1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310511 ICTY Mladic

1 Qershor 2011

Ratko Mladić u transferua në tribunalin për krime lufte në Hagë. Drejtësia serbe hodhi poshtë të martën (31.5.) ankesën e avokatëve të Mladićit kundër ekstradimit të tij.

https://p.dw.com/p/11Rez
Ratko MladićFotografi: AP

Qelia për Ratko Mladićin është gati: 15 metër katrorë, me banjë, dush, televizor. Nga dritarja vjen ajër i pastër deti nga plazhi aty pranë në Detin e Veriut. Dera e qelisë do të qëndrojë shumicën e kohës e hapur. Kështu që Mladić do të ketë mundësi të shkojë në palestër, në dhomën e lutjeve, tek një prift, të cilin do ta zgjedhë vetë, apo në dhomën e përbashkët për të luajtur futboll tavoline (kicker), ndoshta me Radovan Karadžićin, i cili është gjithashtu i burgosur në tribunalin për-Jugosllavinë.

Logo e gjykatës ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë
Logo e gjykatës ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë

"Këtu është si në hotel. Ai jeton shumë, shumë më mirë se viktimat, që jetojnë sot akoma në Srebrenicë në kampet e refugjatëve, apo në Holandë. Për viktimat është me të vërtetë e tmerrshme, ajo që ndodh këtu", thotë Johanne von Wurkom, e cila angazhohet në një organizatë, që mbështet të afërmit e viktimave të Srebrenicës.

Aty u vranë në vitin 1995 rreth 8.000 djem, burra dhe pleq boshnjakë. Ratko Mladić, i cili kishte hyrë me trupat e tij serbe në zonën e mbrojtur nga OKB-ja, ka urdhëruar masakrën. Për këtë ai duhet të përgjigjet tani para tribunalit për Jugosllavinë në Hagë. OKB e krijoi tribunalin në vitin 1993, dy vjet para masakrës së Srebrenicës.

Tribunali për ish-Jugosllavinë e para gjykatë botërore

Nerma Jelacic, zëdhënëse e tribunalit për ish Jugosllavinë
Nerma Jelačić, zëdhënëse e tribunalit për ish-JugosllavinëFotografi: ICTY

"Ishte gjykata e parë me të vërtetë ndërkombëtare, që u ngrit. Njerëzit thonë shpesh, është e dyta pas tribunalit të Nurembergut. Por Nurembergu u krijua me vullnetin e fuqive fituese pas Luftës së Dytë Botërore. Ky Tribunal u krijua me vendimin unanim të shteteve anëtare të OKB-së. Kjo e bën atë gjykatën e parë të vërtetë botërore", thotë Nerma Jelačić, zëdhënëse e tribunalit për ish-Jugosllavinë. Ky institucion nuk duhet ngatërruar me GJykatën Penale Ndërkombëtare, që është e vendosur gjithashtu në Hagë, por që punon që nga viti 2003 për të gjykuar gjenocidin dhe krimet e luftës në gjithë botën. Gjykata për Jugosllavinë ka një mandat të kufizuar në mënyrë rigoroze. Ajo duhet të dënojë vetëm mizoritë e luftërave të Jugosllavisë në fillim të viteve 1990-të. 161 akuza janë ngritur, 126 procese kanë përfunduar.

A do të zgjatet koha e veprimtarisë së gjykatës?

Serge Brammertz, kryeprokuror në gjykatën për ish-Jugosllavinë
Serge Brammertz, kryeprokuror i gjykatës për ish-JugosllavinëFotografi: AP

Procesi kundër Radovan Karadžićit është në vazhdim, ndoshta do të zgjasë deri në vitin 2013. Pastaj gjykata do të duhej të mbyllej shpejt, shpjegon Serge Brammertz, kryeprokuror në gjykatën për Jugosllavinë. "Gjykata është krijuar për një kohë të kufizuar. Gjykata, sidomos në vitet e para, është dashur të merrej me çështjet më të rënda. Në vitin 2004 Këshilli i Sigurimit vendosi për të ashtuquajturën Completion Strategy, që do të thotë, ai ka thënë, se nga viti 2004 nuk duhet të ketë padi të reja dhe gjykata duhet të përpiqet, që një pjesë të proceseve t'ia lërë autoriteteve në ish-Jugosllavi."

Por pas arrestimit të Ratko Mladićit po rinegociohet. Deri në vitin 2016 mund të zgjasë procesi i tij. Dhe në qoftë se ndërkohë kapet edhe Goran Hadžić, i akuzuari i fundit i tribunalit, i cili është ende në arrati, atëherë do të kalonte disi më shumë kohë, derisa tribunali për Jugosllavinë të mbyllej përfundimisht.

Autor: Andreas Reuter/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj