1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gabimet e së shkuarës - Maqedonia rrezikohet nga vendosja e vizave

Fatos Musliu22 Tetor 2012

Ministrat e Brendshëm të BE-së do të diskutojnë më 25 Tetor për rivendosjen ose jo të regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë dhe Serbisë. Shkak për këtë është bërë rritja e numrit të azilkërkuesve nga këto vende.

https://p.dw.com/p/16UHG
Fotografi: dapd

Pas kërkesës së pesë vendeve anëtare të BE-së për shqyrtimin e rikthimit të regjimit të vizave për Maqedoninë dhe Serbinë për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve nga këto dy vende, institucionet e Maqedonisë kanë ndezur alarmin dhe po shqyrtojnë seriozisht këtë çështje. Sipas zëvëndësministrit të Brendshëm të Maqedonisë, Xhelal Bajrami në vend kalimet kufitare gjatë këtij viti janë ndaluar të dalin 6. 500 persona që supozohet të kenë tentuar të largohen nga vendi për të kërkuar azil në ndonjë vend të BE-s.

Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarë masa konkrete për të parandaluar keqpërdorimin e liberalizimit të regjimit të vizave. Është rritur fushata informuese duke zhvilluar takime të shpeshta me qytetarë. Shanset për të fituar azil në vendet e BE-së për qytetarët e Maqedonisë janë zero. Poashtu janë bërë ndryshime edhe në Kodin penal ku parashihen sanksione për ata qytetarë që keqpërdorin liberalizimin e vizave , thotë ministri Bajrami.

Asylbewerber in Deutschland
Fotografi: dapd

“Ligji për pasaportat pësoi ndryshime ku parashihet që të gjithë ata qytetarë të cilët kthehen nga vendet e BE-së dhe që kanë keqpërdorur liberalizimin e vizave, të njëjtëve t'u meret pasaporta në afat prej një viti” .

Azilkërkuesit më të shumtë janë romë

Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur edhe procedurat penale ndaj disa agjencive turistike të venditn të cilat dyshohen se kanë bërë në mënyrë ileagale transportin e azilkërkuesve potencial në vendet e BE-s. Sa i përket numrit të saktë të azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e BE-së ai nuk dihet, meqë sipas konventave ndërkombëtare nuk jepet identiteti i personit që kërkon azil. Policia maqedonase ka bërë analizë për azilkërkuesit vendas.“Mbi 80 apo 90% e azilkërkuesve nga Maqedonia në vendet e Evropës janë të komunitetit rom”, thotë Xhelal Bajrami.

Informimi duhej bërë në kohën e duhur

Duke komentuar mundësinë e rikthimit të vizave politikologia Sonja Stojadinoviq vlerëson se faji për një situatë të tillë qëndron te pala maqedonase: “Realisht pala maqedonase u përqëndrua vetëm në plotësimin e kushteve teknike për të fituar liberalizimin e vizave, por mungoi puna konkrete me informimin e qytetarëve se cilat janë pasojat nga keqpërdorimi i liberalizimit të vizave”, shprehet Stojadinoviq.

Shengeni jetëshkurtër për shkak të abuzimit?
Shengeni jetëshkurtër për shkak të abuzimit?Fotografi: DW / Anila Shuka

Politikollogu  Zdravko Savevski thotë se institucionet e kanë vështirë të parandalojnë tërësisht keqpërdorimin meqë vetë regjimi i vizave mundëson qarkullimin e lirë të qytetarëve. Sipas tij mbetet që institucionet e vendit në vazhdimësi të promovojnë dhe të edukojnë qytetarët se çfarë do të thotë liberalizimi i vizave dhe përmes kësaj qytetarët të kuptojnë se fitimi i statusit të azilantit ekonomik në vendet e BE-së për qytetarët e Maqedonisë nuk ekziston.