1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Goditje të pandërprera dhe terror psikologjik

Bettina Marx30 Qershor 2006

Nga veriu i Rripit të Gazës njoftohet se veçanërisht e rëndë është ndërprerja e furnizimit me energji për rreth 600.000 vetë prej shkatërrimit të gjashtë transformatorëve në centralin Nuseirat.

https://p.dw.com/p/ArL8
Ushtria izraelite pranë Gazës
Ushtria izraelite pranë GazësFotografi: AP

Komisioni Evropian ka paralajmëruar për rrezikun e keqësimit të dukshëm të gjendjes humanitare në Rripin e Gazës si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite. Veçanërisht e rëndë është ndërprerja e furnizimit me energji për rreth 600.000 vetë prej shkatërrimit të gjashtë transformatorëve në centralin Nuseirat, tha dje komisioneri evropian përgjegjës për ndihmën humanitare Louis Michel. Për të ndihmuar duhet garantuar një nivel minimal sigurie dhe hyrja e organizatave të ndihmave tha ai.

Beit Hanoun është një qytet i vogël në veri të Rripit të Gazës. Ai shtrihet në kufi me Izraelin. Aq pranë saqë palestinezëve militantë u pëlqen të lëshojnë prej andej raketa Kasam drejt Izraelit. Tani qëndrojnë trupa izraelite në afërsi. Gjithë ditën ato e godasin qytetin dhe rrethinat me granata. Zhurma dëgjohet nga larg.

Por rrugët e Beit Hanounit janë të qeta. Thuajse nuk ka më benzinë, prandaj nuk të sheh më syri shumë automjete. Nuk ka më as rrymë qëkurse izraelitët i vunë zjarrin centralit elektrik të Gazës. Dhe në rrugën e pazarit tregtarët presin më kot për klientë.

"Sot kishte vetëm dy klientë. Njerëzit s'kanë më para..." ... thotë UM Muhammad, e cila shet me të ëmën pas tezgave domate dhe xukini. Një kile domate kushton një shekel e gjysmë, rreth 25 cent, por edhe për kaq nuk kanë më para njerëzit. Si shumica e banorëve të Gazës, dy gratë shpresojnë që ushtari i rrëmbyer izraelit që izraelitët duan ta lirojnë me aksionin ushtarak të këmbehet me të burgosur palestinezë.

"Ta mbajnë dhe të mos tregojnë se ku është! Ta mbajnë për aq kohë sa të lirohen të gjithë të burgosurit tanë..." ... thërrasin ato dhe korrin duartrokitjet e të pranishmëve. Njëra nga dy gratë shton:

"E bëjnë gjithë këtë teatër vetëm për një ushtar! Djali im ka katër vjet në burg. As që mund ta shoh dhe kur e shoh vetëm pas xhamave dhe në pranga. Ku janë Kombet e Bashkuara?! Ku është bashkësia ndërkombëtare?! Ne nuk dalim që këtej. Ta shohin në ëndërr izraelitët."

Ushtria izraelite ka hedhur fletë-volante mbi Beit Hanoun dhe mbi vendbanimin fqinj Beit Lahya, ku u kërkon banorëve të largohen nga shtëpitë e tyre. Kryetari i bashkisë Mohammad Nazek El Kafarna i Hamasit është i revoltuar: "Kjo nuk është realiste. Shumica e njerëzve këtu nuk kanë as para për të ngrënë. Ku të shkojnë? Të marrin shtëpi me qira? Edhe sikur të donin, nuk bëhet. Përveç kësaj njerëzit janë besimtar dhe të bindur se nuk duhet të largohen, përndryshe ndoshta nuk u lejohet të kthehen."

Vërtet njerëzit në Beit Hanoun as që mendojnë të mbledhin plaçkat. Pak më parë radioja izraelite kishte njoftuar se qindra banorë të Beit Hanounit gjendeshin në arrati.