1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gabriel: Më shumë ndihmë ndërkombëtare për refugjatët

20 Qershor 2017

Ministri i Jashtëm Gabriel kërkon më shumë mbështetje ndërkombëtare për përballimin e gjendjes së refugjatëve. "Gjermania nuk mund ta përballojë e vetme këtë sfidë", theksoi ai me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.

https://p.dw.com/p/2f0Tg
Deutschland Sigmar Gabriel bei der SPD-Kampagne in NRW
Fotografi: Getty Images/M. Hitij

Ne kemi nevojë për përpjekje të përbashkëta ndërkombëtare dhe për një ndarje përgjegjësie më të drejtë, për t'i pakësuar vuajtjet e refugjatëve në të gjithë botën. Dhe për të mos lejuar as që të krijohen kriza të gjata refugjatësh, u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel. Në qendër të përpjekjeve gjermane qëndron mbrojtja e refugjatëve atje ku janë, si për shembull në Siri dhe në vendet e prekura fqinjë, tha Gabriel.

Sigmar Gabriel tërhoqi më tej vëmendjen në faktin se në pesë vitet e fundit, buxheti i qeverisë gjermane për ndihmë humanitare në botën e jashtme është dhjetëfishuar. Me këtë, Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj humanitarë. Përmes Ministrisë së Jashtme gjermane, vitin e kaluar janë financuar ndihma në vlerë prej rreth 1,3 miliardë euro.

Një refugjat sirian raporton në Bundestag

Me një orë përkujtimore në Berlin qeveria gjermane kujton sot viktimat e lëvizjeve migratore si dhe fatin e të dëbuarve gjermanë pas Luftës së Dytë Botërore. Si përfaqësues i qeverisë ndër të tjera pritet edhe ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere (CDU). Fjalën kryesore e mban Presidenti rumun, Klaus Johannis, i cili në atdheun e tij është pjesë e minoritetit gjerman të Saksonëve të Transilvanisë. Një refugjat sirian do të flasë për përvojat e tij në Gjermani.

Ministrja federale e Familjes, Katarina Barley (SPD) theksoi se ajo synon të arrijë miratimin ligjor të një mbrojtjeje më të mirë për refugjatët veçanërisht me probleme në strehime. "Na nevojitet urgjentisht një bazë federale rregullative, e cila t'a bëjë të detyrueshme zbatimin e koncepteve të mbrojtjes për organizmat përgjegjëse për strehimet e refugjatëve", tha Barley. Ministria e saj ka paraqitur një projektligj, për të cilin aktualisht po bëhet koordinimi dikasterial.

Standardet bazë duhet të jenë të detyrueshme

Bëhet fjalë për standarde bazë për mbrojtjen në strehimet e refugjatëve, të cilat mund të shërbejnë si orientim për një rregullim juridik të kësaj fushe, u tha. Linjat orientuese janë përpunuar së bashku me organizatën e mbrojtjes së fëmijëve, Unicef. Ato bazohen në standardet për fëmijët, të rinjtë dhe gratë nga viti i kaluar dhe mbajnë parasysh edhe gjendjen e veçantë të refugjatëve me aftësi të kufizuara si dhe të homoseksualeve e homoseksualëve.

Në të gjithë botën, sot (20 qershor) kujtohet fati i refugjatëve.Kombet e Bashkuara e përkujtojnë këtë që prej vitit 2001. Në Gjermani, që prej vitit 2015 në këtë datë përkujtohet në mënyrë të veçantë edhe fati i të dëbuarve gjermanë.