1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gaz për Evropën

Janis Papadimitriou / Eliana Xhani5 Tetor 2014

Nga viti 2020 Evropa do të marrë gaz natyror nga Deti Kaspik përmes gazsjellësit Transadriatik TAP. Pas vështirësive të fillimit projekti po merr konture. Pikë qendrore: Moska mbetet jashtë.

https://p.dw.com/p/1DPtn
Fotografi: ANDREJ ISAKOVIC/AFP/Getty Images

Duke anashkaluar Rusinë TAP do të sjellë gaz nga Deti Kaspik përmes veriut të Greqisë dhe Shqipërisë deri në jug të Italisë dhe atje do të hyjë në rrjetin ekzistues evropian. Financimi i korridorit evropianojugor të gazit u lëkund, pasi gjigandi gjerman i energjisë Eon dhe koncerni francez Total, shkurtin e kaluar sinjalizuan dëshirën të braktisnin projektin TAP, gjë që e bënë në fund të muajit shtator. Por ndërkohë është gati një tjetër investues: Enagas, një nga furnizuesit më të mëdhenj të gazit në Spanjë, do të blejë pjesën më të madhe të aksioneve të Eon-it. Investuesit më të rëndësishëm të projektit TAP vazhdojnë të jenë edhe më tej gjiganti britanik i energjisë BP, Statoil norvegjez dhe koncerni shtetëror nga Azerbajxhani Socar, me përkatësisht 20 për qind.

"Sigurisht që nga vjen keq për largimin e Eon-it dhe Total-it, por çdo sipërmarrje vendos vetë nëse ky investim përshtatet me portofolin e saj", thotë drejtuesi ekonomik i TAP, Lutz Landwehr në bisedë me DW. Furnizuesi spanjoll i gazit Enagas është sidoqoftë i fortë dhe sjell përvojë konkrete, specifike. Kështu TAP del më i fortë nga ndryshimi i aksionerëve, mendon drejtuesi nga Gjermania.

Investimet paraprake, si p.sh. për rrugët e transportit, do të fillojnë që në 2015, tha Landwehr të mërkurën (1.10.) në konferencën për energjinë "Balkans and the Adriatic Oil & Gas Summit" në Athinë. Livrimet e para nga fusha azerbajxhanase e gazit Shah Deniz, që llogaritet me një vëllim prej një bilion metra kub, priten në fillim të vitit 2020. Gazsjellësi transadriatik do të sigurojë deri 20 për qind të nevojës evropiane për gaz.

Gas Pipelines in Griechenland ARCHIVBILD 2009
Fotografi: Sakis Mitrolidis/AFP/Getty Images

Rol kyç për Greqinë

Nga 880 kilometrat tubacion, 540 kalojnë në Greqi duke i dhënë kështu vendit të goditur nga kriza një rol kyç në zbatimin e projektit. Që në vitin 2013 Greqia, Shqipëria, Italia dhe Athina nënshkruan një marrëveshje dhe kështu shprehën qartë vullnetin dhe mbështetjen politike për projektin miliardësh.

Megjithatë vonesa ka: itinerari i saktë i gazsjellësit përmes veriut të Greqisë ende nuk është përcaktuar, pasi shumë qytete, komuna dhe iniciativa qytetare kanë protestuar kundër planeve të ndërtimit dhe kërkojnë ndryshime në itinerarin e trasesë. Sipas informacioneve të gazetës athinase TA NEA deri tani ka më shumë se 140 dëshira për ndryshim. Konsorciumi i TAP premton se do t'i shqyrtojë me kujdes kundërshtimet dhe veç kësaj do të zbatojë një "program social investimesh" në dialog me komunat në vend për të arritur më shumë pranueshmëri për projektin e infrastrukturës.

Edhe procedura e miratimit nuk ecën gjithnjë pa probleme. Shumë punë kërkon në veçanti përpunimi i rregullave të autoriteteve për ambientin. Por tani pritjes i ka ardhur fundi, thotë ministri grek i Energjisë Jannis Maniatis. "Me gëzim mund t'ju bëj sot të ditur se para rreth 20 ditësh kam miratuar rregullat për ambjentin në lidhje me TAP; sipas këndvështrimit tim jemi mirë me planin kohor", thotë Maniatis në intervistë me DW.

