1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Administrative redukton arbitraritetin e shtetit ndaj biznesit

1 Prill 2009

Legjislacioni për ngritjen e këtij institucioni në Shqipëri po konsultohet dhe nga ekspertë të institucioneve ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/HOS9
Justicia - Perëndesha e drejtësisë
Justicia - Perëndesha e drejtësisëFotografi: Illuscope

Shqipëria është vendi i fundit në rajon që nuk ka ende Gjykatën Administrative, që të zgjidhë kryesisht mosmarrëveshjet mes biznesit dhe administratës shtetërore. Ngritja e një institucioni të tillë si pjesë e sistemit të drejtësisë është dhe një nga kushtet, që vendi duhet të plotësojë për anëtarësimin në BE. Një projektligj për ngritjen e këtij institucioni është duke u diskutuar në komisionet e përhershme të parlamënt në Tiranë dhe po mbështetet dhe nga komuniteti i biznesit.

Kontestimi i penaliteteve nga administrata shtetërore

Mungesa e një hallke të veçantë në sistemin e drejtësisë, që zgjidh mosmarrëveshjet mes administratës shtetërore dhe biznesit, është konsideruar si shkak për krijimin e raporteve të vështira mes tyre. Organet e tatim-taksave, doganat etj., në mjaft raste kanë gjobitur kompani, firma a individë. Një pjesë e penalizimeve janë kontestuar e refuzuar, duke ndjekur më pas rrugën gjyqësore. Nga komuniteti i biznesit ka patur iniciativa e propozime që ashtu si në vendet BE-së, apo dhe ato fqinje të ngrihet gjykata administrative, si institucion i specializuar për çështje të tilla.

Parlamenti Shqiptar
Parlamenti ShqiptarFotografi: Mimoza Dhima

Konfederata e Përgjithshme e Industrive, ose siç thirret Konfindustria, që prej më shumë se një viti e gjysëm është në rolin e sensibilizuesit tek autoritetet dhe forcat kryesore politike për hartimin e ligjit përkatës.

Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë, thotë për DW se futja në lojë e gjykatës do të amortizonte mjaft probleme që lindin mes biznesit dhe administratës. Por jo vetëm kaq. Por dhe probleme që ka mes qytetarëve dhe shtetit. "Ajo që e bën dhe më të nevojshëm një strukturë të tillë ishte fakti që gjatë vitit 2007 parlamenti ka miratuar një ligj të posaçëm, i ashtuquajtur ligji i gjobave ku biznesi penalizohej dhe ishte i detyruar që të konsiderohej fajtor, pa u gjykuar nga nje trupë e paanshme dhe profesionale siç kërkojnë rregullat elementare të demokracisë. Konfindustria është pro ekonomisë së formalizuar, por nuk është dakort që penalizimet e biznesit të bëhen nga trupa të varura nga administrate. Nuk është dakort që si rrugë e vetme për biznesin e gjobitur të mbetet gjykata normale, e cila nuk është e specializuar për çështje të tilla," thotë Buxhuku.

Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë
Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë thotë për DW se futja në lojë e gjykatës administrative do të amortizonte mjaft probleme që lindin mes biznesit dhe administratës.Fotografi: DW / Arben Muka

Një proces i gjatë deri në konkretizim

Ligji për Gjykatën Administrative në Shqipëri hyn tek ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar të votave, ose 3/5 e 140 deputetëve që ka gjithsejt parlamenti. Diskutimi dhe miratimi i tij me konsensus të gjërë është vetëm një aspekt, që i hap rrugë një procesi që ka dhe etapa të tjera. Synimi është që vendi të ketë një gjykatë administrative moderne, të ngjashme me atë që kanë vendet e BE-së.

Gjergj Buxhuku nga Konfindustria thotë: "Pas miratimit të ligjit më tej është ngritja fizike e Gjykatës dhe pajisja e tyre me një infrastrukturë të fjalës së fundit info- teknologjike, si dhe përgatitja profesionale e trupave të gjyqtarëve dhe personelit ndihmës, që do të jetë i angazhuar në to. Ju e kuptoni që sado të sofistikuara të jenë ambjentet e gjykatës, kjo nuk është efektive pa faktorin njerëzor të përshtatshëm. Ky është një proces i gjatë që kërkon mbështetje dhe kohë. Fillimi i punës së tyre mund të arrihet në harkun kohor të një viti."

Mbështetës që në fazën e hartimit të ligjit për Gjykatën Administrative janë USAID-i dhe programi i BE-së në fushën e drejtësisë, EURALIUS. Madje përfaqësia e USAID-it në Tiranë do të asistojë dhe procesin e ngritjes konkrete të kësaj gjykate.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama