1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia edhe Italia me qëndrim të njëjtë ndaj Kosovës

Niko Anagnosti20 Mars 2007

Dy vendet fqinj, Greqia edhe Italia, me interesa edhe influencë në rajonin e Ballkanit por edhe aktive deri në finishin e statusit të Kosovës, veçanërisht e dyta me cilësinë e saj si anëtare e Grupit të Kontaktit, dalin me të njëjtin qëndrim për zgjidhjen qe pritet nga Këshilli i Sigurimit

https://p.dw.com/p/ArXX
Ministrja e jashtme e Greqisë, Dora Bakogianni
Ministrja e jashtme e Greqisë, Dora BakogianniFotografi: Botschaft Griechenland

Bashkërendimi i plotë Athinë-Romë, në kuadrin më të gjerë të kursit evropian për një qëndrim unik si një kusht i domosdoshëm edhe për rolin parësor që i rezervohet Brukselit në Kosovën e pas-statusit, u shpreh edhe në takimin e dy shefave të diplomacisë D’ Alema-Bakojani. “Përmes angazhimit evropian, që do të lehtësojë dialogun midis dy palëve, pra midis Serbisë edhe Kosovës, të arrijmë në një zgjidhje, që nuk do të përbej poshtërim për asnjerën palë dhe nuk do të krijojë vështirësi të reja në Ballkan”, tha D’Alema duke renditur Ballkanin të parin në axhendën e bisedime me homologen e tij greke.

Në këtë kuadër përsa i përket zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës “synojmë në një zgjidhje të qëndrueshme që do të përforcojë sigurinë rajonale dhe stabilitetin dhe përmes sëcilës do të mund të jetojnë të dyja palët e interesuara drejtpërsedrejti” tha zonja Bakojani pa terminologjinë e kohëve të fundit, siç vërejnë analistët, për një “konsesus paraprak” dhe “mundësinë e një dialogimi të ri midis Prishtinës dhe Beogradit”.

I paramenduar ose jo bashkërendimi në fjalë pritet që të bëjë më të vëmendshëm Uashingtonin ndaj fqinjëve evropianë më të afërt të Ballkanit, ne takimet që sekretarja amerikane e shtetit, Condoleeza Rice, do të ketë në rezidencën e saj, me dy ditë diferencë, sot me ministrin italian D’ Alema dhe të Enjten me ministren greke Bakojani ku siç thuhet Kosova do të jetë nga temat kryesore për diskutim. Bakojani pritet të kërkojë mirëkuptim për shqetësimin e Athinës nga një riciklim i mundshëm i dhunës në rajon por kursesi te diferencohet nga qëndrimi evropian për Kosovën, që do të kompromentonte më tepër diplomacinë greke në sytë e Uashingtonit për qëndrim prorus. Aq më tepër që me qëndrimin e saj të njohur proamerikan, siç u duk edhe me deklaratat e saj pro instalimit të raketave amerikane në Poloni edhe Çeki, që shkaktoi iritimin e Moskës, një nga misionet e turneut të saj 10 ditor në Amerikë është që të kalojë imazhin e një aleati besnik dhe të rifitojë besimin e Uashingtonit, i cili sheh me skepticizëm thellimin e bashkëpunimit greko-rus që favorizon Moskën në “lojën e saj energjitike” në Ballkan dhe më gjerë.