1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: BKA krijon task-forcë kundër shërbimit Telegram

27 Janar 2022

Përgënjeshtruesit e koronavirusit dhe ekstremistë të djathtë organizohen përmes shërbimit messenxher, Telegram, menaxhuesit e të cilit është e vështirë të kontaktohen prej autoriteteve. Por tani do të veprohet ndaj tyre.

https://p.dw.com/p/468f7
Symbolbild Telegram App
Fotografi: Jakub Porzycki/NurPhoto/picture alliance

Duke u nisur nga nxitja dhe thirrjet për dhunë në grupet chat përmes rrjetit Telegram, Enti Federal i Kriminialistikës në Gjermani, BKA, ka vënë në shënjestër shërbimin e komunikimit Telegram."Veçanërisht pandemia e koronavirusit ka bërë, që njerëzit të radikalizohen në platformën Telegram, duke kërcënuar e madje edhe duke publikuar kërcënime për vrasje", deklaroi presidenti i BKA-së Holger Münch në Wiesbaden.

Për zbardhjen e veprave të tilla penale BKA ka ngritur një task-forcë, sikurse njoftoi ky ent. "Qëllimi është të identifikohen të dyshuarit dhe të ndiqen penalisht." Kjo ndodh në koordinim të ngushtë me autoritetet e policisë dhe landet federale si dhe me Qendrën për Luftën kundër Kriminalitetit të Internet pranë Prokurorit të Përgjithshëm në Frankfurt mbi Main.

Përveç kësaj në të ardhmen në rastet e kriminalitetit me motive politike do të vrojtohet me kujdes, se sa mirë bashkëpunon Telegram ndaj „kërkesave për shuarjen e postimeve problematike” dhe kërkesave për të dhënat e grumbulluara, vuri në dukje BKA. "Ne synojmë të bashkëpunojmë me Telegram, por do të marrim edhe masa në rast se Telegram nuk do të bashkëpunojë", deklaroi Münch.

Deutschland | BKA-Herbsttagung in Wiesbaden
Holger MünchFotografi: Arne Dedert/dpa/picture alliance

Edhe kundër shkencëtarëve dhe mjekëve

Shërbimi messenger, sipas mendimit të autoriteteve gjermane të sigurisë, po kthehet gjithnjë e më shumë në një medium të radikalizimit. Veçanërisht të prekur, sipas BAK-së, janë persona që mbajnë poste politike si dhe shkencëtarë e mjekë, që angazhohen hapur kundër pandemisë së koronavirusit.

Përpara dhjetë ditësh mediet njoftuan, se përfaqësues të autoriteteve në një mbledhje jo publike të Komisionit Parlamentar të punëve të Brendëshme, janë shprehur që t'u dërgohen një mori kërkekash për shuarje të postimeve menaxhuesve të platformës për t'i bërë ata që të bashkëpunojnë. Por vazhdimisht është thënë se menaxhuesit e shërbimit messenger Telegram është e vështirë të kontaktohen.

 

 

ml/kle (dpa, epd)