1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një hap më pranë futjes së taksës rrugore në Gjermani

Sabine Kinkartz30 Mars 2015

Për herë të parë në Gjermani do të paguajnë taksa për shfrytëzimin e rrugëve edhe drejtuesit e veturave. Bundestagu e miratoi ligjin përkatës, i cili si objekt të shpallur ka të huajt. Si do të reagojë Brukseli?

https://p.dw.com/p/1EzIo
Pamje simbolike: taksa rrugore ne Gjermania
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Wüstneck

Taksën do ta paguajnë përdoruesit e autostradave dhe të rrugëve nacionale që nga 1 janari 2016 dhe ajo do të kushtojë mesatarisht 74 euro në vit. Për drejtuesit e huaj të automjeteve, ajo nuk do të kërkohet në rrugët nacionale, për ta shtensionuar qarkullimin e vogël ndërkufitar. Në një kohë që gjermanëve do t'u duhet të blejnë automatikisht një vinjetë (etiketë me leje) nacionale, të huajt do të kenë mundësi të zgjedhin midis vinjetave vjetore, dhjetëditore ose dymujore. Varësisht nga madhësia e automjetit dhe nga sasia e gazrave të dëmshme që nxjerrin automjetet, vinjetat për një kohë të shkurtër do të kushtojnë midis pesë dhe 30 euro.

Drejtuesit e veturave, të cilët i kanë të regjistruara në Gjermani automjetet e tyre do të lehtësohen në taksën për automjetin me atë shumë që i përgjigjet taksës për rrugët. Kështu që në fund do të jenë vetëm të huajt ata që do të paguajnë. Kjo mund të klasifikohet në aktet e diskriminimit. Këshilli Federal (Dhoma e Landeve) do të merret në fillim të majit me këtë projekt. Por meqenëse ligji nuk kërkon për miratim votën e landeve, diskutimi vetëm ta shtyjë futjen e taksës rrugore, por jo ta ndalojë.

Për CSU-në bavareze, Partinë Kristjansociale Gjermane, e cila e bëri me këmbëngulje taksën rrugore pjesë të marrëveshjes së koalicionit qeveritar më 2013, fjala është për vendosjen e drejtësisë. Nëse përdoruesve gjermanë të automjeteve u duhet të pagujanë për përdorimin e autostradave në Francë ose Itali, atëherë anasjelltas, edhe drejtuesit e veturave prej andej duhet të kalojnë nga arka në Gjermani.

'Kontribut për infrastrukturën' gjermane

Ministri i ri i Transportit, Alexander Dobrindt (CSU) iu përvesh pas zgjedhjeve menjëherë punës dhe prezantoi që në korrik 2014 një koncept. Që prej atij momenti, taksa rrugore mori emrin "kontribut për infrastrukturën", fitimi prej saj duhet të shkojë në dobi të mirëmbajtjes dhe zgjerimit të rrjetit gjerman të rrugëve. Por në muajt që pasuan, taksa rrugore u kthye në një temë shumë të diskutueshme, jo vetëm politikisht, por edhe përsa i përket së drejtës evropiane. Dobrindtit iu desh ta përpunojë disa herë konceptin e tij.

Në çështjet që nuk janë sqaruar përfundimisht deri më sot, bën pjesë shuma e të ardhurave që priten. Ministri i Transportit llogarit me 500 milionë euro në vit. "Ne po bëjmë një ndryshim të qartë të sistemit, duke u larguar nga financimi përmes taksave dhe duke kaluar në financim prej përdoruesve", tha politikani i CSU-së në debatin përfundimtar në Bundestag kontributin për infrastrukturën. Por kritikët kanë dyshime për shifrat që paraqet Dobrindt-i. Edhe të hënën e kaluar, eksperti i të Gjelbërve për buxhetin, Sven-Christian Kindler kritikoi "Këtu krijohet me vrull të madh një monstër burokratike, që për shkak të shpenzimeve të jashtëzakonshme të administrimit dhe të ardhurave të pakta, në fund nuk do të sjellë asnjë fitim."

Rrjeti evropian i autostradave
Rrjeti evropian i autostradave

Të huajt të diskriminuar

E diskutueshme është edhe nëse taksa rrugore do t'i rezistojë një verifikimi për përputhjen e saj me të drejtën evropiane. Ligjet e BE e ndalojnë diskriminimin e të huajve. Por Dobrindti thotë se po rëndon me kontributin për infrastrukturën vetëm të huajt, sepse kancelarja Merkel ra dakord ta mbështesë këtë hap vetëm me kushtin që gjermanët të mos detyrohet të paguajnë para shtesë, në qarkullimin rrugor.

"Vërtet rrallë ka qenë ndonjë ligj një budallallëk i tillë i qartë", kritikoi kryetari i Grupit Parlamentar të të Gjelbërve në Bundestag, Anton Hofreiter. Në vendet fqinje, taksë për rrugët duhet të paguajnë të gjithë, jo vetëm të huajt. Hofreiteri është shumë i bindur se ky ligj do të përfundojë para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

"Askush nuk besoi se do t'ia dalim mbanë", tha zëdhënësi për politikën e transportit të partive unioniste Ulrich Lange në debat. Këtë nuk do ta kishte besuar as Dionys Jobst-i, deputeti i CSU-së, i cili kërkoi që në vitin 1982 që të huajt të paguajnë taksa për përdorimin e rrugëve gjermane. Por atëherë me të qeshën. Në verë 1993 ai madje premtoi, që ishulli spanjoll i pushimeve, Majorka, të kthehet në landin e 17-të të Gjermanisë. Edhe kjo ide absurde?