1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Germia Hill" diskuton për sigurinë në Evropën Juglindore

Bekim Shehu2 Shkurt 2016

Rreth 200 pjesëmarrës nga 40 shtete të ndryshme marrin pjesë në konferencën "Germia Hill" që organizohet në Prishtinë. Tema e konferencës është "Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale".

https://p.dw.com/p/1Ho3c
Panorama Kosovo
Fotografi: picture alliance/blickwinkel/B. Trapp

Rreth 200 pjesëmarrës nga 40 shtete të ndryshme të botës, marrin pjesë në konferencën "Germia Hill" në Kosovë, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe instituti i njohur ndëkombëtar "Aspen Institute". Kjo konferencë që zhvillon punimet (02.02 - 3.02) është më e madhja që është organizuar në vitet e fundit në Ballkan.

Tema e konferencës është "Siguria në Evropën Juglindore në kontekst të sfidave më të gjera rajonale". Konferenca "Germia Hill" synon që të ndihmojë Kosovën në promovimin e agjendës së integrimit në NATO, duke e përfshirë vendin në debatet e rëndësishme të sigurisë rajonale".

Në mesin e folësve kryesorë, në këtë konferencë do të jetë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maltës, George William Vella, i cili do të flasë mbi migrimin e parregullt, gjendjen në Libi, si dhe për prioritetet e Maltës në prag të marrjes së kryesimit të presidencës së BE-së.

Konferenca "Germia Hill", e cila për herë të tretë organizohet në Kosovë, ofron një kornizë për të trajtuar dhe shtjelluar një peizazh të ndërlikuar gjeopolitik nga këndvështrimi i Evropës Juglindore. NATO vazhdon të mbetet aspiratë e vetme për siguri kolektive për Republikën e Kosovës, por edhe për shumicën e shteteve të tjera në rajon. Megjithatë, të gjitha vendet e Evropës Juglindore ndajnë të njëjtat shqetësime me pjesën tjetër të Evropës dhe nuk janë imune ndaj sfidave në fushat e politikës së jashtme dhe të sigurisë. "E ballafaquar me një konflikt të ri të armatosur në Ukrainë dhe një luftë të përshkallëzuar në Siri, si dhe imigrim dhe rritje të ekstremizmit fetar dhe politik, Evropa Juglindore vazhdon të përballet me sfida të shumta në kontekst të integrimit euroatlantik, veçanërisht për sa i përket implikimeve komplekse gjeopolitike", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Ekstremizmi fetar dhe rreziku nga terrorizmi e ka shtyrë Kosovën që të rreshtohet përkrah koalicionit global kundër terrorizmit. Mediet e ndryshme vendase dhe ndërkombëtare vazhdimisht kanë shkruar, se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës i janë bashkuar organizatave terroriste në luftërat në Siri dhe Irak. Një studim i bërë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, (QKSS), thuhet se afro 300 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. Të paktën 30 nga ta kanë humbur jetën në këto luftra.

Ministri i punëve të jashtme të Maltës George Vella, vendi i të cilit është në prag të marrjes së kryesimit të presidencës së BE-së, takoi në Prishtinë të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Në një takim që George Vella zhvilloi me Presidenten Atifete Jahjaga, u bisedua edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidentja Jahjaga, nënvizoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces dhe kërkoi që zbatimi i këtyre marrëveshjeve të jetë parakusht për procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. "Kosova është promovuese e paqes dhe stabilitetit në rajon. Është qëndrim i institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet fqinje", tha presidentja Jahjaga.