1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Goditje për Peshmergan

Birgitt Svenson/ Auron Dodi11 Gusht 2014

Peshmerga kundërshton marshimin e milicëve islamikë të IS në Irak. Por tani ajo po tërhiqet. Reporterja e DW, Birgit Svensson shoqëroi një kompani të të ashtuquajturve milicë kurdë.

https://p.dw.com/p/1Cs7H
Luftetare te Peshmerges ne Irak
Fotografi: AFP/Getty Images

Abdullahu komandon një kompani të vogël prej 60 luftëtarësh dhe sa po kthehet nga diga e Mosulit, ku ai dhe luftëtarët e tij luftuan për 15 ditë kundër trupës terroriste islamike IS. Luftëtari i vjetër me tipare të fytyrës të djegura nga dielli është i lodhur, i rraskapitur dhe i deprimuar. Vërtet që ai dhe njerëzit e tij e ripushtuan digën e Mosulit, por kjo situatë prej ditësh ndryshon- herë në njërin drejtim, herë në tjetrin. Diga e Mosulit dhe shluzat e saj janë një element me rëndësi strategjike për Kalifatin, të cilin kërkon ta ngrejë në Irak dhe në Siri IS. Uji është për këtë i pazëvendësueshëm. Lufta për ujin zhvillohet në Irak njësoj e ashpër sa lufta për naftën.

IS kontrollon tashmë provincën Anbar në veriperëndim të Bagdadit dhe me këtë edhe ujin e Eufratit. Nëse ata e vendosin nën kontrollin e tyre edhe ujin e lumit Tigër, atëherë i gjithë furnizimi me ujë i Irakut do të varej prej tyre. Ata do të vendosnin për thatësirë apo përmbytje, për eliksirin e jetës të 33 milionë vetëve."Këtë nuk mund ta lejojmë", thotë majori Abdullah.

"Këta nuk janë njerëz"

Të mërkurën në mbrëmje nisi vala e dytë e sulmit të xhihadistëve në drejtim të Erbil, kryeqytetit të rajonit autonom kurd të Irakut dhe në drejtim të Dohukut. Më parë, burrat me mjekër patën sulmuar duke ardhur që nga Siria qytetin e Jesidëve, Sinxhar. Objektivi i tyre i qartë: në të gjithë rajonin midis kufirit sirian dhe zonave kurde të autonomisë duhet të valojë flamuri i Kalifatit. Për këtë ata bombardojnë fshatra e qytete të krishtera, jezide, turkmene, por edhe fshatra e qytete kurde, u vënë flakën kishave dhe varreve, plaçkitin shtëpi dhe dyqane të të krishterëve dhe jezidëve e vrasin këdo që u pret rrugën. Qindra mijëra vetë kërkojnë tani strehim në Erbil, Dohuk dhe në malet e Kurdistanit.

"Këta nuk janë njerëz", e karakterizon majori Abdullah trupën vrastare. Synimi i tyre është që të vdesin për Xhihadin, "kurse ne duam të ruajmë jetën". Të premten pastaj Peshmerga u tërhoq - me pamje të nënshtruar, të deziluzionuar, të dekurajuar. Tilkefi, Bashiqa, Hamdanija, Bartilla dhe Karakoshi kanë rënë në duart e kundërshtarëve. Organizata terroriste është afruar 40 km larg Erbilit dhe ndodhet 50 km larg Dohukut. Qeveria rajonale kurde flet për 150 të vrarë dhe 500 luftëtarë të plagosur.

Peshmerga është fjala kurde për luftëtarët e lirisë kurdë të Irakut dhe do të thotë "ta shohësh vdekjen në sy". Janë njësitë e armatosura të partive kurde KDP(Partia Demokratike e Kurdistanit) dhe PUK (Bashkimi Patriotik i Kurdistanit). Rrënjët historike Peshmerga i ka që në kohën e kolapsit të Perandorisë Osmane, e cila sundoi në rajonet kurde der në vitet 1920.

Gëzim për vendimin e Obamas

Kur presidenti Obama shpall mbështetjen e tij në luftë për kurdët kundër IS dhe urdhëron sulme ajrore, në Dohuk shpërthen gëzimi. "Falemnderit, Obama", thërrasin njerëzit."Përpara, Peshmerga" dhe "Jashtë arabët".