1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

161009 Rumänien Krise

16 Tetor 2009

Presidenti Basescu emëroi ekspertin e financave Lucian Croitoru si mandatar të qeverisë së ardhshme. Por duket gati e pabesueshme që Parlamenti ta miratojë. Opozita propozoi rumunin me prejardhje gjermane Klaus Johannis

https://p.dw.com/p/K88S
Bukuresht, Sheshi PreseiFotografi: DW

Në botën financiare ai mbase gëzon një autoritet të lartë, por në politikën e brendshme të Rumanisë nuk ka gati kurrfarë shansesh: Lucian Croitoru, këshilltar i guvernatorit të Bankës Qendrore, është emëruar prej Presidentit Traian Basescu si mandatar për krijimin e qeverisë së re.

Croitoru ka sipas kushtetutës 10 ditë kohë për të krijuar kabinetin e ri qeveritar, të cilin duhet ta miratojë parlamenti.

Mirëpo në parlament ai do të ketë mbase mbështetjen e vetëm një partie, demokratëve liberalë të ish-kreyministrit të rrëzuar të marten (13.10.), Emil Boc. Partitë e tjera janë kundër sjelljes së Presidentit Basescu. Shefi i neoliberalëve, Crin Antonescu, paralajmëroi se do të kërkojë mendimin edhe të Gjykatës Kushtetuese, sepse Basescu po e injoron shumicën parlamentare.

Rumänien Präsident Traian Basescu
Presidenti i Rumanisë, Traian Basescu.Fotografi: - Autor Sorin Lupsa / Administratia prezidentiala

"Vazhdimi i krizës politike mund të shkaktojë dëme të mëdha për ekonominë e Rumanisë. Për këtë fajin dhe përgjegjësinë e ka Presidenti aktual.“

Opozita, që ka siguruar 65% të votave në parlament, ka një kandidat tjetër.

Prej daljes së socialdemokratëve nga qeveria para dy javësh, opozita i ka siguruar mbi 65 përqind të votave në parlament. Opozita ka propozuar të mërkurën (14.10.) kandidatin e saj për kryeministër, rumunin me prejardhje gjermane, kryetarin e bashkisë së qytetit Hermannstadt, në rumanisht Sibiu, Klaus Johannis.

Ishte kjo një befasi, por jo edhe sipas shijes së Presidentit. Basescu refuzoi këtë propozim. Sipas tij tani duhet krijuar një qeveri e unitetit kombëtar, pa marrë parasysh se çfarë do të thotë kjo. Basescu hodhi poshtë kritikat e opozitës.

"Partitë politike janë ato, të cilat kanë krijuar krizën e panevojshme politike. Apeloj për përgjegjësi: Rumania ka nevojë urgjente për një qeveri legjitime, që mund të përqendrohet në punë."

Hermannstadt, europäische Kulturhauptstadt 2007
Qyteti Sibiu, apo Hermannstadt në RumaniFotografi: picture-alliance/dpa

Kandidati i opozitës, Klaus Johannis, është kryetar i Forumit demokratik të gjermanëve në Rumani dhe prej nëntë vitesh si kryetar bashkie ka krijuar një imazh të mirë në botën e jashtme. Gjatë mandatit të tij qyteti është bërë një prej më atraktivëve në rajon. 2007 Hermannstadti ishte kryeqytet kultutor i Evropës. Por Klaus Johannis nuk e ka mbështetjen e Presidentit për postin e kryeministrit.

Ndërkohë që politikanët grinden mes tyre, po thellohet edhe kriza ekonomike dhe financiare: FMN-ja po heziton që Rumanisë t'i paguajë ndihma në vlerë miliardash, para se të zgjidhet qeveria e re.

Autor: Jörg Pass/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica