1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Halil Matoshi: Vetëvendosja po përfiton nga qeveria e korruptuar

16 Janar 2012

Intervistë me analistin kosovar Halil Matoshi lidhur me sfondin e protestave të lëvizjes Vetëvendosje dhe mundësinë e reflektimit të tyre në pjesë të tjera të Kosovës.

https://p.dw.com/p/13kR0

DW: Si i vlerësoni aksionet e fundit të "Vetëvendosjes" dhe cili ishte sfondi i vërtetë i protestave?

Halil Matoshi: Natyrisht që në axhendën e lëvizjes "Vetëvendosje" është kombiminimi i luftës institucionale brenda Kuvendit me metodat e presionit politik - përmes protestave dhe demonstratave në rrugë. Synimi parësor ishte që të bëhet presion ndaj Qeverisë së Kosovës jo vetëm sa i përket reciprocitetit tregtar me Serbinë, por edhe luftimit të korrupsionit, keqqeverisjes, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative. Për të legjitimuar aksionin e vet, lëvizja "Vetëvendosje" e ka edhe mbështetjen e fortë tek mocioni i Kuvendit për reciprocitet me Serbinë. Në këtë kontekst aksioni ka qenë legjitim.

DW: Zoti Matoshi, edhe një herë: cili ishte qëllimi kryesor i aksionit: dëmtimi dhe dobësimi i Qeverisë, përfitimi politik, dëmtimi i Serbisë, apo kishte ndonjë qëllim tjetër?

Halil Matoshi: Lëvizja "Vetëvendosje" është partia e tretë më e madhe e përfaqësuar në Kuvend dhe lufta për pushtet është legale. Mirëpo lëvizja "Vetëvendosje" ende nuk e ka bërë të qartë para opinionit nëse synon që pushtetin ta fitojë përmes përmbysjes së qeverisë apo përmes legjimitimit në zgjedhjet e lira dhe demokratike. Identiteti politik i lëvizjes Vetëvendosje ështe ende paksa i paqartë dhe konfuz. Nuk është e qartë nëse ajo do të pëmbysë sistemin apo do të fitojë peshë politike dhe mbështetje për zgjedhjet e ardhshme.

DW: Lëvizja Vetëvendosje është një prej të rrallave që e thotë hapur se një prej synimeve të saj është bashkimi kombëtar dhe bashkimi i territoreve të banuara me shqiptarë? Sa ka mbështetje kjo ide e Vetëvendosjes në Kosovë?

Halil Matoshi: Është e vërtetë që lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndonjë mbështetje të madhe të masave popullore. Por me degjenerimin e qeverisjes dhe pushtetit aktual, influenca e Vetëvendosjes në sytë e popullit po rritet gjithnjë e më shumë.

DW: Mendoni se lëvizja Vetëvendosje do të përfitojë nga dështimet e Qeverisë...

Halil Matoshi: Degradimi i kësaj Qeverie, korrupsioni, përfshirja e saj në krimin e organizuar ose bashkëpunimi i politikës me krimin e organizuar, pasurimi nga paratë e popullit dhe keqpërdorimi i parave publike - të gjitha këto me siguri që do të ndikojnë në rritjen e imazhit të Vetëvendosjes në sytë e kosovarëve.

DW: Sa reale është frika që aksione të tilla të organizohen edhe në Veri të Kosovës, ku mund të ketë pasoja shumë më të rënda edhe në njerëz?

Halil Matoshi: Çështja e veriut konsiderohet si një çështje ndërkombëtare. Kur kemi parasysh që Kosova është një shtet i mbikqyrur dhe sponsorët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës janë fuqitë e mëdha perëndimore, Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të kenë shumë kujdes. Ndonjë hap i pamatuar mund të sjellë deri tek përplasja e interesave të Qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare - që nuk e dëshiron askush.

DW: Përveç ideve për bashkimin kombëtar, cilat janë në fakt elementet kryesore që e dallojnë Vetëvendosjen nga partitë tjera politike?

Halil Matoshi: Influenca e lëvizjes Vetëvendosje tek masat popullore do të ishte shumë më e madhe sikur t'u shmangej fjalëve të mëdha për bashkim kombëtar, ndërrimin e simboleve shtetnore etj. Ajo do të kishte një influencë më të madhe sikur të merrej me vendosjen e barazisë dhe drejtësisë sociale, sikur të luftonte për vendosjen e një shtetit funksional juridik. Patriotizmin romantik ajo duhet ta shndërrojë në një patriotizëm konstitucional dhe ligjor. Vetëvendosja nuk është e vetmja që dëshiron bashkimin kombëtar, por ajo dëshiron të marrë nën patronatin e saj këtë ide të shekullit 20. Vetëvendosja po përpiqet që përmes kësaj ideje të përfitojë sa më shumë zemrat e shqiptarëve, sepse ideja e bashkimit është një ide historike, ide e shekullit të kaluar.

DW: Është e mundur që mllefi i protestuesve të drejtohet kundër serbëve në veri apo në pjesët tjera të Kosovës?

Halil Matoshi: Jo, absolutisht nuk e besoj që lëvizje të tilla të mund të kthehen kundër qytetarëve serbë. Kjo nuk mund të ndodhë as në veri sepse edhe lëvizja Vetëvendosje i trajton serbët si shtetas të Kosovës me të drejta të barabarta. Lëvizja Vetëvendosje në aksionet e saj është kundër ndërhyrjes së shtetit serb dhe armiqësisë së Beogradit zyrtar kundër Kosovës. Por lëvizja Vetëvendosje nuk është e orientuar kundër serbëve kosovarë.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi