1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Gjermania nuk është zonë luftimesh e Erdoganit"

Richard Fuchs8 Qershor 2016

Në internet ata i kërcënojnë me vdekje. E gjitha kjo kundërshtohet me vendosmëri në Gjermani - dhe është e pakuptueshme.

https://p.dw.com/p/1J28j
Deutschland Cem Özdemir Bündnis 90/Die Grünen
Çem Özdemir, deputeti me origjinë turke i partisë "Të Gjelbërit"Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

Ato që thotë Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan për deputetët e Parlamentit gjerman me origjinë familjare turke kanë shkaktuar zemërim në Gjermani. Erdogani shpalli se deputetët Özan Mutlu (Të Gjerlbërit), Mahmut Özdemir (SPD), Cemile Giousouf (CDU) dhe të tjerë nuk kanë identitet turk. Shkaku: të enjten ata votuan së bashku me shumicën e Bundestagut për një rezolutë, e cila i njeh si gjenocid masakrat ndaj armenëve në Perandorinë Osmane para 100 vjetësh. Veç kësaj, rezoluta pranoi "bashkëfajësinë" e Perandorisë Gjermane për krimet e shtetit pararendës të Turqisë, në të cilat e humbën jetën më shumë se 1,5 milionë armenë.

Meqenëse Erdogani e kundërshton rreptësisht një kategorizim si gjenocid të krimeve të atëhershme, deputetët gjermano-turq të Bundestagut janë kthyer tani në tabelë qitjeje të tërbimit të tij. Erdogani u kërkoi që të bëjnë "një test gjaku". Duhet të kontrollohen për identitetin e tyre turk, bubulliu Erdogan. "Gjaku i tyre është i papastër". Më parë, shumë deputetë patën marrë kërcënime me vdekje.

Komuniteti turk: "E pështirë dhe pa vend"

"Kërcënimet me vdekje dhe testet për gjakun na duken të pështira", i tha kryetari federal i Bashkësisë Turke, Gökay Sofuoglu, agjencisë gjermane të lajmeve dpa. "Mendoj se përkufizimi i njerëzve në bazë të gjakut mori fund në vitin 1945. Kjo është absolutisht pa vend". Më parë, Erdogani i pati quajtur deputetët zëdhënës të Partisë së ndaluar të Kurdistanit, PKK. Ata janë sipas tij "krahu i zgjatur i terroristëve në Gjermani".

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert e komentoi këtë të hënën ftohtë dhe në mënyrë objektive: "Kur parlamentarë gjermanë me rrënjë turke vihen pranë kësaj organizate terroriste, kjo për ne është në çdo pikëpamje e pakuptueshme". Kryetari i Partisë së Gjelbër, Cem Özdemir, i cili si njëri prej inisiatorëve të rezolutës së javës së kaluar ndodhet që prej fundjavës së kaluar nën mbrojtjen e policisë, kërkon një përgjigje të përbashkët. "Në këtë rast unë pres që i gjithë Bundestagu të thotë se ky është vendimi ynë i përbashkët", i tha Özdemir stacionit SWR2. Kolegu i partisë së tij, Özcan Mutlu, i cili gjithashtu ka marrë e-maile me urrejtje dhe kërcënime me vdekje, tha "Unë shqetësohem seriozisht, sepse këtë nivel kërcënimi nuk e kam përjetuar kurrë". Ai shton se do të gjenden "ca të çmendur jashtë kontrollit", që do të dëgjojnë nxitjen e Presidentit të Turqisë dhe do ta kuptojnë atë si urdhër nga lart: "Kështu e kanë humbur jetën shumë njerëz në Turqi."

Poster në internet me legjendën e thikës pas shpine

Veç kësaj, një poster me fotografitë e parlamentarëve u përhap shpejt në internet dhe u klikua me "pëlqej" nga mijëra vetë. Titulli i posterit është "SIRTIMIZDAN VURDULAR", shqip: "Këta (deputetë) na e kanë ngulur thikën pas shpine". Jo rastësisht gjermanëve u kujtohet "legjenda e thikës pas shpine". Me këtë teori komploti, nacionalistët gjermanë e quajtën më 1918 disfatën në Luftën e Parë Botërore jo si pasojë të dobësisë ushtarake, por si pasojë e një "nguljeje thike në shpinë". Socialdemokratët, hebrenjtë në botë dhe "demokratët pa atdhe" e patën dobësuar atëherë Perandorinë Gjermane dhe e patën çuar në fatkeqësi.

Deputetët e Partisë "E Majta" thonë se me thirrjen që deputetët turq të bëjnë një test për gjakun, është kaluar çdo kufi. Sara Wagenknecht dhe Ditmar Bartsch kërkuan që Kancelarja të përgjigjet me një deklaratë qeveritare, në mënyrë që Gjermania të mos kthehet në një "zonë luftimesh për Presidentin turk".