1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Homoseksualiteti si arsye për azil

Christoph Hasselbach3 Dhjetor 2014

Kush kërkon azil për shkak të homoseksualitetit të tij, duhet t'i përgjigjet pyetjeve shtesë. Por ato kanë kufij, vendosi Gjykata Evropiane. Pyetjet duhet të jenë individuale, të kujdesshme dhe pa paragjykime.

https://p.dw.com/p/1DyPB
Fotografi: picture-alliance/dpa

Parimisht përndjekja për shkak të homoseksualitetit mund të jetë një arsye për kërkim azili në një shtet të BE-së. Pyetja është vetëm: si mund të kontrollojnë autoritetet nëse një azilkërkues pretendon të jetë homoseksual vetëm për t'u pranuar në BE ose nëse aplikimi është i besueshëm?

Vendimi i Gjykatës Evropiane (EuGH) mori shkas nga një rast nga Holanda: tre burra nga Sierra Leone, Uganda dhe Senegali kishin kërkuar atje azil pasi druheshin nga përndjekja në vendet e tyre të origjinës për shkak të orientimit seksual. Autoritetet holandeze i refuzuan kërkesat për azil me argumentimin se orientimi seksual nuk është i besueshëm. Holanda donte të sqaronte në Gjykatën Evropian se cilët janë kufijtë që u vendosen autoriteteve në shqyrtimin e rasteve të tilla.

Nuk duhet të ketë pyetje që cënojnë dinjitetin

Sipas gjykimit kufiri është kapërcyer kur cënohen dinjiteti i azilkërkuesit apo e drejta e tij themelore për sferën private. Shqyrtimi i arsyes së azilit është megjithatë shprehimisht i lejuar. Fjala është se si bëhet shqyrtimi. Marrja në pyetje duhet të jetë individuale, e kujdesshme dhe pa paragjykime, thuhet në vendimin e EuGH. Nëse për shembull një refugjat ngurron të japë hollësi për jetën e tij seksuale, autoriteti përgjegjës nuk duhet për këtë arsye të arrijë në përfundimin se kërkesa për azil është e pabesueshme.

Juristi Klaus-Dieter Sohn nga Qendra për Politikë Evropiane në Freiburg e përmbledh me këto fjalë vendimin: "EuGH i ka kufizuar mundësitë e shqyrtimit me të drejtë, në marrjen e thjeshtë në pyetje dhe thekson se nuk janë të lejuara as pyetje për praktikat seksuale dhe as marrja në pyetje sipas përfytyrimeve stereotipe për homoseksualitetin."

Edhe azilkërkuesit kanë propozuar "prova"

Bernd Mesovic nga organizata në ndihmë të refugjatëve Pro Asyl mendon se në një numër shtetesh të BE-së janë përdorur teste pseudo-mjekësore: "Rasti më eklatant është ai i Çekisë ku janë kryer matje të falusit. Që do të thotë, azilkërkuesve u është treguar material pornografik dhe më pas është parë se në cilin rast ka pasur eksitim." Disa azilkërkues kishin propozuar vetë që autoritetet të pranonin "dëshmi" si regjistrimet video të akteve intime.

Këto EuGH me vendimin e saj i ndalon. Gjykata Evropiane përveçse të tilla "teste" nuk i konsideron detyrimisht si dëshmi, sheh në to edhe një shkelje të dinjitetit njerëzor. Veç kësaj një procedurë e tillë sipas mendimit të gjykatës në të ardhmen mund të çojë në detyrimin për azilkërkuesit për paraqitjen e "provave" të tilla. Për Zyrën Federale gjermane për Migracionin dhe Refugjatët një praktikë e tillë është tabu por edhe "ekpertiza seksual-psikologjike për praninë e një orientimi të veçantë seksual as nuk porositen dhe as nuk kërkohen nga kjo zyrë, pasi vlera domethënëse e tyre është e kontestuar shkencërisht dhe një ekspertizë veç kësaj perceptohet si diskriminuese", thotë Sindy Hoppe nga zyra e shtypit e Zyrës Federale.

Mundësinë e një abuzimi, pra kur azilkërkuesi vetëm hiqet si homoseksual, Bernd Mesovic nga Pro Asyl e përjashton po aq pak sa edhe juristi Klaus-Dieter Sohn. Tek marrja në pyetje thotë Sohn, e rëndësishme është "përshtypja e përgjithshme". Në fund vendimi varet nga bindja individuale që krijon një punonjës i autoritetit apo në rast ankimimesh, ajo e një gjykatësi.

Bundesamt für Migration und Flüchtlinge Symbolbild
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dhe si konstatohet në Gjermani nëse një kërkesë azili është e besueshme? Sindy Hoppe nga Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët pret një "paraqitje bindëse" të azilkërkuesit. "Këtu bën pjesë përshkrimi i plotë i ngjarjeve të sferës së tij personale, veçanërisht e përjetimeve personale. Paraqitja me vërtetësi e një ngjarjeje reale sipas përvojës karakterizohet nga të dhëna konkrete, qartësia dhe hollësi të shumta." E rëndësishme është: çdo rast trajtohet në mënyrë individuale. Pra në Gjermani nuk mjafton t'i referohesh orientimit seksual edhe nëse vjen nga një vend si Irani, ku homoseksualiteti dënohet madje me vdekje. Azilkërkuesi duhet të dëshmojë me besueshmëri edhe "se është përsonalisht të prekur", thotë Hoppe.

Autoritetet nuk duhet të këshillojnë mbajtjen e fshehtësisë

Në Holandë kërkesat për azil të tre burrave ishin refuzuar në shkallë të parë. Autoritetet i patën këshilluar atëherë të mbanin të fshehtë homoseksualitetin në vendet e tyre të origjinës për të mos u përndjekur. Për këtë Gjykata pati shqiptuar një vendim për këtë që në vitin 2013 dhe i pati shpallur të palejueshme rekomandime të tilla. Nga Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët thuhet për këtë mënyrë lapidare: "Nuk ka referime për sjellje diskrete dhe që shmangin rrezikun."

Bernd Mesovic nga Pro Asyl lëvdon në përgjithësi praktikën e shqyrtimit në Gjermani edhe sepse "shoqatat e homoseksualëve bëjnë një punë shumë efektive dhe shumë azilkërkues kërkojnë këshilla pranë tyre". Kjo nuk ka qenë gjithnjë kështu. Deri para pak vitesh homoseksualiteti shihej "si një lloj sëmundjeje shoqërore gjysmë e pranuar dhe në këtë drejtim është bërë shumë." Përplasjet në BE për homoseksualitetin si arsye për azil do të vazhdojnë edhe pas vendimit të Gjykatës Evropiane, parashikon Mesovic, "por vendimi i shqiptuar është një kufizim i qartë".

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,18105996,00.html