1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Kushtetuese që pritet të ngrihet do të jetë nën mbikqyrje ndërkombëtare

Intervistën e zhvilloi Bekim Shehu / Prishtinë29 Janar 2009

Në gjysmën e dytë të muajit shkurt, Kosova pritet të ketë Gjykatën e saj Kushtetuese. Kjo gjykatë do të ketë nëntë gjykatër, tre nga të cilët duhet të jenë ndërkombëtarë.

https://p.dw.com/p/GjUz
Festimet për Kushtetutën në Kosovë, 15 qershor 2008
Festimet për Kushtetutën në Kosovë, 15 qershor 2008Fotografi: AP

Në një intervistë për Deutsche Welle-n flet Arsim Bajrami, ministër i Shërbimeve Publike dhe udhëheqës i Komisionit për themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në ditët e para të punës, Gjykata Kushtetuese do të përballet me kërkesën e opozitës në Kosovë, që të shqyrtojë vendimin e Presidentit Fatmir Sejdiu, për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë në vitin 2011.


Deutsche Welle: Zoti Ministër, ju keni qenë një ndër udhëheqësit e Komisionit për themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Si është parapare puna e saj, përbërja, funksionet, mandati ?

Arsim Bajrami: Gjykata Kushtetuese është një institucion i përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që ka për funksion mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Republikën e Kosovës, mbrojtjen e kushtetutshmërisë, që mund të vijnë qoftë nga institucionet, subjektet politike apo nga vetë qytetarët. Në fazën e parë, kjo gjykatë do të ketë përbërje heterogjene, sepse do të ketë nëntë gjyqtarë, tre nga të cilët do të jetë staf ndërkombëtar. Përzgjedhja e gjyqtarëve është përcaktuar me Kushtetutë dhe përfshin një proces ku, votimin do ta bëjë kuvendi i Kosovës, ndërsa miratimin formal Presidenti i Republikës.


Deutsche Welle: Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës do të ketë edhe gjyqtarë ndërkombëtarë, pse?


Arsim Bajrami : Gjatë negociatave në procesin e Vjenës është diskutuar gjatë për themelimin e Gjykatës Kushtetuese. Qysh atëherë është thënë, se në fazën e parë të pavarësisë së Kosovës duhet të ketë një mbikqyrje të pavarësisë. Kjo mbikqyrje mund të bëhet në radhë të parë në Gjykatën Kushtetuese, sepse gjykata mund ta vlerësojë pajtueshmërinë legjislative të Kosovës me pakon e Marti Ahtisarit dhe konventat ndërkombëtare. Për këtë arsye është vendosur që në fazën e parë, të ketë edhe gjyqtarë ndërkombëtarë. Në esencë, Gjykata Kushtetuese do të jetë një institucion i Republikës së Kosovës dhe do të udhëheqet nga një gjykatës vendorë. Unë shpresoj, që edhe gjykatësit ndërkombëtarë t'i nënshtrohen Kushtetutës së Kosovës.


Deutsche Welle: Sa e efektshme mund të jetë Gjykata Kushtetuese dhe vendimet e saj, nëse kemi parasysh faktin, që në Kosovë akoma ekzistojnë dy misione ndërkombëtare, UNMIK-u dhe ai i BE-së. Ka hapësire këtu për përplasje në vendime?


Arsim Bajrami : Në aspektin legal misioni i UNMIK-ut është një mision i përfunduar dhe funksionimi i tij nuk ka kurrfarë baze. Kushtetuta e Kosovës njeh vetëm misionin e BE-së dhe EULEX-in, si struktura kushtetuese të shtetit të Kosovës. Mund të them se këto dy misione kanë disa kompetenca, por nuk kanë kompetenca në rregullimin normativ të çështjeve në Kosovë. Rregullimi normativ dhe kushtetues është çështje e institucioneve kosovare, dhe ai është bërë me kushtetutë dhe legjislacion. Në Kosovë ka përfunduar koha e dualizmit institucional, gjë që ka qenë tipike në kohën e UNMIK-ut. Me miratimin e 40 ligjeve që dalin nga pakoja e Marti Ahtisarit, Kuvendi i Kosovës e ka zëvendësuar UNMIK-un dhe e ka mbushur sistemin juridik me ligje vendore.

Deutsche Welle : Opozita kërkon intepretim në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të presidentit për zgjedhjet, ndërkohë që në këtë vendim është implikuar edhe Shefi i zyrës civile ndërkombëtare Peter Faith, i cili mbështet vendimin e Presidentit, që të mos të ketë zgjedhje sivjet?


Arsim Bajrami: Vendimi për zgjedhjet merret nga institucionet vendore, sepse çështja e zgjedhjeve ka kaluar tashmë në kompetencë të institucioneve kosovare dhe në bazë të Kushtetutës, ky vendim merret nga presidenit i Republikës së Kosovës. Në Kosovë mund të ketë dy lloj zgjedhjesh, zgjedhje të rregullta dhe zgjedhje të jashtëzakonshme. Në Kosovë nuk ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse situata është e qëndrueshme. Opozita ka të drejtë të kërkojë interpretim të vendimit të Presidentit për zgjedhjet, por kjo duhet të bëhet në mënyrë institucionale, dhe jo duke bërë fushatë mediale. Gjykata Kushtetuese në këtë rast duhet të shqyrtojë kërkesën e opozitës, por unë mendoj se ky rast është shumë i lehtë për Gjykatën, sepse nuk kemi të bëjmë me kurrfarë shkeljesh të Kushtetutës.

Deutsche Welle : Opozita ka deklaruar se do ta padisë presidentin në Gjykatën Kushtetuese për vendimin e tij për zgjedhjet. A mund të paditet presidenti në Gjykatën Kushtetuese, apo vetëm mund të kërkohet shqyrtimi i vendimit të tij?

Arsim Bajrami: Presidenti nuk mund të paditet në Gjykatën Kushtetuese, por ai mund të paditet në instanca të tjera, ku nuk gëzon imunitet. Ndaj presidentit mund të ngrihet një procedurë e shqyrtimit eventual të shkeljes së Kushtetutës, që është tipike për shumë Kushtetuta të vendeve demokratike.