1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

G8 në kërkim të një formulimi të përbashkët për Kosovën

Deutsche Welle7 Qershor 2007

Sarkozy propozon shtyrjen e statusit në mënyrë që Putini të fitojë kohë për të kuptuar "pashmangshmërinë e perspektivës së pavarësisë së Kosovës"

https://p.dw.com/p/ArUX
Nicolas Sarkozy
Nicolas SarkozyFotografi: picture-alliance/ dpa

Sipas qarqeve në Heiligendamm, vendet e G8ës duan ta shtyjnë vendimin për rezolutën në Këshillin e Sigurimit. Drejtorët politikë të delegacioneve pjesëmarrëse në samit po punojnë tani për të gjetur një formulim të përbashkët, thuhet nga të njëjtat burime. Më parë shefat e shtatë vendeve më të industrializuara dhe Rusisë kishin diskutuar për një orë e gjysmë për Kosovën.

Sipas Sarkozy, qëllimi i këtij propozimi është që Putini të fitojë kohë për të kuptuar "pashmangshmërinë e perspektivës së pavarësisë së Kosovës". Sarkozy ka thënë në konferencë shtypi pas seancës së pasdites së G8ës, se gjatë gjashtë muajve do të nxitej edhe më tej dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Në se këta arrijnë një "status më të mirë", atëherë do të aplikohet ky, në se jo, atëherë duhet të aplikohet propozimi i Ahtisaarit", tha presidenti i Francës. Kjo nuk është zgjidhja ideale, por kështu evitohet një përçarje në radhët e Bashkësisë Ndërkombëtare, ka thënë Sarkozy. Sipas tij në debatin për Kosovën e morën fjalën edhe Bush, Blair dhe Putin.

Sipas burimeve nga qeveria gjermane, ministrat e G8ës e kanë përshëndetur rifillimin e negociatave me Serbinë për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.