1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gëzim tek të gjitha partitë, trishtim në SPD

28 Shtator 2009

Në kohën e krizës Gjermania votoi për një koalicion klasik: Unionin Kristiandemokrat e Kristiansocial dhe atë liberal. Partia Socialdemokrate shënoi rezultatin më të dobët në historinë e saj.

https://p.dw.com/p/JqTV
Angela Merkel gëzon me mikrofon
Angela MerkelFotografi: AP

Pas mbylljes së qendrave të votimeve dhe numërimeve paraprake të votave kancelarja Angela Merkel doli përpara qindra simpatizantëve të Unionit Kristiandemokrat në qendrën e partisë "Konrad-Adenauer Haus" në Berlin, me një buzëqeshje në fytyrë: "Jam e lumtur, ne arritëm diçka të mrekullueshme, ne arritëm synimin që i kishim vënë vetes në këto zgjedhje," - tha ajo.

Merkel: Dua të jem kancelarja e të gjithë gjermanëve

Angela Merkel në festën pas fitores me këngëtaren Heidi Fuellgraf
Angela Merkel në festën pas fitores me këngëtaren Heidi FuellgrafFotografi: AP

Për Unionin Kristiandemokrat e Kristiansocial, megjithëse rezultati i zgjedhjeve ishte relativisht i dobët me afro 34 për qind, hapet kështu rruga për të krijuar një koalicion konservator-liberal, por Merkel premtoi se ajo do të punojë edhe për ata që nuk e zgjodhën: "Unë dua të jem kancelarja e të gjithë gjermanëve," - tha ajo. Ajo nuk donte ta prishte atmosferën euforike që mbizotëronte në selinë qendrore të partisë, prandaj edhe sfidat që i dalin përpara qeverisë së saj në kohë krize i përmblodhi me një fjali: "Ka shumë probleme që duhen zgjidhur në vendin tonë."

Edhe në Mynih, ku ka selinë partia motër e Unionit Kristiandemokrat, Unioni Kristiansocial (CSU), mbizotëronte gëzimi, megjithëse me 41% të votave CSU nuk e arriti dot shumicën absolute që ka pasur tradicionalisht në landin e Bavarisë.

Negociata për një koalicion konservator-liberal

Kryetari i FDP-së Guido Westerwelle dhe Angela Merkel
Kryetari i FDP-së Guido Westerwelle dhe Angela MerkelFotografi: AP

Sot (28.09) Merkel ka ndër mend të fillojë negociatat për një koalicion qeveritar me liberalët. Partia e Lirë Demokratike (FDP) është fitimtarja e vërtetë të zgjedhjeve, pasi jo vetëm që arriti rezultatin më të mirë në historinë e saj (14,6%), por edhe sepse pas 11 vjetësh në opozitë, ka rastin të kthehet përsëri në kabinetin qeveritar. Guido Westerwelle, kryetari i partisë, dukej i emocionuar, kur doli para simpatizantëve të tij në mbrëmje në Berlin: "Ne gëzohemi për këtë rezultat të shkëlqyer, por jemi të vetëdijshëm që kjo do të thotë para së gjithash përgjegjësi, të cilën jemi të gatshëm ta marrim përsipër," - tha Westerwelle, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë ministri i Jashtëm i Gjermanisë në katër vitet e ardhshme. Një post, i cili nga viti 1974 deri në vitin 1998, pra për 30 vjet me radhë, ka qenë në dorë të liberalëve: Walter Scheel, Hans-Dietrich Genscher dhe Klaus Kinkel.

Humbje katastrofale për socialdemokratët

Më e humbura në zgjedhje doli Partia Socialdemokrate, që me afro 23,1% humbi gati 11 përqind të votave në krahasim me zgjedhjet e vitit 2005 dhe ra në rezultatin më të dobët të historisë e saj. "Kjo është një ditë shumë hidhur për socialdemokracinë" - tha kandidati për kancelar Frank-Walter Steinmeier para simpatizantëve në Berlin. Këta e pritën kandidatin e tyre me duartrokitje çuditërisht të gjata duke shprehur kështu respektin dhe mirënjohjen për angazhimin e tij me gjithë rezultatin e dobët. "Unë nuk do t'i shmangem përgjegjësisë" - tha Steinmeier dhe paralajmëroi se në parlamentin e ri ai do të jetë në dispozicion të partisë si kryetar i grupit parlamentar. Ndryshe nga ç'kishte pritur opinioni, kryetari i aktual i partisë, Franz Myntefering, nuk e paralajmëroi dorëheqjen nga posti, në të cilin ishte kthyer vetëm një vit më parë, për të ndihmuar socialdemokratët të dilnin nga kriza brenda partiake.

Frank-Walter Steinmeier, dhe kryetari i SPD-së Franz Muenterfering
Frank-Walter Steinmeier, dhe kryetari i SPD-së Franz MuenterferingFotografi: AP

Gëzim te E Majta, nota keqardhjeje tek Të Gjelbrit

Dy partitë e tjera opozitare, E majta dhe Të Gjelbrit, po ashtu i pritën me gëzim rezultatet e zgjedhjeve. Sidomos E Majta e cila arriti 12,1 përqind, pra afro 3% më shumë se në zgjedhjet e mëparshme. Kryetari i partisë, Lothar Bisky, u premtoi simpatizantëve që festonin në Berlin: "Me këtë rezultat dyshifror E majta do të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë" dhe shtoi: "Ne do të jemi forca sociale në parlamentin gjermane". Në krah të tij ishin edhe dy kandidatët Gregor Gysi dhe Oskar Lafontaine, falë të cilëve partia, që rrjedh kryesisht nga partia e dikurshme shtet e RDGJ-së, arriti të kthehej në një parti mbarëgjermane.

Kandidatët kryesorë të ambientalistëve Jyrgen Tritin dhe Renate Kynast
Kandidatët kryesorë të ambientalistëve Jyrgen Tritin dhe Renate KynastFotografi: AP

Të gjelbrit, me gjithë rezultatin më të mirë të historisë së tyre, 10,5%, u treguan paksa të zhgënjyer për humbjen e thellë të socialdemokratëve: "Sado të shkëlqyer të jenë të Gjelbrit, ata nuk mund ta kompensojnë rezultatin katastrofal të socialdemokratëve" - tha njëri nga dy kandidatët, ish-ministri i Ambientit Jyrgen Tritin.

Varianti klasik

Rezultati i zgjedhjeve tregoi, se në kohën e krizës gjermanët iu kthyen një koalicioni klasik: Unionin Kristiandemokrat e Kristiansocial dhe liberalët. Këto janë dy partitë të cilat që nga krijimi i Republikës Federale të Gjermanisë në vitin 1949 e kanë pasur kryesisht në dorë timonin e qeverisjes së vendit. Me 72 përqind pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e ulta në historinë e Gjermanisë Federale. Gjithsej për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17-ta për parlamentin federal ishin ftuar 62,2 milionë gjermanë me të drejtë vote. Në garën për Bundestagun konkurronin 27 parti.

Autor: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani