1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanisë i duhen më shumë studentë të huaj

8 Shtator 2010

Gjermania është për studentët e huaj ndër vendet më të preferuara në botë. Vetëm Britania e Madhe dhe SHBA-ja janë para saj. Por ekonomia gjermane përfiton pak. Disa nga shkaqet u prezantuan në një studim të OECD-së.

https://p.dw.com/p/P6PD
Nga prezantimi i studimit të OECD: puna (nuk) po shkon mirëFotografi: picture alliance/dpa

Ministrja e Arsimit Annette Schavan dhe udhëheqësi i zyrës së Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në Berlin, Heino von Meyer, ishin të martën (07.09.'10) të një mendimi: të investosh në arsim ia vlen. Por sa i përket angazhimit të Gjermanisë në këtë drejtim, mendimet janë të ndara. Von Meyer pohon se në Gjermani ka shumë pak studentë, sepse vetëm 40 përqind e nxënësve që kanë përfunduar shkollat vazhdojnë studimet. Ndërkohë që mesatarja në 31 vendet e tjera anëtare të OECD-së, është mbi 50 përqind.

Ministrja nuk i trembet të dhënave statistikore

OECD-Studie vorgestellt
Schawan: jemi në rrugën e duhurFotografi: picture alliance/dpa

Ministrja e Arsimit Schavan nuk influencohet shumë nga këto të dhëna të viteve 2007 dhe 2008. Nga mesi i viteve 90-të deri më sot mesatarja e nxënësve që regjistrohen në fakultete është rritur nga 26 në 43 përqind. Fakti që Gjermania është vendi i tretë për nga numri i studentëve të huaj, sipas ministres, paraqet një zhvillim pozitiv.

"Vitet e ardhshme do ta shtojmë këtë përqindje, me qëllim që të lehtësojmë edhe regjistrimin e studentëve të huaj. Në interesin e shoqërisë tonë është që shumë të huaj pas studimeve të mbeten në në vend", pohon ministrja.

Në këtë çështje, ministrja dhe ekspertët kanë mendime të ngjashme. Gjermanisë i mungojnë kuadrot e kualifikuara në disa fusha. Heino von Meyer mbështet angazhimet e qeverisë federale, për uljen e pengesave burokatike për të huajt nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Të huajt një burim i rëndësishëm

"Pikërisht për mbulimin e nevojave për kuadro të kualifikuara, të ardhurit nga vendet e tjera janë një burim shumë i rëndësishëm. Lehtësimet në këtë drejtim duhet të përshëndeten", thotë ai.

Ausländische Studenten - Universität Köln
Studentët e huaj në KölnFotografi: picture-alliance/dpa

Sipas ekspertëve, Gjermania duhet të investojë më shumë në arsim. Aktualisht ajo jep 4,7 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa mesatarja në vendet e tjera të OECD-së është 6,2 përqind.

Ministrja Annette Schavan shpjegon se shteti do të investojë deri më 2013 edhe 12 miliardë euro në këtë fushë. Sipas saj, studentët e huaj luajnë këtu një rol të rëndësishëm. Por Schavan thekson se në tregun e punës ka dhe probleme të tjera.

"Në qoftë se e shtojmë numrin e të kualifikuarve nga 50 në 55 përqind - e kjo tendencë është në rritje - atëherë është e qartë se do të ketë mangësi në fushat e tjera", pohon ajo.

Ministrja e ka fjalën për fuqinë punëtore pa tituj akademikë, si për shembull në shëndetësi. Ajo është e bindur se edhe në të ardhmen do të ketë nevojë për shkollimin universitar dhe shkollat profesionale. Parë nga ana statistikore, papunësia e të rinjve në Gjermani është rreth 10 përqind, ndërsa në vendet e tjera të OECD-së, ajo është dy herë më e lartë.

Autor: Marcel Fürstenau / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani