1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220609 Rotes Kreuz Kosovo

24 Qershor 2009

Edhe dhjetë vjet pas luftës në Kosovë vazhdon të mos dihet akoma për fatin e shumë personave të humbur. Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (IKRK) ndihmon në kërkimin e tyre, por has gjithnjë e më shumë vështirësi.

https://p.dw.com/p/IXzS
Prishtinë, Fotografitë e të zhdukurve.
Gati 2 000 raste të njerëzve që kërkohen gjenden ende të pasqaruara në „librin e të humburve" të kryqit të Kuq Ndërkombëtar.Fotografi: Filip Slavkovic

Para 150 vjetësh, më 24 qershor 1859, tregtari zviceran Henry Dunant u bë dëshmitar i një skene të tmerrshme: pas betejës vendimtare në luftës e Sardenjës, pranë qytetit italian Solferino ai pa torturat dhe dhimbjet e shumë të plagosurve, të mbetur në fushën e betejës. Ai shkroi një libër me përshtypjet e tij. Ky u bë dokumenti i themelimit të Komitetit Ndërkombëtar për përkujdesjen e të plagosurve, me qendër në Gjenevë. Që prej vitit 1876, organizata mban emrin "Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq" (IKRK). Ndër detyrat më të rëndësishme të njërës prej organizatave më të njohura joqeveritare të botës, prej dhjetëra vjetësh është kërkimi i të humburve. Në Kosovë dhjetë vjet pas luftës kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Fëmijë duke luajtur në „Fushë Kosovë".
Para luftës së Kosovës, në Kosovo Polje jetonin 90 përqind serbë. Ndërkohë raportet kanë ndryshuar kryekëput. Vetëm emri ka mbetur „Fushë Kosova" në shqip.Fotografi: AP Photo

Kosova, gjermanisht Amselfeld, është që nga mesjeta një vend i historisë së ndryshueshme. Më 1389 këtu u shpartallua nga osmanët ushtria e princit serb, Llazar. Në këtë disfatë në Amselfeld, buron edhe miti i viktimizimit të kombit serb. Në 600 vjetorin e betejës, në qershor 1989 pushtembajtësi jugosllav Sllobodan Milloseviç, mbajti në shtëpinë e kulturës së qytetit Fushë Kosovë (Kosovo Polje) një fjalim nacionalist plot urrejtje dhe nxiti serbët dhe shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Një uverturë buçitëse e politikës së tij të spastrimeve etnike, për luftërat që do të fillonin së shpejti për një "Serbi të madhe", si rrjedhojë e të cilave Jugosllavia do të shpërbëhej gradualisht.

Para luftës së Kosovës, në Kosovo Polje jetonin 90 përqind serbë. Ndërkohë raportet kanë ndryshuar kryekëput. Vetëm emri ka mbetur „Fushë Kosova" në shqip.

Të afërmit kërkojnë zbardhjen e fatit të të humburve.
Dhjetë vjet më vonë familjarët nuk kanë akoma dijeni për fatin e të afërmve, miqve, komshinjve.Fotografi: AP

Në garazhin e Ahmet Krajcevcit, në Fushë Kosovë nuk ka vend për makina. Ky burrë rreth të pesëdhjetave ka ngritur këtu zyrën e tij. Një tavolinë shkrimi, libra dhe dosje dhe material filmik. Dhe në muret e lira, fotografi të panumërta, që Ahmeti i ka bërë gjatë punës së tij. Janë fotografi varrezash masive, trupash të transformuar në mënyrë mizore. Fotografi familjesh të humbura, të fëmijëve, të ditëve të lumtura dhe ndër ta edhe trupat e tyre të karbonizuar. Më shumë se 20 mijë fotografi, të të ekshumuarve ka Ahmeti në arkivin e tij: „Ky është argumenti për të mos humbur gjurmët e krimit dhe të dihet, të ndriçohet e vërteta."

Me një ekzaktësi precize Ahmed Krajçevci kërkon njerëzit, të cilët që prej luftës së Kosovës vazhdojnë të kërkohen nga të afërmit dhe fqinjët. Gati 2 000 raste të tilla gjenden ende në „librin e të humburve" të kryqit të Kuq Ndërkombëtar, në shërbim të të cilit Ahmet Krajçevci bën kërkimet e tija. Ai e cilëson punon e tij si multietnike, sepse ai kërkon gjithë të humburit. Jo vetëm shqiptarët, por edhe serbët, romët, ashkalitë. Dhe ai tregon për një kolege serbe nga enklava e Gracanicës, e cila është rrahur atje nga serbët, sepse kishte bashkëpunuar me komisionin e tij, për gjetjen e personave të humbur.

Edhe në Fushë Kosovë (Kosovo Polje) pas bombave të para të Nato-s pati krime të rënda lufte, tregon Ahmed Grajçevci: „Unë kam qenë këtu, jam dëshmitar okular i ngjarjes që ka ndodhur këtu. Do të thotë fill pas bombardimeve të NATO-s, këtu janë vrarë njerëzit në shtëpitë e tyre vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë dhe janë djegur diku tridhjetegjashtë trupa, janë djegur nëpër shtëpitë e tyre. Dhe nëse marrim në përgjithësi numrin e të vrarëve dhe të zhdukurve, Fushë Kosova ka gjithsej 169 persona, do të thotë 55 persona janë kthyer nga Batajnica, ku shihen aty, fotografitë atje, të gjithë janë trupa të kthyer nga Batajnica dhe një numër është gjetur nëpër varreza masive në rrethinë të Fushë Kosovës, ndërsa edhe 21 mungojnë në këtë komunë."

Të afërmit kërkojnë zbardhjen e fatit të të humburve.
Edhe dhjetë vjet pas luftës në Kosovë vazhdon të mos dihet akoma për fatin e shumë personave të humbur.Fotografi: AP

Ahmet Krajçevci tregon, se serbët i kishin groposur kufomat fillimisht në afërsi të Fushë Kosovës, i kishin zhvarrosur përsëri dhe i kishin dërguar në Batajnicë pranë Beogradit, për të zhdukur dëshmitë. Deri sot negociohet për kthimin. Bashkëpunimi me autoritetet serbe vazhdon të jetë i vështirë, por edhe ndodh, që pala kosovare bën probleme. Askush, që para dhjetë vjetësh ka luftuar me armë në dorë dhe sot ka një post të rëndësishëm, dhe emër dhe rang në politikë dhe shoqëri nuk do të akuzohet për krimet e atëhershme, shpjegon kosovari: „Ne kemi pengesa gjithëherë kemi kërcënime, por nuk e dimë, se ata herë flasim shqip e herë serbisht e herë gjuhë anglisht e herë. Do të thotë, se ne nuk u frigohemi atyre kërcënimeve, sepse ne i kemi vënë vetes detyrë që të punojmë me ndërgjegje dhe humanitet për këtë çështje. Kuptohet se kjo punë ka rreziqe, por e vërteta pavarësisht rreziqeve duhet të ndriçohet për këdo qoftë, sepse krimi ka vetëm një emër krim. Dhe i kujdoqoftë ai duhet të përgjigjet para drejtësisë, për atë që ka bërë"

Megjithëse ka mjaft dëshmi, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë, thotë Beat Schneider i Kryqit të Kuq Ndërkombëatr në Prishtinë: „Ne do të mbetemi gjithnjë e më shumë në vend. Në vitin 2007 kemi mundur të zgjidhim 150 raste. 2008 vetëm 60. Nqs vazhdon kështu, së shpejti do të jemi në zero raste."

Frika nga akuza prej tribunalit të Hagës i bën shumë doras të heshtin me insistim. Shpesh ata biles i bëjnë presion dëshmitarëve. „Unë shoh edhe se popullsia ka frikë. Shumëkujt i mungon kurajoja për të folur, nqs dinë diçka. Sipas parimit nqs fqinji e ka armën më të madhe se unë do ta mbyll gojën."

Qeveritë e të dyja palëve janë në fakt të obliguara, që të informojnë njëra-tjetrën për varrezat masive. Dhe ata duhet të njoftojnë edhe familjet e viktimave, se çfarë ka ndodhur me familjarët e tyre të humbur. Realiteti është ndryshe. Dhjetë vjet më vonë familjarët nuk kanë akoma dijeni për fatin e të afërmve, miqve, komshinjve: „Është shumë më e thjeshtë të dish, që një pjesëtar i familjes është i vdekur, se sa të mendosh, se ndoshta është diku ende gjallë. Pa ndonjë dëshmi njeriu nuk do ta pranojë se një djalë apo babai, që nuk kthehet, ka vdekur. Kjo është kundër natyrës së njeriut."

Autor : Andrea Mühlberger / Angelina Verbica