1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania do të abstenojë ndaj kërkesës së Serbisë për një vlerësim juridik të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë

Anila Shuka8 Tetor 2008

Këtë e bëri të ditur kancelarja gjermane Angela Merkel pas takimit me kryeministrin shiqptar Sali Berisha, të mërkurën paradite (08.10) në Berlin.

https://p.dw.com/p/FWNv
Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha (08.10.2008)
Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha (08.10.2008)Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Duket se do të abstenojmë", tha kancelarja gjermane Angela Merkel duke iu përgjigjur kështu pyetjes, se si do të votojë Gjermania ndaj kërkesës së Serbisë për të marrë një rekomandim nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. "Me abstenimin tonë duam të tregojmë që jemi të bindur për qendrimin tonë për ta njohur Kosovën, prej këtij pozicioni nuk do të tërhiqemi kurrsesi. Por në anën tjetër ne i respektojmë institucionet ndërkombëtare siç është ai i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, prandaj edhe nuk mund të rrefuzojmë kërkesën për të marrë mendimin e këtij institucioni", argumentoi Merkel votën e Gjermanisë.

Gjermania deri tani hezitonte ta publikonte vendimin e saj, pasi presidenti francez, Nikola Sarkozi, si kryetar i radhës së BE-së, po përpiqej të arrinte një qendrim të unifikuar, përpjekje e cila edhe këtë radhë doli pa sukses. Angela Merkel për mosunifikimin në radhët e BE-së: "Kjo tani nuk ka më rëndësi. Por në mënyrën se si do të votojë BE-ja pasqyrohet njohja e Kosovës nga ana e vendeve anëtare të BE-së".

Kancelarja gjermane e vlerësoi pozitivisht njohjen e Kosovës nga ana e Portugalisë: "Kjo tregon që shumica e vendeve të BE-së janë në këtë rrugë dhe duhet ndoshta të mënjanojmë disa nga dyshimet që kanë vendet e tjera, por në përgjithësi jemi në një rrugë të mirë".

Sipas burimeve diplomatike nga Berlini: Kundër kërkesës së Serbisë do të votojë Britania e Madhe, ndërsa një nga vendet që dihet që do ta miratojë votën e Serbisë, është Qiproja.