1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Gjendja është serioze'

Kay Alexander Scholtz15 Nëntor 2015

Pas mbledhjes së kabinetit të sigurisë, ministri Thomas de Maiziere e klasifikon rrezikun e terrorizmit të lartë në Gjermani. Ai paralajmëron të mos nxirren përfundime të përshpejtuara për krizën e refugjatëve.

https://p.dw.com/p/1H64r
Thomas de Maiziere
Fotografi: Getty Images/AFP/T. Schwarz

Me sa duket, ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere tha në një konferencë shtypi të shtunën pasdite se sqarimi dhe kujdesi janë kërkesa e momentit. Gjendja është serioze, tha ai. Tani ka rëndësi që të bashkohen radhët - në qeveri, në Parlament, në popull, në Evropë. Një kategorizim konkret të rrezikut të terrorizmit megjithatë ministri i Brendshëm nuk pranoi ta bënte. Ai ka tërhequr vëmendjen herë pas here se i gjithë Perëndimi, pra edhe Gjermania ndodhen në shënjestër të terrorizmit ndërkombëtar. Gjendja e rrezikimit mbetet pa ndryshuar e lartë.

A ka një lidhje me Gjermaninë

Ministri tha se Gjermania i ka ofruar Francës të gjitha ndihmat e mundshme. Së bashku bëhen përpjekje që të konstatohen nëse atentatet kanë lidhje eventuale me Gjermaninë.

Burri që u arrestua javën e kaluar në Bavari me armë të rënda në automjetin e tij dhe sistemi i navigimit të të cilit kishte një adresë në Paris, tani ndodhet në paraburgim. Por ende nuk është e qartë nëse ai ka lidhje me serinë e atentateve. Për ta sqaruar këtë duhet kohë, tha ministri i Brendshëm.

Veç kësaj autoritetet franceze kanë kërkuar që të kontrollohen bankat e të dhënave me personat në kërkim në Gjermani për emrin e një personi. Rezultati ka qenë negativ.

Dita më pas

Që të premten në mbrëmje, në Gjermani janë marrë masat "e nevojshme" të mbrojtjes, tha De Maiziere. Ato do të jenë në fuqi deri në një vendim të dytë. Këtu bën pjesë një prani e shtuar e Policisë Federale në aeroporte dhe në stacionet e mëdha të trenave. Policia është pajisur më tej në mënyrë më "luftarake", kjo do të thotë me jelekë antiplumb dhe me mitrolozë. Kontrollet kufitare të qarkullimit në rrugë, në shina dhe në ajër para së gjithash nga Franca në Gjermani janë shtuar në mënyrë të konsiderueshme. Veç kësaj, vëzhgimi i islamistëve të njohur e edhe i ambjenteve ekstremiste të djathta, të cilat mund të reagojnë ndaj atentateve është shtuar dukshëm. "Masa të tjera operative", të cilat merren zakonisht në raste atentatesh terroriste në botën e jashtme, janë vënë në rrugë. Për shkaqe sigurie, ministri këtu nuk mund të jepte shpjegime.

Më parë, de Maiziere i kishte dhënë këto shpjegime në Zyrën Kancelarore. Atje, kancelarja Merkel, pati mbledhur midis të tjerash kabinetin e sigurisë, midis të tjerash me ministrin e Brendshëm dhe ministren e Mbrojtjes. Më parë në Ministrinë e Jashtme qe mbledhur edhe një shtab krize dhe kishte dëgjuar sqarime nga autoritetet e sigurisë. Edhe këto masa të jashtëzakonshme tregojnë se sa vlerësohet në Gjermani nata e terrorit në Paris.

Pasoja politike për debatin e refugjatëve?

Me këmbëngulje kërkoi ministri i Brendshëm që në situatën aktuale të mos nxirret ndonjë përfundim i përshpejtuar për debatin e refugjatëve nga Siria. Të gjithë tani duhet të ndalen dhe të mendohen se çfarë thonë ose çfarë bëjnë, tha ai.
Por deklaratat e para në këtë drejtim janë bërë. Kryeministri i Bavarisë dhe kryetari i CSU-së, Horst Seehofer kërkoi një mbrojtje më të fortë të kufijve. "Ne duhet të dimë se kush kalon përmes vendit tonë", tha ai. Seehofer angazhohet aktualisht për një reduktim të qartë të numrit të refugjatëve në Gjermani dhe ka kërkuar edhe në raste të tjera kontrolle më të forta.

Shprehje solidariteti në Berlin

Policia e Berlinit ndërkohë ka shtuar masat e sigurisë përpara institucioneve franceze në kryeqytetin gjerman. Porta e Brandenburgut u ndriçua me tri ngjyrat e flamurit francez në mbrëmje. Që dje në mesditë flamujt në Reichstag dhe në të gjitha ministritë janë në gjysmë shtizë.