1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e mjaft vende të BE njohin Guaidon si president

4 Shkurt 2019

Gjermania, Franca, Spanja, Britania e Madhe, Suedia dhe Austria e njohën ndërkohë Juan Guiadon si president të përkohshëm të Venezuelës. Vende të tjera pritet të pasojnë.

https://p.dw.com/p/3CfxT
Venezuela, Caracas: Juan Guaido stellt Regierungsplan vor
Fotografi: Getty Images/M. Bello

Pas skadimit të ultimatumit të vënë Nicolas Maduros nga Gjermania dhe shtete të tjera të BE-së për zgjedhje të reja presidenciale në Venezuelë, gjithnjë e më shumë vende të BE shprehin mbështetjen e tyre për presidentin e vetëshpallur Juan Guaido si president të përkohshëm. Ai ka "legjitimitetin" për të organizuar zgjedhje të reja presidenciale, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian në Paris. Pas Francës edhe Gjermania e njohu Guaidon si presidentin e përkohshëm të Venezuelës. Zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz e shpalli këtë të hënën në Berlin.

Ndërsa Kancelarja Merkel, e cila ndodhet për vizitë në Tokio, tha të hënën, se "vlen ajo që kemi thënë. Deri dje nuk është shpallur asnjë zgjedhje për president." Prandaj Guaido është personi "me të cilin ne flasim dhe presim që të fillojë sa më shpejt një proces zgjedhor. Ne shpresojmë që ky proces të jetë mundësisht i shkurtër dhe paqësor." Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas (SPD) shprehu keqardhjen që Maduro nuk e plotësoi kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Për Gjermaninë Guaido është tani në pajtim me kushtetutën venezuelane "president i përkohshëm për të organizuar zgjedhje presidenciale të lira, të drejta e demokratike."

Edhe Spanja po ashtu e njohu Guaidon si president të përkohshëm. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez në Madrid tha se Guaido duhet "që sa më shpejt të jetë e mundur të shpallë zgjedhje të reja, sepse populli venezuelan duhet të vendosë vetë për të ardhmen e tij". Edhe Britania e Madhe, Suedia, Danimarka, Austria shprehën zyrtarisht mbështetje për politikanin 35 vjeçar. Kancelari austriak, Sebastian Kurz dërgoi në twitter një mesazh në gjuhën spanjolle.

Maduro: BE mbështet "aleatë të djathtë"

Nicolas Maduro pak para mesnatës, para skadimit të ultimatumit refuzoi edhe njëherë atë, duke theksuar për televizionin spanjoll La Sexta, se nuk do të përulet "me frikë" para "presionit. "Ata përpiqen me ultimatume për të na vënë në darë" tha Maduro dhe paralajmëroi nga "konfrontimi". BE kërkon zgjedhje të reja në Venezuelë, tha ai, sepse në zgjedhjet e fundit nuk fituan "aleatët e tyre të djathtë".

SHBA, BE dhe shumë vende amerikanolatine nuk e njohin fitoren e Maduros në zgjedhjet presidenciale në maj 2018. Opozita i bojkotoi në masë të madhe zgjedhjet. Më 10 janar Maduro, nacionalist i majtë filloi zyrtarisht mandatin si president. Pas ashpërsimit të krizës në vend, presidenti i parlamentit, Guaido më 23 janar e shpalli veten si president të përkohshëm të vendit.

 

 

la/sti/ww/(afp, dpa)