1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brender ZDF

30 Nëntor 2009

Pas një debati të ashpër në Berlin këshilli administrativ i Televizionit të Dytë Gjerman, ZDF, e hodhi poshtë zgjatjen e kontratës për kryeredaktorin e ZDF-së, Nikolaus Brender.

https://p.dw.com/p/KkqJ
Kryeredaktori i ZDF-së, Nikolaus Brender.
Nikolaus BrenderFotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania - vendi ku lulëzojnë liria e fjalës dhe e shtypit. Vendi, që ka mësuar nga e kaluara e tij dhe që ka krijuar- ose ia krijuan aleatët pas Luftës së Dytë Botërore - një sistem të radiotelevizioneve publike thuajse unikal në botë. Ky sistem paguhet prej të gjithëve me një taksë të përmuajshme dhe për të vendoset bashkarisht nga të gjithë. Nga populli, për popullin. Kurrë më nuk do të lejohet që radioja dhe televizioni të keqpërdoren për qëllime propagandistike - siç kishte ndodhur në kohën e nacionalsocializmit, u tha. Në organet që mbikqyrin stacionet publike ka përfaqësues të të gjitha grupeve shoqërore - pra edhe nga politika. Kjo herë pas here bëhet problematike.

Fakt është që ne na kanë zili të gjithë për këtë sistem publik mediatik. Por çfarë ndodh tani? Kontrata e kryeredaktorit të ZDF-së nuk zgjatet, sepse atë nuk e duan më politikanë drejtues të CDU-së dhe sepse organi mbikqyrës i ZDF-së votoi kundër tij.

Kjo është një goditje e rëndë për pavarësinë e radiotelevizioneve gjermane. Që të largosh nga posti një gazetar të pavarur, sepse ai nuk i pëlqen më një partie- ky është një sulm ndaj lirisë së medieve në Gjermani. Shoku ka depërtuar thellë, sepse për shumë vetë tani shtrohet pyetja: si qendron vërtet puna me kërkesën që shteti të ruajë distancën, kur një kryeministër i tërbuar është në gjendje të organizojë një fushatë të keqe kundër një gazetari dhe madje edhe ka sukses me këtë punë? Një argumentim për këtë mënyrë veprimi deri tani nuk është dhënë. Sa i lirë është me të vërtetë raportimi i gazetarëve, sa i madh është ndikimi i politikës në radion dhe televizionin e paguar prej të gjithëve ne?

Më i madh se ç'kujtonim deri tani të gjithë ne - rregullisht bëhen përpjekje që të ndikohen vendimet që merren në radiostacione. Do të ishte edhe naive të besosh, që politikanët gjermanë janë më të mirë se të tjerët në lidhje me instinktet e tyre të pushtetit. Kritikët thonë se në shumë radiostacione postet më të rëndësishme jepen shumë shpesh në bazë të përfaqësimit proporcional të partive dhe jo vetëm në bazë të aftësive. Në këtë kuadër duhet thënë se CDU-ja nuk është më e keqe se SPD-ja. Sipas parimit: ju mund të zgjidhni drejtorin e përgjithshëm, dhe ne si kompensim zgjedhim kryeredaktorin.

E gjitha kjo nuk është e mirë dhe të shkakton një ndjenjë që të merr frymën. Por ai që thotë tani se në Gjermani gjendja kërcënon të bëhet si në Rusi ose madje se sistemi i veçantë i radiotelevizionit ndodhet para fundit të tij, ai gabohet. Në fund të fundit ishte po ky sistem i radiotelevizionit, krahas shumë gazetave, në të cilin u artikulua me zë të lartë mënyra e veprimit të CDU-së në rastin e kryeredaktorit të ZDF-së. Në shumicën e vendeve të tjera, edhe në vende demokratike, një histori e tillë do të qe negociuar pas dyerve të mbyllura, opinioni publik nuk do të kishte mësuar gjë.

Ndoshta ne po ndahemi tani në Gjermani nga përfytyrimi, se gazetaria dhe politika janë botë të ndara në mënyrë të pastër nga njëra-tjetra. Ajo prej së cilës ne nuk po ndahemi, është siguria, se sistemi ynë i radiotelevizioneve, megjithë kritikat e justifikuara, vazhdon të jetë model.

Autor: Ramon Garcia- Siemsen
Redaktor: Pandeli Pani