në Kabul vajzat lëvizin kudo me shoqërues, edhe kur shkojnë për trajnim në qytet. Në Kabul futbollistet nuk kanë në dispozicion fusha të vërteta futbolli, vajzat luajnë të mbuluara me perçe dhe të fshehura nga burrat.

Yasamin, kapitenia e ekipit që vizitoi Gjermaninë, tregon për problemet e saj si futbolliste në Afganistan. Ajo është shumë e kujdesshme kur flet, në mënyrë që të mos ketë probleme më vonë me ato që tregon sot. "Disa afganë gëzohen që ka vajza afgane që luajnë futboll. Ata e vlerësojnë këtë si zhvillim pozitiv, por pjesa më e madhe e njerëzve janë kundër. Aktualisht situata në Kabul është në rregull. Njerëzit mësojnë ngadalë se edhe vajzat kanë të drejtë të luajnë futboll. Por një nga problemet tona më të mëdha është se ne nuk kemi fusha të vërteta futbolli, dhe nuk kemi mundësi të luajmë vërtet futboll. Unë nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por mund të them e sigurt se unë do të vazhdoj të luaj futboll."

Shumë vajza luajnë futboll sepse etërit ose vëllezërit e tyre kanë qenë më parë futbollistë ose trajnerë. Ekipi që vizitoi Gjermaninë është një ekip që është krijuar nga vajza që shkojnë në shkolla të ndryshme në Kabul. Një ekip kombëtar fotbolli femrash nuk është ngritur ende, sepse futboll femrash jashtë Kabulit nuk luhet gjëkundi. Shamzie Hajatalam, drejtuese e sporteve për femra në Ligën Afgane të sporteve olimpike e di që kujdesi duhet ruajtur: "Liga e sporteve olimpike të Afganistanit ushtron aktivitetin në Kabul dhe në disa provinca, por situata nuk është shumë e mirë dhe ne nuk mund të jemi aktive në të gjithë Afganistanin. Në sportet për femra vështirësitë janë shumë të mëdha. Ne nuk mund të zhvillojmë lojra kualifikuese në provinca për të bërë atje përzgjedhjen për ekipin kombëtar. Ne kemi edhe probleme financiare. Ne nuk mund t`i ftojmë të vijnë në Kabul të gjitha ekipet e provincave. Ekipi që ka ardhur në Gjermani është një ekip i zgjedhur nga shkollat e Kabulit. Ne aktualisht nuk kemi ekip kombëtar futbolli femrash."

Futbollistet afgane qëndruan 12 ditë në shkollën e sportit Ruit në afërsi të Shtutgartit. Ato janë të moshës mesatare 17 dhe 18 vjeçare, shumica shkojnë në shkollë, kurse disa të tjera punojnë. Në ekipin e futbollit ato janë regjistruar vullnetarisht, prindërit i kanë përkrahur për të bërë këtë hap dhe për të ardhur edhe në Gjermani. Yasamin është kapitene e ekipit dhe tregon për ndihmën që ka marrë nga familja. "Kur i tregova mamasë se do të vijmë në Gjermani ajo u gëzua shumë." Yasamin ka jetuar deri para gjashtë vitesh në Pakistan. Atje ajo ka filluar të luajë futboll, por vetëm në shtëpi. Ajo tregon se është 15 vjeç dhe shkon në një shkollë private.

Vajzat duan ta shfrytëzojnë sa më mirë kohën që do të kalojnë në Gjermani. Ato kanë trajnim dy - tre herë në ditë, dhë dy ose tre herë në javë bëjnë ndeshje miqësore me ekipet gjermane të futbollit.

Shamzie Hajatolah, drejtuese e sportit për femra në Ligën e sporteve olompiketë Afganistanit, është e kënaqur me trajnimin: "Sikur të kishin bërë para disa vitesh trajnimin që bëmë këtu, atëherë sot do të kishim qenë shumë më mirë. Futbollistet këtu janë shumë të shpejta, por ato nuk kanë ndonjë teknikë të veçantë. Ato janë vetëm më të shpejta se ne."

Kjo vizitë e vajzave në Gjermani ka karakter simbolik për Afganistanin, ajo duhet të motivojë gjithnjë e më shumë vajza.