1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Thaçit jo Kurtit

Bekim Shehu
29 Maj 2020

Gjykata Kushtetuese konstatoi se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie në Kuvendin e Kosovës nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit. Në këtë mënyrë i hapet rruga krijimit të qeverisë së re të Kosovës.

https://p.dw.com/p/3cwE0
Kosovo Verfassungsgericht in Pristina
Gjykata Kushtetuese në PrishtinëFotografi: DW/B. Shehu

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në aktgjykimin e saj, konstatoi që dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën. Gjykata konstaton se "edhe mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit”. Në këtë mënyrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili u publikua pak orë para mesnate, i hap rrugën krijimit të qeverisë së re të Kosovës.

"Gjykata vendosi që dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 (Shpërndarja e kuvendit) të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të kuvendit ndaj qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, presidenti ka vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2, të Kushtetutës me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja.

Kosovo Straßenszene in Pristina
Fotografi: DW/B. Shehu

Thaçi: Partitë të tregojnë pjekuri politike

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka mirëpritur presidenti i Kosovës Hashim Thaci, i cili ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. "Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese. Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t'i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, thotë presidenti Thaci. Sipas tij, "Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”.

Vetëvendosja: Vendimi sjell revoltë qytetare

Nga ana tjetër vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është mirëpritur nga lëvizja Vetëvendosje. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, këtë vendim e ka quajtur "skandaloz”, ndërsa sipas tij, ky vendim do të shkaktojë "revoltë qytetare”. "Revolta vjen prej pakënaqësisë së natyrshme, që nuk ka me pasë të votohet më në Kosovë dhe tash e tutje krijohet një sistem politik në të cilin nëse nuk e ke fituar 51 % të votave, nuk ke fituar asnjë votë. Gjithçka më pak se 51 % e votave, ia garanton partnerit të koalicionit që të të rrëzojë kur të dojë dhe të bëjë marrëveshje brenda 25 minutave me partitë opozitare”, tha Glauk Konjufca.

Kosovo Regierungsgebäude in Pristina
Ndërtesa qeveritare në KosovëFotografi: DW/B. Shehu

Ambasada e SHBA-së ka kërkuar nga të gjithë që të respektohet vendimi i Gykatës Kushtetuese. "Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.

Qeveria e Kosovës  e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit me kryeministër Albin Kurtin, ku ishte pjesë e  saj edhe LDK, u rrëzua me mocion mosbesimi me 25 mars, mocion ky i iniciuar nga vet LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament po vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja, ndërsa tentimin  për krijimin e një qeverie të re pa partinë fituese në këtë rast Vetëvendosjen po e cilëson antikushtetues.