1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atomgipfel Ergebnis

14 Prill 2010

Me një marrëveshje parimore përfundoi në Uashington samiti për sigurinë bërthamore. 47 vendet pjesëmarrëse në samit morën përsipër obligimin që brenda katër viteve të ardhshme të sigurojnë materialin e tyre bërthamor.

https://p.dw.com/p/Mvvz
Foto e përbashkët e pjesëmarrësve në samitFotografi: AP

Ishte një aleancë e pazakontë ajo që u krijua në Uashington. Kryetarët e shteteve dhe qeverive, ndër to edhe ata nga Kina e Brazili, Jordania, Malajzia, Armenia dhe Ukraina i bashkoi shqetësimi se materiali radioaktiv i siguruar jo mirë mund të bjerë në duar të gabuara. Që kjo frikë është e arsyeshme e dëshmon fakti se në mbarë botën ka rreth 1500 tonë uranium shumë të pasuruar, me të cilin mund të prodhohen armë bërthamore, si edhe 600 tonë plutonium. Kjo sasi do të mjaftonte për prodhimin e mijëra e mijëra bombave atomike. Material që po ra në duart e terroristëve mund të shkaktojë dëme të paimagjinueshme.

A është mënjuar rreziku vetëm me këtë samit?

Sigurisht që jo. Përmes një marrëveshje të thjeshtë parimore ende nuk është i mbrojtur nga keqpërdorimi asnjë gram i vetëm materiali radiokativ. Por që ky takim i nivelit të lartë ia doli që 47 shtete të shprehin shqetësimin dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre në këtë fushë, kjo do të thotë shumë. Cila do të ishte alternativa? Të mos provohet fare për shkak se qysh në fillim duket e pashpresë që të arrihet një marrëveshje e detyrueshme ligjore?

Barack Obama u dëshmua edhe njëherë si lider pragmatik i cili orientohet nga e mundshmja. Presidenti amerikan për këtë morri shpërblimin nga vendet pjesëmarrëse. Ukraina, Kanadaja dhe Meksika duan të heqin dorë nga uraniumi shumë i pasuruar. Rusët së bashku me amerikanët theksuan se do të zhdukin plutoniumin e tepërt duke e kthyer atë në energji. Kur rusët dhe amerikanët e vlerësojnë të suksesshëm një samit ku diskutohet për materialin bërthamor, dhe kur vetë kinezët miratojnë dokumentin përfundimtar të një samiti pa "nëse dhe por", atëherë ky është në vetvete një rezultat pozitiv.

Christina Bergmann
Opinion i Christina Bergmann Experte e DW- së në Uashington

Angazhim i përgjithshëm për mënjanimin e rreziqeve që vijnë materialet bërthamore

Mirë është po ashtu që kombet e ndryshme nuk provuan në samit që të shpikin rregulla të reja për të vënë në pah qëllimet e tyre por shprehën gatishmërinë që të ndihmojnë organizatat dhe marrëveshjet ekzistuese si Organizatën Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dhe marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore. Fakti që në këtë mes ka nevojë për veprim është i pamohueshëm. India, Pakistani dhe Izraeli posedojnë pak a shumë hapur armë bërthamore dhe nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore, po ashtu si edhe Koreja e Veriut. Irani edhe pse ka nënshkruar këtë marrëveshje përpiqet të prodhojë bombën atomike. Konferenca e radhës për marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore që pritet të zhvillojë punimet në maj me siguri që nuk do të kalojë kaq në harmoni si samiti për sigurinë bërthamore në Uashington. Megjithatë takimi i 47 liderëve të shteteve mund të jetë një bazë e mirë. Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia ndihmojnë vendet e tjera që të sigurojnë materialin e tyre radioaktiv atëherë do të thotë se kemi të bëjmë me një masë për krijimin e besimit reciprok.

Kush do të cilësohej sukses përfundimtar?

Dhe nëse së shpejti do të krijohen standarde të detyrueshme për sigurimin e materialit radiokativ atëherë ky do të jetë kulmi i arritjeve dhe kështu do t'i jepet fund një dështimi të madh të së shkuarës. Faktin që vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë këtu gjithmonë shembull i ndritshëm e përmendi edhe vetë presidenti amerikan. Nuk ka shumë kohë që një avion bombardues B-52 i pajisur me raketa fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe dhjetë orë pas uljes së tij u zbulua se avioni i cili po qëndronte i pasiguruar në pistë ishte pajisur gabimisht me raketa bërthamore. Kështu që as amerikanët nuk kanë arsye që të bëjnë me gisht nga të tjerët. Një bazë e mirë kjo për një konsensus të përgjithshëm. Ata që ankohen se marrëveshjet arrihen mbi baza vullnetare dhe se nuk ka autoritet që monitoron respektimin e tyre, mund të marrin si shembull marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore, e cila nuk respektohet nga të gjithë. Nganjëherë fjala e kreut të një shteti ka më shumë vlerë se cilado marrëveshje. Posaçërisht këtu ku bëhet fjalë për një kërcënim, nga i cili duan të mbrohen të gjithë bashkarisht.

Autor: Christina Bergmann/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi