1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gruevski me kritika ndaj Brukseli

Fatos Musliu / Shkup 6 Nëntor 2008

Viti 2008 do të shënohet si një vit i dështuar i Maqedonisë në rrugën e saj drejt integrimeve në NATO dhe Bashkimin Evropian.

https://p.dw.com/p/FodU
Olli Rehn në Shkup
Olli Rehn në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Edhe pse qytetarët maqedonas kanë pritur që viti 2008 të jetë historik për Maqedoninë sa u përket proceseve eurointegruese, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi raporti i progresit i Komisionit Evropian për Maqedoninë është një fiasko për politikën vendimmarrëse të Shkupit.

Maqedonia ka dështuar në plotësimin e kritereve politike

Komisioni Evropian në mënyrë taksative ka nënvizuar dështimet e Maqedonisë në plotësimin e kritereve politike ku në mënyrë të veçantë theksohen zgjedhjet e parakohëshme paralamentare dhe mungesa e dialogut politik.

Kryeministri Nikolla Gruevski thotë se ende nuk e ka studiuar raportin: "Me siguri raporti është real, por unë nuk e kam lexuar deri në fund. Pasi ta analizojmë do të japim vlerësimin tonë përfundimtar.”

Nuk ka reagim nga Brukseli per kërcnimet e Athinës

Gruevski për herë të parë në praninë e ambasadorit të BE-së, Ervan Fuere, ka drejtuar kritika në adresë të Brukselit për faktin që BE-ja nuk ka reagim ndaj politikës greke për Maqedoninë.

“Ne na çinkurajon veçanërisht fakti se Greqia e kushtëzon anëtarësimin e vendit në BE me zgjidhjen e çështjes së emrit, ndërsa zyrtarët e BE-së nuk reagojnë për këtë kërcënim,” - vlerëson kryeministri Nikolla Gruevski.

Opozita maqedonase thotë se çështja e emrit është një alibi e kabinetit Greuevski për raportin negativ të Komisionit Evropian.

“Tre vjet me radhë qeveria Gruevski merr përgjigje negative nga Brukseli. Komisioni Evropian vlerëson se nuk janë realizuar obligimet. Qeveria e Shkupit me kokëfortësi thotë se ka përmbushur mbi 90% të obligimeve. Kush thotë të vërtetën?” - pyet Radmilla Sheqerinska nga opozita maqedonase.

Ekspertë vendas sygjerojnë që qeveria me seriozitet t'i pranojë vërejtjet e Brukselit dhe të mos humbasë kohë në gjetjen e fajtorit për vlerësimin negativ të Komisionit Evropian.