1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia dënon njohjen e pavarësisë së Osetisë Jugore dhe Abkazisë

Niko Anagnosti/ Athinë27 Gusht 2008

Rusia në deklaratë nuk përmendet asnjëherë me emër. Një ekuilibër mbi litar, i një vendi me identitet perendimor, por edhe me interesa të mëdha energjitike me Moskën.

https://p.dw.com/p/F5f6
Kushner, Bakojani dhe Rajs në takimin e NATOS, 19 gusht 2008
Kushner, Bakojani dhe Rajs në takimin e NATOS, 19 gusht 2008Fotografi: AP

Me një deklaratë të mbrëmshme me shkrim, të ministres së jashtme Dora Bakojani, Greqia reagoi zyrtarisht ndaj vendimit të Moskës për njohjen e pavarësisë së dy provincave të Osetisë Jugore dhe Abkazisë, të shkëputura nga Gjeorgjia.

"Shprehim keqardhjen tonë për zhvillimet e sotme dhe bashkërendohemi me deklaratën e presidencës frenceze, duke dënuar vendimin e njohjes së zonave të shkëputura të Osetisë Jugore dhe Abkazisë nga Gjeorgjia",

thuhet në paragrafin e fundit të deklaratës, pasi në katër paragrafet e mëparshme të saj i mëshohet përkushtimit të Athinës në politikën parimore të "respektimit të pavarësisë dhe integritetit territorial të shteteve", të "zbatuar me rigorozitet në një sërë çështjesh" prej saj dhe për rrjedhojë "që në momentet e para të krizës" në Gjeorgji.

Kjo përkujtesë me aludimin e qartë për Kosovën, që nuk e ka njohur akoma, e bën qëndrimin e Athinës më të përmbajtur se të partnerëve të tjerë evropianë dhe bile të ekuilibruar ndaj Rusisë, që jo rastësisht nuk përmendet asnjëherë me emër dhe si autorja e aktit të dënueshëm diplomatik. Është më se e qartë se qëndrimi i Athinës, siç theksohet dhe nga analistët, i ngjan një ekuilibri mbi litar, të një vendi me identitet perendimor, por edhe me interesa të mëdha energjitike me Moskën.

Nuk është e rastit që gjatë gjithë këtij muaji të krizës në Kaukaz Athina nga njëra anë dërgonte ndihma humanitare në Gjeorgji dhe nga ana tjetër i shmangej çdo deklarate kompromentuese me Moskën, duke u mjaftuar me përkrahjen e plotë të "planit Sarkozi prej gjashtë pikash". Në asnjë rast Athina muk dëshiron të prishë klimën e marrëdhënieve të saj të ngushta ekonomike me Moskën, së cilës i dedikon edhe materializmin e ambicjeve të saj për rol kyç në rrejetet energjitike Lindje –Perendim. Pasnesër fillon diskutimi për ratifikimin e marrëveshjes së naftësjellësit South Stream nga parlamenti grek, që jo rastësisht Moska e dërgoi para disa ditësh si për t'i kujtuar partnerit të saj avantazhet e bashkëpunimit, por edhe obligimet ndaj tij. Naftësjellësi në fjalë ashtu si edhe ai i naftësjellësit Burgas-Aleksandrupoli, që brenda vitit do të fillojë nga ndërtimi, kishin shkaktuar iritimin e Uashingtonit që paralajmëronte për rrezikun e vartësisë nga monopoli rus.