1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gaddafi dhe Berlusconi miq të ngushtë

31 Gusht 2010

Presidenti i Libisë Gaddafi, po qëndron për vizitë në Itali. Me kryeministrin Berluskoni po feston dyvjetorin e marrëveshjes së përbashkët të miqësisë. Marrëveshja përmban një klauzolë të diskutueshme për refugjatët

https://p.dw.com/p/P0vt
Muammar al Gadhafi dhe Silvio Berlusconi me 30 gusht në RomëFotografi: AP

Ai solli në Itali edhe 30 kuajt e tij: të hënën (30.08.2010) Muammar al Gaddafi mbërriti në vizitën e katërt të tij brenda një kohe të shkurtër në Itali. Presidenti libian vizitoi për herë të parë ish-vendin kolonialist në korrik të vitit 2009, duke nisur kështu një epokë të re në mes të dy vendeve.

Marrëveshja e miqësisë

Më 30 gusht të vitit 2008 të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje miqësie. Kryeministri italian Silvio Berlusconi pati premtuar atëherë disa miliardë euro si pagesa zhdëmtimi për 30 vitet, që Italia ka mbajtur të pushtuar Libinë. Libia nga ana e saj kishte premtuar ndërprerjen e valës së refugjatëve përmes rrugës detare drejt Italisë. Prej nënshkrimit të marrëveshjes së miqësisë në vitin 2008 marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar vazhdimisht, posaçërisht marrëdhëniet ekonomike janë të ngushta dhe para së gjithash në sektorin energjitik. Italia është ndërkohë partneri tregtar më i rëndësishëm i Italisë dhe një pjesë të madhe të nevojave me naftë dhe gaz i mbulon nga shteti i pasur me energji.

Muammar al-Gaddafi Silvio Berlusconi
Marrëdhëniet mes dy vendeve thellohen vazhdimishtFotografi: AP

Kritika nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Marrëveshja mes të Italisë dhe Libisë ka bërë që anijet me refugjatë të kthehen mbrapsht për në Libi pa u vërtetuar më parë, në se njerëzit në ato anije i plotësojnë kushtet për azilim, kritikojnë organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Libia përveç kësaj nuk ka nënshkruar ende Konventën e Gjenevës për refugjatët. Gjendja e refugjatëve dhe azilkërkuesve është e keqe, shumë prej tyre plaçkiten dhe keqtrajtohen. Ata rrezikohen me dëbim për në Eritre, apo Somali, ku refugjatët përndiqen dhe torturohen.

Ndikimi libian i diskutueshëm në Itali

Moammar Gadhafi bei Silvio Berlusconi in Rom Italien
Afërsia mes Berlusconit dhe Gaddafit nuk shihet me sy të mirë në ItaliFotografi: AP

Marrëveshja e miqësisë e lidhur në vitin 2008 është e diskutueshme në Itali. Afërsia në mes të Berlusconit dhe Gaddafit ka kohë që është kthyer në halë në sy për opozitën. Po ashtu edhe ajo kritikon marrëveshjen për kthimin e refugjatëve, si shkelje të të drejtave të njeriut.

Po ashtu edhe partia armiqësore ndaj të huajve 'Liga Nord', partneri i koalicionit të Berlusconit, e sheh me skepticizëm ndikimin libian gjithnjë e në rritje në Itali. Së fundi shpërthyen mosmarrëveshjet për pjesën libiane në bankën e madhe Unicredit, e cila tashmë ka arritur në shtatë për qind. Megjithë kritikat për ndikimin libian vizitat e Gaddafit përcillen me interesim të madh në Itali. Para së gjithash njerëzit janë kurreshtër të shohin çadrën e beduinëve, në të cilën kreu i shtetit libian flen gjatë vizitave të tij jashtë shtetit. Kësaj radhe ai në Itali kishte marrë me vete edhe 30 kuaj.

Autor: Katrin Ogunsade/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica