1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania përkujton 60 vjetorin e çlirimit

Anila Shuka, Berlin8 Maj 2005

Ne ndertesen e Rajhstagut u zhvillua ceremonia perkujtimore, nderkohe qe mijera njerez e ndjekin ate nga ekranet e instaluara ne Porten e Brandenburgut ne festen e Demokracise. Presioni i kryeqytetasve beri qe demonstrata e simpatizanteve te Partise Nacionale te Gjermanise NPD, te mos e zhvillonte itinerarin e planifikuar.

https://p.dw.com/p/Ar3u
Mijera njerz ne Porten e Brandenburgut degjojne fjalimin e presidentit Keler
Mijera njerz ne Porten e Brandenburgut degjojne fjalimin e presidentit KelerFotografi: AP

"Nuk na shohin si të mundur dinjitozë, por si një bandë vrasësish, që u kanë hequr maskën." - Këtë pasazh nga ditari i një ushtari gjerman, që më 8 maj të vitit 1945 gjendej në një kamp robrish në Skoci, e komentoi presidenti Horst Koehler ne ceremonine perkujtimore te Bundestagut dhe Keshillit Federal: "Fjalë të rënda, por të sakta. Kështu ishte Gjermania para 60 vjetësh."

Ceremonia e zhvilluar te djelen ne ndertesen e Rajhstagut në Berlin u hap me një pjesë muzikore nga kompozitori hungarez, Bela Bartok, i cili 60 vjet më parë vdiq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ikur nga nazizmi gjerman. Para udhëheqjes politike të vendit, si dhe përfaqësuesve të feve, presidenti i Gjermanisë, në një fjalim që zgjati afro 35 minuta, kujtoi vuajtjet e miliona popujve të Evropës, hebrejve, sinti, romëve, komunistëve dhe homoseksualëve, që lanë kockat e tyre në kampet e përqendrimit, por edhe vuajtjet e ushtarëve gjermanë të deportuar në kampet sovjetike, apo milionave gjermanë të përndjekur nga Evropa lindore.

"Ne e kemi përgjegjësinë që ta mbajmë gjallë kujtimin e kësaj vuajtje dhe shkaqet e saj dhe që të kujdesemi që kjo të mos ndodhë më kurrë. "Këler shkaktoi duartrokitje me një fjali: "Një vijë përmbyllëse nuk ka."

Më parë presidenti i Bundestagut, Volfgang Tierze, në fjalën hapëse, kishte tërhequr vëmendjen, që të mos tabuizohet vuajtja e miliona gjermanëve.

"Vajtimi për viktimat në qytetet gjermane të shkretuara nga bombardimet, për viktimat e përndjekjeve, jo vetëm që është legjitim, por është pjesë përbërse e të gjithë përkujtimit."

Tirze, kristian dhe socialdemokrat i bindur, që rrjedh nga lëvizjet disidente të Gjermanisë Lindore, kujtoi tabuizimin që i ishte bërë kësaj vuajtje në Republikën Demokratike Gjermane. Por kryetari i Bundestagut theksoi, se nuk mund të harrohet që shkaku i kësaj vuajtjeje ishte vetë Gjermania, e cila edhe për këtë shkak në ditët e sotme duhet të luajë një rol aktiv për paqen dhe demokracinë në botë. Ai përshëndeti njerzit e mbledhur në Portën e Brandenburgut ne diten e demokracise:

"Edhe në emër të atyre që po ndihmojnë që as rrugët dhe sheshet tona e as gjuha dhe mendimi ynë të mos lihet në dorë të armiqve të demokracisë, nacionalistëve dhe racistëve."

Fjala ishte për qindra mijëra njerzve që kishin dalë të demonstronin kundër mitingut të simpatizantëve dhe antarëve të Partisë Nacionale të Gjermanisë, NPD. Rreth 3.000 demonstrues u mblodhën pasdite në sheshin e Aleksandrit dhe kujtuan 8. majin, ditën e kapitullimit të Vermahtit dhe protestuan kundër te ashtuquajturit "kultit të fajit".

Të djelën pikat kyçe në qendër të Berlinit ishin bllokuar nga kordonë policësh, që kishin për detyrë të ndanin antinazistët nga radikalët e djathtë, për të shmangur kështu eskalimin e situatës. "Dua të demonstroj, sepse nuk është mirë që NPD-ja ët jetë mu në qendër të Berlinit," thotë një i ri, që mundohet të çajë kordonin e policëve të veshur me helmeta dhe mburoja. Presioni i madh i kryeqytetasve bëri, që aty nga ora 15.45, karvani i demonstruesve të djathë të mos ecte më tej. 20 minuta më vone nga ekranet e instaluara në Portën e Brandenburgut, shiheshin pjesëmarrësit e ceremonisë në Rajhstag, të ngritur në këmbë. Ata po këndonin himnin kombëtar me një krenari më të madhe se 60 vjet më parë.