Dr. Lutz Landwehr
Dr. Lutz LandwehrFotografi: DW/J. Papadimitriou

Irritime ka shkaktuar kohët e fundit lajmërimi i opozizës së majtë greke (Syriza) se në rast të një fitoreje në zgjedhje do të rinegociojë pjesë të marrëveshjes TAP. Në parlament Maniatis ka replikuar tashmë ashpër me deputetë të majtë që protestonin dhe edhe në bisedë me DW, politikani socialist tregon shumë pak mirëkuptim për kritikën e opozitës. As që mund të mendohet që të rinegociohet një projekt me rëndësi mbarëevropiane, paralajmëron Maniatis. Veç kësaj, të gjitha rregullat relevante për konkurrencën dhe transparencën janë respektuar dhe për këtë arsye nuk ka shkak për të ndërmarrë ndryshime të marrëveshjes.

Akses në rrjetet evropiane të energjisë

Gazsjellësi TAP nuk duket tërheqës vetëm sepse ofron një qasje eficiente sa i takon kostove në rezervat me gaz të Kaspikut. Për vendet pjesëmarrëse bëhet fjalë për jo më pak se një ripozicionim në tregun evropian të energjisë. Për shembull Shqipëria: deri tani vendi buzë Adriatikut nuk ka pasur thuajse asnjë mundësi të merrte pjesë në rrjetet evropiane të energjisë. Kjo tani do të ndryshojë thotë zëvendësministri shqiptar për Energjinë dhe Industrinë, Dorian Ducka në bisedë me DW: "Përmes projektit TAP Shqipëria do të bëhet pjesë e korridorit të gazit në jug të Evropës dhe kështu edhe e rrjeteve të energjisë të rajonit", thotë ai. Edhe nga pikëpamja ekonomike TAP është kuptimplotë. Shqipëria pret prej tij investime të huaja direkte me një vëllim prej deri 1 miliardë euro si dhe vende të reja punë dhe të ardhura më të larta fiskale.

Edhe më e rëndësishme: planifikimi afatgjatë në Tiranë parashikon që gazsjellësi TAP në Shqipëri të lidhet me gazsjellësin e planifikuar IAP (Ionian-Adriatic-Pipeline), i cili duhet të sjellë gaz në rrjetet lokale të furnizimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. "Kështu Shqipëria do të bëhej një nyjë e rëndësishme për shpërndarjen e mëtejshme të gazit natyror në drejtim të Ballkanit Perëndimor, p.sh. në Mal të Zi, Bosnjë dhe Kroaci", shprehet me gëzim zëvendësministri shqiptar Ducka. Ngjashëm arsyetohet edhe në veri të Greqisë: prej atje një gazsjellës greko-bullgar 180 kilometra i gjatë do të përçojë gazin natyror nga Azerbajxhani në drejtim të Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë.

Konkurrencë e padëshiruar për Rusinë?

Mbetet të sqarohet vetëm pyetja nëse Rusia e sheh projektin TAP si konkurrencë për gazsjellësin South-Stream, i cili sipas planit nga 2018 duhet të livrojë gazin rus përmes Detit të Zi në Bullgari dhe Evropën Perëndimore duke shmangur Ukrainën. Thuajse të gjithë pjesëmarrësit në "Balkans and the Adriatic Oil & Gas Summit" në Athinë e mohuan këtë. Për ministrin grek të Energjisë, Jannis Maniatis kjo pyetje as që shtrohet aspak. Vitet e ardhshme Evropa do të ketë nevojë për 100 miliardë metra kub gaz shtesë dhe çdo livrim gazi e çdo rrugë e re janë të mirëpritura, thotë politikani athinas.

Griechenland Albanien Italien Vertragsunterzeichnung Trans Adriatic Pipeline TAP
Nënshkrimi i marrëveshjes së TAP mes Shqipërisë, Greqisë dhe ItalisëFotografi: Reuters