1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grip shpendësh në Greqi

Niko Anagnosti18 Tetor 2005

Infeksioni evidentohet në një pulari shtëpiake në ishullin Hios

https://p.dw.com/p/AqiG
Nga frika e gripit, pulat i mbajnë mbyllur në kotec
Nga frika e gripit, pulat i mbajnë mbyllur në kotecFotografi: AP

Pas Rumanisë edhe Turqisë i erdhi radha edhe Greqisë që të jetojë me makthin e virusit të shpendëve të shfaqur brenda kufijve të saj. Infeksioni u evidentua në ishullin Hios të Egjeut verior në një pulari shtepiake, pas denoncimit të vetë pronarit të saj për ngordhjen e 10 prej 20 gjelave të detit.

Analizat e qendrës së posaçme laboratorike të Selanikut dëshmuan prezencën e virusit të gripit, që pritet tani të shihet në se është i tipit H5, vdekjeprurës pra dhe i aftë të shndërohet në një panepidemi. Për këtë, me kërkesë të Komisionit Evropian u dërguan mostra për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorin Uemblei të Britanisë së Madhe. Në një rast të tillë do të aktivizohet edhe plani i posaçëm me emrin e koduar “Perseu”, për të cilin qeveria thotë se është plotësisht e gatshme. Ndërkohë ministri i Bujqësisë, Evangjellos Bashakos, shpalli një paketë të gjerë masash që konsistojnë në një karantinë të vërtetë për ishullin edhe pse autoritetet vendase thonë se vetem importojnë dhe nuk eksportojnë asnjë pulë:

“Vëzhgim i zonës ku rriten shpendet, izolim i tyre, ndalim i hyrjes dhe daljes së automjeteve që transportojnë produkte mishi, koncentrate ushqimore dhe mbeturina të kafshëve” janë disa nga masat e shpallura nga ministri që plotësohen dhe nga karantina mjekësore për pjesëtarët e familjes, të cilët për siguri do të mbahen në spital për 7 ditë të paktën –aq sa duhet të dalin edhe rezultatet përfundimtare në lidhje me llojin e virusit.

Rasti i Hios tregoi se qymezët shtepiake janë rreziku më i madh potencial për shfaqjen e virusit të shpendëve, që ndoshta nuk do të ndodhte në qoftë se nuk do të nenglizhohej dhe do të zbatohej edhe në Greqi, si në vendet e tjera anëtare të BE-së, një udhëzim komunitar që prej disa muajsh për izolimin e tyre të plotë ndaj zogjve shtegtarë. Sa për komplekset e ndryshme të shpendeve, produkte të të cilave mbërrijnë në një masë të konsiderueshme edhe në Shqipëri, veçanërisht nga ato të Janinës, sipas qeverisë masat janë bërë drakoniane.

Paralelisht autoritetet bëjnë kujdes që të mos krijohet panik, duke theksuar se deri tani virusi nuk ka kaluar te njeriu, gjë për të cilën specialistët japin propabilitet të vogël. Asnjë ndërkohë nuk mund t’a përjashtojë rrezikun e një epidemie, siç bëri edhe ministri i Shëndetësisë paralelisht me apelin e tij për përgjegjësi nga specialistët por edhe vetëpërmbajtje nga masa e popullsisë që dyndet nëpër farmaci për vaksinën e zakonshme të gripit. Ministria në këto kushte, e cila porositi 220.000 vaksina shtesë, vendosi që vaksina të bëhet me rekomandim të mjekut dhe nga fëmijtë të vaksinohen vetëm ata të moshës deri në dy vjeç.

“Jo panik, por as rënie në qetësi” është motoja e qeverisë, me të cilën vendosi këto ditë që të ftojë në fillim të nëntorit në Athinë edhe ministrat e Shëndetësisë të vendeve ballkanike dhe atyre të Detit të Zi. Objekti i tij do të jetë bashkërendimi të gjitha vendeve në një front të përbashkët kundër një epidemie eventuale të gripit të shpendëve.