1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania mund të fillojë nga mesi i vitit tërheqjen e trupave nga Kosova

31 Mars 2009

Jung: Parakusht për tërheqjen e trupave të NATO-s nga Kosova do të jetë ndërtimi i strukturave civile.

https://p.dw.com/p/HNPx
Ministri gjerman i mbrojtjes, Franz Josef JungFotografi: picture-alliance/ dpa

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Jozef Jung ka bërë të ditur se Gjermania mund të fillojë nga mesi i vitit me fazën e parë të tërheqjes së trupave nga Kosova. Gjatë një takimi me median huaj të hënën në Berlin ai paralajmëroi që të mos vihet në rrezik siguria e arritur në Kosovë. Në prag të samitit të Nato-s, që zhvillohet këtë fundjavë në kufirin gjermano-francez, ministri gjerman tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një mesazh i drejtë:

Parakusht për tërheqjen e trupave të NATO-s nga Kosova do të jetë ndërtimi i strukturave civile, tha Franz Jozef Jung: "Duhet të kujdesemi që të mos e vëmë në rrezik stabilitetin, që kemi arritur deri tani në Kosovë. Tërheqja e trupave duhet të jetë e arsyeshme. Kjo do të thotë se vetëm kur në Kosovë të jenë ndërtuar strukturat civile, qoftë nga Bashkimi Evropian, qoftë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas përllogaritjeve të mia deri nga mesi i vitit, mund të flasim për një tërheqje me faza të forcave ushtarake. Deri sa të vijë ky moment ne si gjermanë do të përmbushim detyrat, që na janë caktuar në kuadër të NATO-s."

NATO - Albanien
Ndërtesa e parlamentit të ShqipërisëFotografi: Mimoza Dhima

E ardhmja e trupave të NATO-s në Afganistan dhe Ballkan do të jetë një nga temat kryesore të samitit të NATO-s në Kehl të Gjermanisë dhe Strasburg të Francës. Jung vlerësoi pozitivisht faktin që në 60-vjetorin e saj aleancës i shtohen dy anëtarë të rinj, Shqipëria dhe Kroacia: "Duke pasur parasysh thënien e kryeministrit të Shqipërisë se NATO-ja i shndërron armiqtë në miq, mund të them se mesazhi pozitiv, që e ka drejtuar Shqipërinë në NATO, ishte orientimi tek vlerat e përbashkëta. Unë isha në Shqipëri dhe pashë që gjendja e forcave ushtarake është e mirë."

Jung shprehu keqardhjen për përjashtimin e Maqedonisë nga ky proces, por ai e refuzoi idenë e ushtrimit të presionit ndaj një vendi më të vogël, siç është Greqia: "Jam kundër klasifikimit të anëtarëve sipas forcës, apo madhësisë, që kanë. Ne jemi të gjithë anëtarë të NATO-s dhe kemi detyrime dhe të drejta të njëjta. Prandaj edhe duhet të arrijmë që grindja për çështjen e emrit së shpejti të përfundojë, sepse Maqedonia i ka përmbushur parakushtet për anëtarësimin në NATO."

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica