1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

G-8 një klub debatesh pa bukë?

(VFB)8 Korrik 2008

Samiti i G-8-ës është temë mjaft e komentuar në shtypin gjerman të së martës. Kritikat nuk mungojnë.

https://p.dw.com/p/EXxM
Fotografi: dpa

"Süddeutsche Zeitung" komenton: Në vështrim të parë duket mjaft pozitive ajo që premtoi BE-ja në samitin e G-8-ës. Por nëse hedh një vështrim më analitik bëhet e qartë, se kjo dhuratë e BE-së është mjaft modeste. Evropianët vitin e kaluar për herë të parë e shkurtuan ndihmën për zhvillimin duke paguar 1.6 miliardë euro më pak, se në vitin 2006. E kjo u bë, pavarësisht, angazhimeve të marra për të shtuar ndihmat për të varfërit. Sa besim mund të kesh tek premtimet e BE-së?"

Për komentatorin e "Berliner Zeitung" G-8 ndodhet në krizë besimi: "G-8 jo vetëm ndodhet në krizë legjitimiteti, por edhe në krizë kredibiliteti. Ky grup ose zgjerohet me vende të tjera të rëndësishme në fazën e industrializimit dhe instalon mekanizma sanksionesh në rast se nuk zbatohen vendimet, ose takimet pompoze të tij janë të tepërta. G-8 nuk duhet të habitet, nëse përforcohen zërat për shpërbërjen e grupit, ndërkohë që ai po vetëzhvleftësohet gjithnjë e më shumë duke instituar tek status quo-ja."

Duke komentuar në të njëjtën linjë "Manheimer Morgen" shkruan: "Rezultatet e këtij samiti mund të jenë në disproporcion me madhësinë e tij. Rendimenti i pakët e tij nga ana tjetër shtron çështjen, nëse një samit i tillë vërtetë është në përshtatje me kohën (gjë kjo që vlen edhe për përbërjen e G-8-ës). Por kur më të pushtetshmit e botës ulen një herë në vit së bashku në tryezë, kjo ka edhe një anë të mirë: takimi nxjerr sërish në pah problemet më emergjente të njerëzimit e njëkohësisht edhe paaftësinë e atyre që janë përgjegjës për t´i zgjidhur ato."