1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dhe SHBA në prag të një kapitulli të ri të marrëdhënieve të tyre - Kancelari gjerman Gerhard Schröder takon MPJ amerikane Condoleezza Rice

Pandeli Pani4 Shkurt 2005

Gjermania dhe SHBA janë në prag të një kapitulli të ri të marrëdhënieve të tyre. Kështu u shpreh pas takimit të saj me kancelarin gjerman Gerhard Schrëder MPJ amerikane Condoleezza Rice, e cila më parë kishte qëndruar për bisedime në Londër. Biseda mes kancelarit gjerman dhe MPJ amerikane zgjati rreth një orë, pra një gjysmë ore më shumë nga sa ishte planifikuar.

https://p.dw.com/p/Ar4k
Dueti Schöder - Rice
Dueti Schöder - RiceFotografi: dpa

Gjermania dhe SHBA kanë vlera të përbashkëta, theksoi pas takimit me kancelarin gjerman Schröder MPJ amerikane Rice: "SHBA dhe Gjermania ndajnë me njëra-tjetrën vlera të thella dhe lidhje të thella me njëra-tjerën, të sprovuara nga historia dhe të ndërtuara mbi faktin se ne jemi të gatshëm që përmes forcës së aleancës sonë dhe të vlerave tona të kontribuojmë me forcë për të drejtuar krijimin e një Evrope të bashkuar, të lirë dhe në paqe."

Si Schröder edhe Rice ishin të mendimit se për zgjidhjen e çështjes së mosmarrëveshjeve për programin atomik të Iranit është i domosdoshëm bashkëpunimi transatlantik. Sipas mendimit të Schröderit ajo për të cilën vazhdon të diskutohet eshtë çështja e instrumentave dhe rrugëve që do të ndiqen më tej në politikën ndaj ndaj Iranit. Gjermania po përpiqet së bashku me Francën dhe me Britaninë e Madhe që t'i mbushin mendjen Teheranit që të mos prodhojë armë atomike.

"Ne nuk shtrojmë për diskutim çështjen, nëse jemi apo jo për demokracinë kudo në botë. Ajo për të cilën diskutojmë është çështja e rrugëve dhe e mjeteve. Dhe ky është një diskutim që do të vazhdojë më tej. Por kjo nuk ka asnjë lloj pasoje negative për përpjekjet e tre partnerëve evropianë, gjë që më duket e rëndësishme dhe e drejtë." - tha Schröder.

Sipas mendimit të MPJ amerikane Rice qëndrimi i udhëheqjes iraniane është shqetësues për të gjithë botën. Për këtë ajo kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të veprojë bashkarisht në mënyrë të njësuar.
Më tej Rice theksoi se në Lindjen e Mesme janë të nevojshme reformat dhe ndryshimet, dhe se ajo nuk sheh ndonjë vështirësi qe te vazhdoje ta thotë këtë dhe për vazhdimin e punës në këtë drejtim.Schröderi nga ana e vet theksoi se Teherani ka të drejtë që ta shfrytëzojë për qëllime civile energjinë atomike, ndërkohë që interesi i bashkësisë ndërkombëtare është që Irani të mos prodhojë armë atomike. Duke ju referuar bisedës me MPJ amerikane për këtë problem Schröder tha:

"Natyrisht që folëm edhe për Iranin. Irani ka të drejtë që ta shfrytëzojë për qëllime civile energjinë atomike, por të gjithë së bashku jemi të mendimit se në interesin e bashkësisë ndërkombëtare është që Irani të mos ketë në dispozicion armë atomike."

Në bisedimet mes Schröderit dhe Rice u fol edhe për angazhimin gjerman në Irak. Kancelari gjerman ofroi që Gjermania të angazhohet edhe më tepër për shkollimin e policëve dhe ushtarakëve irakianë. Përveç kësaj Gjermania është e gatshme ta ndihmojë qeverinë irakiane edhe në ndërtimin e institucioneve demokratike, sepse vetëm kështu në Irak mund të ndërtohet një shoqëri demokratike e qëndrueshme:

"Ne diskutuam për gjendjen në Irak dhe jemi të një mendjeje se tani ka ardhur koha që t'i ofrojmë Irakut një perspektivë demokratike të qëndrueshme. Kjo gjë nuk ka të bëjë me çështjen se ç'qëndrim mbajti njëri apo tjetri në lidhje me ndërhyrjen ushtarake. Unë bëra të qartë që Gjermania është e gatshme të angazhohet për krijimin e një perspektive demokratike dhe të qëndrueshme për Irakun."

Duke shprehur mendimin e përbashkët MPJ amerikane tha se vizita e presidentit amerikan me 23 shkurt në Mainz dhe takimi me kancelarin Schröder do t'i shërbejë krijimit të një kapitulli të ri në marrëdhëniet amerikano-gjermane. Në emër të presidentit amerikan ajo tha:

"Kancelar më lejoni t'ju them se presidenti është i kënaqur për vizitën dhe takimin me ju në Mainz për të vazhduar thellimin e kooperimit tonë dhe për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet amerikano-gjermane si dhe për të shfrytëzuar përparësitë e mundësive historike që kemi përpara nesh."