1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040809 Polnische Lehrer Deutschland

Angelina Verbica5 Gusht 2009

Kërkohen mësues polakë për shkollat në Gjermani. Njoftime të tilla për vende pune mund të lexohen këtej e tutje më shpesh, sepse shkollat gjermane gjenden përpara një problemi të vështirë: mungesë mësuesish.

https://p.dw.com/p/J3pI
Fotografi: AP

Sipas të dhënave të shoqatës së filologëve gjermanë ky problem mund të bëhet akoma më i mprehtë vitin ardhshëm dhe në mënyrë të veçantë në shkencat natyrore. Tashmë personeli arsimor i përgatitur nga Polonia do të japë ndihmesën e vet.

Gazeta Wyborcza po përhap panik, ndonëse në përgjithësi ajo është mjaft e arsyeshme. "Gjermanët po na marrin mësuesit tanë, njofton në mënyrë sensacionale gazeta duke cituar drejtorin e shoqatës së filologëve gjermanë, Heinz-Peter Meidinger. Ai ka hedhur idenë që mungesa e pritshme e personelit mësimdhënës të plotësohet me mësues nga Evropa Lindore. Pse jo, thotë Lars Bosse, drejtues i Dhomës polako-gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Varshavë. Mësuesit polakë janë të përgatitur mirë dhe mjaft prej tyre e flasin shumë mirë gjermanishten.

Lehrer und Schüler im Klassenzimmer
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Arsimi universitar është i ngjashëm si në Gjermani dhe është më se e qartë që më pas duhen përvetësuar veçoritë specifike të mësimdhënies. Këtë e përjetojnë edhe mësuesit gjermanë, që shkojnë jashtë vendit. Në qoftë se Gjermania hap portat për mësuesit e huaj dhe këtu unë shoh jo vetëm Poloninë, këtu unë shoh edhe Çekinë, Italinë, ose Francën, atëherë ata janë përzemërsisht të mirëpritur."

Me një afat të kufizuar për dy deri në pesë vjet Gjermania kërkon kryesisht shkencëtarë të shkencave të natyrës. Në një të ardhme të afërt do të mungojë personeli mësimdhënës në disa lëndë si matematikë, biologji, informatikë, fizikë, dhe gjeografi. Publicistit Adam Grzeszak i duket i çuditshëm fakti që gjermanët për të plotësuar mungesat e tyre po i hedhin sytë pikërisht nga Polonia:

"Ne nuk kemi për vete një numër të mjaftueshëm mësuesish. Ministria jonë e Arsimit të lartë po përpiqet ndërkohë të bëjë përsëri më atraktive lëndët e shkencave të natyrës. Pikërisht matematika dhe shkencat e natyrës janë aq pak të përfaqësuara në shkolla, sa mungojnë akademikët e përshtatshëm në shkollat politeknike. Ne na duhet më mirë të importojmë vetë disa mësues matematike.“

Një argument i mirë për një punësim në shkollat gjermane është sigurisht rroga.

Lehrer am Fenster
Një mësues polak mund të fitonte më shumë në GjermaniFotografi: Concorde Filmverleih

Një mësues i ri, që në Poloni paguhet 350 Euro në muaj, mund të paguhej në Gjermani me pesëfishin. Pagesa e keqe është me të vërtetë zhgënjyese, thotë gazetarja dhe ekspertja e arsimit Anna Mackiwicz. Për këtë arësye shumë mësues polakë kanë humbur dëshirën për punën.

"Nëse rrogat do të ishin më të larta, atëhere në këtë profesion do të mbeteshin edhe më të mirët. Tani punojnë në këtë profesion ose gra të motivuara, të cilat kanë një bashkëshort, që ka rrogë të mirë, ose burra, të cilët nuk gjejnë një punë më të mirë. Për fat të keq mësuesit e pasionuar janë në pakicë.“

Ministria polake e Arsimit ka reaguar me qetësi ndaj fushatës rekrutuese të filologëve gjermanë. Zëvendës-ministri Zbigniew Marciniak tha se gabojnë të gjithë ata, që mendojnë se njohuritë e gjuhës gjermane të shumicës së mësuesve polakë janë të mjaftueshme për të dhënë mësim në Gjermani.

Ai nuk llogarit me një eksod të mësuesve drejt Perëndimit. Shtatë vite më parë ishte një situatë e ngjashme. Në atë kohë ndërmarrjet industriale gjermane si dhe firmat gjermane të kompjuterave kërkonin intensivisht të punonësonin informaticienë polakë. Ata konsideroheshin si të shkolluar mirë, të motivuar dhe të angazhuar. Por ata ndiheshin aq mirë në Poloni, sa thuajse askush nuk donte t' i përgjigjej thirrjes së fqinjëve.

Autor:Vilma Filaj-Ballvora/Ludger Kazmierczak

Redaktoi: Angjelina Verbica