1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gyl dështon në raundin e parë të zgjedhjes së presidentit në Turqi

Ulrich Pik27 Prill 2007

Të premten (27.04) në parlamentin e Turqisë u zhvillua raundi i parë i zgjedhjes së presidentit. Ministri i jashtëm Abdullah Gyl dështoi, ndonëse ai ishte i vetmi kandidat, pasi nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme të dy të tretave. Pas bojktit të opozitës sipas të gjitha gjasave do të jetë gjykata kushtetuese ajo që do të vendosë për procedurën e mëtejshme.

https://p.dw.com/p/AqmN
Ministri i jashtëm i Turqisë, Abdullah Gyl, kandidat për president
Ministri i jashtëm i Turqisë, Abdullah Gyl, kandidat për presidentFotografi: AP

Një president i ri? Apo zgjedhje të reja? - këto pyetje shtronte në numrin e së premtes në faqen e parë të saj gazeta në gjuhën angleze "Turkish Daily News" duke përshkruar kësisoj në mënyrë konçize krizën turke për zgjedhjen e presidentit. Kriza është shkaktuar pasi qeveria dhe opozita në parlamentin turk janë acaruar keq. Në fakt ministri i jashtëm Abdullah Gyl si i vetmi kandidat i partisë islamiko-konservatore në pushtet, AKP, mund të zgjidhet më së voni në një raund të tretë, sepse në raundet pasuese nuk është më e nevojshme shumica e dy të tretave, por vetëm shumica absolute, gjë që e ka partia AKP. Por përderisa opozita, e në radhë të parë, partia socialdemokrate, nuk do të pranojë një president me orientim fetar, ajo nuk është paraqitur në votim me përjashtim të vetëm pak deputetëve, duke shpresuar që ta pengojë zgjedhjen e Gylit. Argumenti i kësaj partie, sipas nënkryetarit Kemal Anadol, është që të paktën dy të tretat e deputetëve, pra 367, duhet të jenë të pranishëm, në rast të kundërt zgjedhja konsiderohet e pavlefshme. "Kjo seancë mund të hapet vetëm, nëse verifikohet që në të janë të pranishëm 367 deputetë. Nëse nuk mund të përcaktohet me sy që janë 367 apo 184 deputetë të pranishëm, atëherë të nderuar kolegë, kjo është antikushtetuese. Ndaj e gjitha kjo është e pavlefshme dhe përgjegjësia nuk mund t´i ngarkohet partisë socialdemokrate. Kuptohet, që nësë injorohen udhëzimet tona, ne do t´i drejtohemi gjykatës kushtetuese."

Pra ndodhi ajo që duhej të ndodhte. Presidenti i parlamentit, Bylent Arinç, i partisë AKP, hapi seancën pa hetuar saktë numrin e deputetëve dhe lejoi votimin, ndërkohë që paralelisht me këtë kryesia e partisë socialdemokrate dorëzoi ankesën në gjykatën kushtetuese. Pak më vonë presidenti i parlamentit shpalli rezultatin: "Për Abdullah Gyl 357, të pavlefshme 3, vota bosh 1, gjithsej 361 vota."

Si rjedhojë ministri i jashtëm mori 4 vota më shumë nga sa ka mandate farksioni i tij parlamentar, por ai nuk morri ashtu siç pritej qysh në raundin e parë shumicën e nevojshme të dy të tretave. Mbetet e hapur nëse procedura do të vazhdojë deri në raundin e tretë, gjatë të cilit normalisht pa pengesë mund të merret shumica absolute. Më parë duhet që gjykata kushtetuese të shpallë gjykimin nëse është i rregullt ose jo raundi i parë. Nëse votimi, ashtu siç shpreson opozita, do të jetë antikushtetues, atëherë sa më shpejt të jetë e mundur duhet të zhvillohen zgjedhje të reja. Të dyja çështjet mbeten të hapura: pra president i ri, apo zgjedhje të reja?