1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haga: Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare

22 Korrik 2010

Vazhdon leximi i gjykimit të pavarësisë së Kosovës në Hagë

https://p.dw.com/p/ORjq
Haga mbështet pavarësinë e Kosovës
Haga mbështet pavarësinë e KosovësFotografi: AP

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në leximin e opinionit këshilldhënës mbi pavarësinë e Kosovës, vëren se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Ky opinion hap rrugën për njohje të reja ndërkombëtare të Kosovës.

Presidenti i GJND-së, Hisashi Owada më parë tha se "Gjykata konsideron se ka të drejtën të japë një opinion këshilldhënës mbi kërkesën e bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara", duke shtuar "se nuk ka argumenta të detyrueshme për Gjykatën të refuzojë ushtrimin e juridiksionit për kërkesën aktuale".

Më parë Serbia kishte paralajmëruar për rrezikun e një opinioni në favor të Prishtinës. Agjencia serbe e lajmeve Tanjug citon ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç të ketë thënë se "asnjë kufi në botë dhë në rajon nuk do të ishte i sigurtë" në rast se Gjykata mbështet "shkëputjen" e Kosovës. Serbia "do ta analizojë me kujdes" tekstin, para se të nxjerrë përfundime ka thënë Jeremiç. Argumentet e tyre me shkrim pro dhe kundër pavarësisë i kanë paraqitur në Hagë 36 vende, ndërsa në seancën e hapur dëgjimore e cila u mbajt në pjesën e parë të dhjetorit të vitit të kaluar kanë argumentuar Kosova, Serbia dhe 27 vende të tjera. 14 u deklaruan pro pavarësisë, 12 ishin kundër, ndërsa Burundi nuk u deklarua. Kosovën deri më sot e kanë njohur 69 vende.


Autor:dpa/Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi