1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapi i parë në drejtimin e duhur?

Monika Dittrich14 Korrik 2006

Kancelarja gjermane Angela Merkel priti të premten përfaqësues nga politika, ekonomia dhe shoqëria në një takim të quajtur "Samiti i integrimit". Rreth 80 pjesëmarrësit debatuan se si mund të integrohen më mirë të huajt në shoqërinë gjermane. Por ky samit nuk solli ndonjë rezultat të ri.

https://p.dw.com/p/Ar05

Samiti i integrimit është një zhvillim pozitiv, sepse me këtë samit lidhen dy vizione. Së pari: Gjermania është një vend emigrimi. Së dyti: Integrimi ka nevojë për një kulturë orientuese. Ty dyja këto pika nuk ndahen dot nga njëra-tjetra, edhe pse në fillim tingëllojnë kontradiktore.

Që Gjermania është një vendi emigrimi, është një fakt që sidomos politikanët e djathtë dhe ata të qëndrës, kishin probleme ta pranonin. Madje edhe sot e kësaj dite ka konservatorë, të cilët kanë mundim ta nxjerrin nga goja fjalën "vend emigrimi". Prandaj fakti se pikërisht kancelarja e unionit kristian demokrat ishte iniciatorja e këtij samiti, është paksa i çuditshëm. Por realiteti flet për veten e tij. Këtu jetojnë 15 milionë njerëz me prejardhje të huaj. Pra: Gjermania është një vend emigrimi dhe ky vend ka nevojë për migrantë.

Tani koncepti i kulturës orientuese. Ky formulim ishte tepër i ashpër për shumë intelektualë majtistë gjermanë. Ata mendonin se pas këtyre fjalëve, fshihej një ndjenjë e tepruar nacionaliste, e cila duhet të pranohej me çdo kusht nga të huajt. Por kultura orientuese është thjesht një konsensus mbi të gjitha vlerat, që mbajnë shoqërinë gjermane.

"Të jesh gjerman nuk është diçka e veçantë, por e shkruar" - kështu është shprehur njëherë social demokrati Richard Schröder. Pikërisht ky "kismet" është ajo që përbën kulturën orientuese. Ashtu si pranimi i demokracisë dhe lirisë. Barazia mes burrit dhe gruas. Dashuria për tjetrin, vlerat e fesë së krishterë, paprekshmëria e të drejtave të njeriut.

Por pjesë e kulturës orientuese është edhe kushtetuta dhe kujtimi i krimeve gjermane në të kaluarën. Ashtu si gjuha gjermane, ndoshta himni kombëtar dhe tri ngjyrat kuq-zi-verdhë. Sepse disa ndjenja patriotike janë të lejuara. Ai që do të bëhet qytetar i këtij shteti, nuk duhet të mjaftohet me marrjen e pashaportës. Ai ka të drejtë për një ceremoni, një festë dhe një rit.

Të gjitha këto janë pjesë e kulturës orientuese - dhe të gjithë ata që jetojnë në Gjermani, edhe të integruarit, të majtët, të djathtët, pleqtë dhe të rinjtë, duhet të bashkëpunojnë për përmirësimin e kësaj kulture. Sepse kemi nevojë për një konsensus me vlera, në rast se dëshirojmë t´i mirëpresim të huajt në këtë vend. Dhe kush do të jetojë këtu, duhet ta pranojë këtë konsensus.

Ky është sinjali që u bë i qartë pas samitit të integrimit. Dhe edhe pse të gjitha pikat e tjera ishin ende të turbullta, ky sinjal mbeti.