1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gabimet e Olmertit

Sebastian Engelbrecht 30 Janar 2008

Të mërkurën (30.1.) publikohet raporti përfundimtar i të ashtuquajturit "Komision të Vinogradit" ku evidentohen gabimet politike dhe ushtarake të kreut israelit, Olmert.

https://p.dw.com/p/Czlt
Olmert përgjigjet për herë të parë ndaj kritikave të komisionitFotografi: picture-alliance/ dpa

Mbas përfundimit të krizës së dytë në Liban shumë vetë kishin menduar se edhe kryeministri izraelit Ehud Olmert do t'i vinte fundi. Por politikani i partisë Kadima ka zënë vend mirë në post dhe injoron komisionet hetimore.

Lufta e dytë e Libanit

Gjatë luftës së dytë të Libanit në verën e vitit 2006 u vranë mbi 1200 libanezë, 250 luftëtarë të Hisbollahut dhe 163 izraelitë. Një luftë e përgjakshme dhe e pasuksesshme. Trupat paqeruajtëse të OKB-së, UNIFIL, aktualisht përpiqen që ta ruajnë veriun e Izraelit nga sulmet e Hisbollahut dhe të ndalojnë trafikun e armëve përmes rrugës detare. Por Hisbollahu po armatoset përsëri dhe dy ushtarët israelitë, që u bënë shkasë për fillimin e luftës, vazhdojnë të jenë në burg.

Lufta e dytë e Libanit konsiderohet si dështim në vetëdijen e shoqërisë israelite. Jo vetëm për shkak të humbjeve të mëdha në njerëz dhe sukseseve të vogla, por edhe për shkak të vendimeve të gabuara të udhëheqjes politike. Kryeministri israelit, Ehud Olmert megjithatë nuk sheh arsye për të dhënë dorëheqjen: „Unë nuk jam penduar për vendimet e rëndësishme që kam marrë si kryeministër e as për ato që kanë të bëjnë me luftimet në Liban. Kemi bërë gabime, ka pasur dështime, natyrisht. Por kemi nxjerrë mësime, gabimet janë korrigjuar dhe skemat e veprimit janë ndryshuar", thotë ai.

Gabimet e Olmertit

Ndryshe nga Olmert, ministri i atëhershëm i mbrojtjes, Amir Perez dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, Dan Halutz, kanë dhënë dorëheqje prej kohësh. Kritika kryesore ndaj Olmertit është vendimi për mësymjen tokësore në jug të Libanit, më 11 gusht 2006. Aty u vranë 33 ushtarë izraelitë. Sipas kritikuesve të Olmertit, kjo ofensivë ishte e tepërt, pasi po atë ditë, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1701, që me miratimin Israelit do t'i jepte fund luftës. Olmert nuk i pranon kritikat: „Sot në veri të vendit është qetësi. Kjo gjendje nuk po zgjat një ditë ose një muaj, por plot 18 muaj dhe kjo është periudha më e gjatë e paqes në veri të vendit, që prej 25 vjetëve."

Kundërshtarët e Olmertit në të kundërt nuk janë kaq të qetë: Uzi Dayan, ish shef i përgjithshëm i ushtrisë israelite: "Kryeministri, që për mendimin tim duhet të kishte dhënë doreheqjen që kur doli pjesa e parë e raportit, thotë se sidoqofshin rezultatet ai nuk do të japë dorëheqje. Kjo është thyerje e parimeve. Kush thotë një gjë të tillë e humb autoritetin moral për të dërguar ushtarë në luftë."