1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania, treg tërheqës për SHBA

Jens Korte26 Gusht 2005

Dje treguesi i klimës së biznesit, i përgatitur nga instituti ekonomik gjerman ifo i uli shpresat për një përmirësim konjunkturor të ekonomisë gjermane. Megjithatë për kushtet gjermane shumë sipërmarrës janë relativisht optimistë për të ardhmen. Në SHBA po rritet interesimi për Gjermaninë si vend biznesi; edhe revista britanike "The Economist" fliste në numrin e saj të fundit me adhurim për një hov të ri ekonomik në Gjermani. Jens Korte u morr me pyetjen, nëse tani sipërmarrjet amerikane do të investojnë më shumë në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Ar2v
Fabrikë në ndërtim e kompanisë amerikane të prodhimit të chipëve të kompjuterave AMD në Dresden
Fabrikë në ndërtim e kompanisë amerikane të prodhimit të chipëve të kompjuterave AMD në DresdenFotografi: AP

Jo vetëm Elvis Presley, amerikanët në përgjithësi kanë pasur gjithnjë një marrëdhënie të veçantë me Gjermaninë. Por në vitet e fundit imazhi është keqësuar. Për shembull automjetet amerikane konsiderohen ndërkohë më të besueshme sesa Mercedesi dhe një kuotë papunësie mbi 10 për qind është e papërfytyrueshme për amerikanët, të cilët vetë kanë 5 për qind. Megjithatë këtë verë Gjermania po përjeton një përmirësim të rezonancës në SHBA. Nën titullin "Germany's surprising economy" revista ekonomike mjaft e lexuar në SHBA "The Economist" e tregonte shqiponjën gjermane me biceps të fryrë. Robert Bergmann është përfaqësues i industrisë gjermane në Uashington:

"Me siguri do të shohim një rritje të interesimit të SHBA për Gjermaninë si vend biznesi."

Ende kushtet nuk janë të gjitha të shkëlqyera, por Bergmann dallon hapa të mirë:

"Vlerësimi amerikan për Gjermaninë ende nuk ka ndryshuar rrënjësisht, por ka shenja që flasin për një potencial të mirë në Gjermani."

Edhe Joe Quinlan, kryestrateg i Bank of America sheh interesim në rritje në SHBA për Gjermaninë si vend biznesi.

"Përkundër disa paragjykimeve Gjermania është një treg tërheqës për firmat amerikane: me një bazë të shëndoshë dhe pikërisht në fushën e teknologjisë me forca pune të përgatitura mjaft mirë. Unë nga ana ime do të dëshiroja më shumë reforma të orientuara nga rritja ekonomike. Dhe ligji është: sa më shumë rritje ekonomike, aq më shumë investime."

Përveç forcave të kualifikuara të punës në Gjermani Quinlan dallon para së gjithash në shtrirjen gjeografike mundësi të mëdha për rritje ekonomike:

"Në kufi me Gjermaninë shtrihet një lloj Kine e përmasave të vogla, Evropa qendrore. Taksat e ulta për sipërmarrjet në Evropën lindore dhe forcat e kualifikuara të punës në këto vende do t'i çojnë përpara firmat evropiane, pra edhe ato gjermane."

Por çfarë do të thotë ky ndryshim i perceptimit të Gjermanisë në SHBA? A do të investojnë tani më shumë investuesit dhe sipërmarrjet amerikane në Gjermani?

Hans Deppe, shef për Gjermaninë në sipërmarrjen gjigante amerikane për chipet elektronike AMD, tërheq vëmendjen nga investimet e kryera tashmë dhe ka ende shpresa tek Gjermania si vend biznbesi.

"Që prej vitit 1996 AMD ka investuar rreth 3,5 miliardë dollarë në qytetin e Dresdenit. Fabrika e dytë është në ndërtim e sipër dhe deri në fund të vitit 2007 do të ketë kërkuar 2,4 miliardë dollarë investime. Dhe puna nuk merr fund me kaq."

Megjithatë Amerika mëmëdheu i konsumit ka një kërkesë ndaj Gjermanisë: të konsumojë më shumë. Sepse, dhe këtu përputhen mendimet e ekspertëve amerikanë për Gjermaninë, parakusht për një hov ekonomik nuk janë vetëm eksportet në rritje por edhe rritja e kërkesës së brendshme.