1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me Serbinë kundër mafies

Mathias Bölinger23 Mars 2016

Serbia e Gjermania nënshkruajnë marrëveshjen për luftimin e kriminalitetit. Serbia ka luajtur një rol jashtëzakonisht konstruktiv, lëvdoi de Maizière. Në çështjen e refugjatëve të dy vendet bashkëpunojnë prej kohësh.

https://p.dw.com/p/1IHtY
Deutschland Serbien Sicherheitsabkommen De Maiziere und Stefanovic
Fotografi: picture-alliance/dpa/K.-D. Gabbert

Radhët e gjata të kameramanëve, që kanë në fokus dy ministrat, janë ardhur për një arsye tjetër. Paradite terroristët aktivizuan disa bomba në Bruksel, gazetarët prisnin deklaratën e ministrit gjerman të Punëve të Brendshme Thomas de Maizière lidhur me këtë. Ai do të kish preferuar t'ia uronte mirëseardhjen homolgut serb Nebojsha Stefanoviç "në rrethana më miqësore", deklaron de Maizière shkurt, para se të flasë lidhur me temën e takimit. Serbia dhe Gjermania kanë nënshkruar një marrëveshje për luftën e përbashkët kundër kriminalitetit. Kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji, që vendi kandidat për në BE, Serbia, nënshkruan me një vend tjetër.

Kriza e refugjatëve intensifikon bashkëpunimin

Marrëveshja është një hap i mëtejshëm pasi të dy vendet bashkëpunimin mes tyre e kanë zgjeruar në muajt e fundit, veçanërisht lidhur me çështjen e azilit dhe të refugjatëve. Më 2014 Gjermania e shpalli Serbinë vend të sigurtë origjine, në mënyrë që të mund t'i refuzonte dhe kthente më shpejt azilkërkuesit nga Serbia. Verën e vitit 2015 erdhën gjithnjë e më shumë refugjatë nga Siria, Afganistani dhe Iraku përmes itinerarit ballkanik, që kalon direkt përmes Serbisë drejt Europës. Asokohe Gjermania dërgoi policë kufiri në Serbi për të mbështetur forcat kufitare serbe. "Serbia ka luajtur një rol jashtëzakonisht konstruktiv", lëvdoi de Maizière.

Tani të dy vendet duan të fokusohen tek kriminaliteti i organizuar. Krahas kriminalitetit të trafikimit duhet të luftohen më me efikasitet edhe bandat e organizuara të vjedhësve. Të dy vendet duan të krijojnë një grup hetimor, të shkembejnë rregullisht informacionet mbi dorasit dhe të krijojnë ekipe të përbashkëta për krime të veçanta apo grupe dorasish. Gjermania do të dërgojë ndërkohë oficerë ndërlidhjeje në Beograd - një polic kriminalistike dhe një polic kufiri. Në të ardhmen edhe Serbia do të dërgojë një oficer ndërlidhjeje në Berlin. "Ky është një hap cilësor në bashkëpunim", deklaroi Thomas de Maizière. Edhe homologu serb Nebojsha Stefanoviç theksoi, se marrëveshja hap rrugën për "mundësi më të mëdha në luftën kundër kriminalitetit".

Grupet serbe bëhen më aktive

Grupet e dominuara serbe nga kriminaliteti i organizuar po i zgjerojnë prej vitesh aktivitetet në Gjermani. Në vitin 2014 u zhvilluan hetime kundër 17 grupeve mafioze me origjinë serbe. Kryesisht bëhet fjalë për tregti me drogë, krim pronash si plaçkitje e vjedhje si dhe vjedhje makinash. Serbia zë vendin e nëntë për nga numri i të dyshuarve, ndaj të cilëve hetohet në Gjermani në kontekstin e kriminalitetit të organizuar. Në vitin 2014 ishin 140 persona. Megjithatë dallimi është i madh me ata që kryesojnë në statistika. Litauania me 946 të dyshuar përbën grupin më të madh të të huajve në hetim. Shumë më tepër janë të dyshuarit me nënshtetësi gjermane me një shifër prej 3146. "Për ne është e rëndësishme, që të bëjmë të qartë, se kemi vendosur të luftojmë të gjitha format e kriminalitetit", thekson Stefanoviç.