1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetarët e TAZ bojkotojnë në protestë Kampionatin Botëror të Atletikës

10 Gusht 2009

Të shtunën (15 gusht ) fillon në Berlin Kampionati Botëror i Atletikës. Afro 3500 gazetarë, fotografë dhe kameramanë kanë bërë akreditimin, ndërsa e përditshmja gjermane "Tageszeitung" ka vendosur ta bokotojë aktivitetin

https://p.dw.com/p/J71j
TAZ kërkon vërtetimin e dyshimit para kontrollit. Ne foto: logo e gazetes Tageszeitung, TAZ
TAZ kërkon vërtetimin e dyshimit para kontrollit

Gazetarët e TAZ-it nuk dhanë aprovim për kontrollin kriminalistik të të dhënave personale

Një klauzolë me shkronja të vogla në fund të letrës së akreditimit, ku kërkohet aprovimi i gazetarit për të kontrolluar personin e tij nga policia e kriminalistikës dhe organet për mbrojtjen e kushtetutës u bë shkas që në redaktorët e sportit të së përditshmes gjermane TAZ, të mos marrin pjesë në këtë eveniment kaq të rëndësishëm. Ky vendim merret megjithëse aktiviteti ndodh pikërisht para derës së tyre. Gazetarët nuk e nënshkruan aprovimin vullnetar për kontrollimin e të dhënave personale. Komiteti Organizativ i Berlinit (Berlin Organising Committee 2009) për rrjedhojë e refuzoi kërkesën e tyre për akreditim. Si shenjë proteste gazeta ka zgjedhur bojkotimin:

'Duhet dëshmuar fillimisht që një gazetar bën problem për sigurinë, jo të zhbirohet në sferën private'

“Kush dëshmon që është gazetar, ka të drejtë të punojë edhe si gazetar. Në se ai përbën problem për sigurinë, kjo duhet dëshmuar fillimisht e jo të zhbirohet në sferën private në mënyrë kaq masive e paraprakisht”, thotë Ines Pohl, kryeredaktore e gazetës.

Me bojkotimin e gazetës është solidarizuar ndërkohë edhe Shoqata e Gazetarëve Gjermanë (DJV).

TAZ kundërshton të pranojë kontrollin nga kriminalistët. Ne foto: nje gazetare e TAZ para godines se kesaj gazete ne Berlin
TAZ kundërshton të pranojë kontrollin nga kriminalistëtFotografi: picture-alliance/dpa

'Striptizë elektronike për gazetarët'

“Jemi kundër procedurës së akreditimit, sepse gazetarët që duan të raportojnë, duhet të japin të dhënat e tyre në BKA dhe Organin për mbrojtjen e Kushtetutës", thotë për Deutsche Welle-n Hendrick Zoerner, zëdhënës i shoqatës. “Kjo është një striptizë elektronike për gazetarët dhe është tërësisht e ekzagjeruar”.

Praktika e kontrollit të gazetarëve për ngjarje të mëdha është bërë më se e zakonshme

Praktika e kontrollit të të gjithë gazetarëve që duan të akreditohen për ngjarje të tilla kaq të mëdha, ndërkohë është më se e zakonshme. Ruajtja e sferës private kalon në rang të dytë. Me këtë nuk bien dakord gazetarët:

“Sigurisht që në aktivitete të tilla kaq të mëdha ekziston një potencial rreziku, kjo as që vihet në dyshim, por ne po flasim për gazetarë, ata kanë kartën e shtypit e deri më tani në Gjermani nuk ka ndodhur që ndonjë person të jetë maskuar si gazetar me synimin për të bërë një vepër penale”, thotë Zoerner.

Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi