1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hashim Thaçi : Kosova ka tendenca pozitive

9 Nëntor 2009

Në Kosovë zhvillohen më 15 nëntor zgjedhjet komunale. Këto janë zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë. Si po e përballon qeveria këtë sfidë të re?

https://p.dw.com/p/KSAM
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke dhënë intervistë për Radion Deutsche Welle.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke dhënë intervistë për Radion Deutsche Welle.Fotografi: DW

Në këtë intervistë me Radion Deutsche Welle, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi flet për përfshirjen e pakicave, Raportin e Progresit, marrëdhëniet me Gjermaninë dhe krijimin e mediave të pavarura.

Deutsche Welle: Më 15 nëntor zhvillohen zgjedhjet komunale. Kjo është sfida e parë zgjedhore për qeverinë e Kosovës, si shtet i ri. Si e vlerësoni ju këtë ngjarje dhe çfarë masash ka marrë qeveria që t`i përballojë zgjedhjet me sukses?

Hashim Thaçi : Zgjedhjet e 15 nëntorit të këtij viti janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën. Është procesi i parë elektoral në Kosovën e pavarur, demokratike, sovrane dhe shumë etnike. Është procesi i parë i konkurencës së lirë në nivel lokal për spektrin politik. Por ky proces elektoral është më tepër se sa i konkurencës së projekteve të partive politike. Zgjedhjet e 15 nëntorit kanë vlerën dhe rëndësinë nacionale. Në këtë drejtim dëshiroj të falenderoj gjithë spektirn politik për fushatën e qetë dhe demokratike, për konkurencën e mirëfilltë demokratike. Kjo po tregon se ne po zhvillojmë demokracinë e re, se po e zhvillojmë një vend shumëetnik, nje vend me përfaqësim shumëpërfshirës në jetën e re demokratike. Pra i besoj plotësisht suksesit më 15 nëntor , suksesit të shtetit të Kosovës.

Deutsche Welle : Sukses që ju pretendoni nuk mund të kuptohet pa pjesëmarrjen e pakicave në këto zgjedhje, veçanërisht të pakicës serbe. Megjithë këmbënguljen e Beogradit për mosdaljen e serbëve në zgjedhje, ekziston një angazhim konkret i tyre për të marrë pjesë. Është kjo aftësi e qeverisë suaj zoti Thaçi, apo e vetë partive politike që përfaqësojnë këto pakica?

Hashi Thaçi : Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha komunitetet në Republikën e Kosovës. Edhe me serbët, boshnjakët, ashkalijtë, turqit, e tjerë. Ditë më parë isha edhe në vizitë tek serbët. Jam shumë i inkurajuar me vendosmërinë e komunitetit serb për tu përfaqësuar, për tu participuar në jetën e re demokratike në Republikën e Kosovës. Është me rëndësi të theksohet se edhe pse janë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, participimi i serbëve do të jetë më i madhi në historinë e Kosovës. Prandaj ky sukses është një sukses i jashtëzakonshëm i institucioneve të Republikës, është një mrekulli për Kosovën dhe është suksesi që garanton reformat demokratike, që garanton perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, që garanton paqen dhe stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën e gjithëanshme të zhvillimit ekonomik.

Deutsche Welle : Ndërkohë vendet fqinjë si Shqipëria dhe Maqedonia patën mjaft probleme në zgjedhjet e tyre të fundit. Në Shqipëri opozita vazhdon të bojkotojë parlamentin. Kurse ju zoti Thaçi jeni shumë optimistë. Ku bazoheni për këtë?

Hashim Thaçi : E para nuk dëshiroj të bëj paralele me asnjë vend për procesin elektoral të Kosovës, sepse Kosova ka një traditë të mirë demokratike sa i përket organizimit të zgjedhjeve. Ne jemi shembull dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë. Në Kosovë ka pasur gjithmonë traditë që fituesi të jetë fitues dhe të përgëzohet për këtë, por edhe humbësi të pranojë rezultatin zgjedhor. Në këtë drejtim kam besim të plotë se nuk do të ketë dilema dhe nuk do të lejojmë që të ketë dilema. Pra rastet e krahasimeve të tilla nuk do të tolerohen për shkak të vetëdijes së lartë të spektrit politik kosovar dhe gjithë atij qytetar.

Deutsche Welle : Por krahas suksesve zoti Thaçi, nuk mungojnë edhe kritikat. Raporti i fundit i Progresit i vuri ato në pah këto ditë në mënyrë shumë konkrete. A pajtoheni ju me kritikat për zhvillimet e brendshme të vendit? Çfarë merrni përsipër si qeveri për të ndryshuar imazhin e Kosovës?

Hashim Thaçi : Raporti i Progresit është një raport real. Ne e kemi mirëpritur si qeveri e Kosovës. Është një raport që vlerëson stabilitetin institucional të Kosovës, jetën e re demokratike, stabilitetin politik, respektimin afirmativ të minoritarëve, zotimin tonë për të implementuar dokumentin e presidentit, për të respektuar kushtetutën dhe ligjet që vlerëson fillimin e reformave në ekonomi, në legjislacion dhe në politikë. Në të njëjtën kohë dalin edhe zotime, dalin sfida të reja për institucionet në veçanti. Është për tu falenderuar që sfida e qeverisë së Kosovës përshëndetet dhe përcillet si sfidë. Pra lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, lufta kundër dukurive negative përshendetet nga komuniteti ndërkombëtar. Pra ne do të punojmë vazhdimisht që të ketë rend dhe ligj, që të ketë një betejë zero tolerancë kundër fenomeneve negative. Me këtë rast dëshiroj të theksoj se pikërisht suksesi që kemi arritur në Kosovë në këto dy vitet e pavarësisë bëri që ne të fitojmë autoritetin, të fitojmë perspektivën europiane për Republikën e Kosovës, të fitojmë të drejtën e dialogut për liberalizimin e vizave, për marrëdhënie ndërkombëtare dhe për procesin e asocim stabilizimit. Kjo është një arritje historike për Kosovën.

Deutsche Welle : Ju ndërkohë i kishit konstatuar këto mangësi edhe më parë? Sepse krijohet përshtypja se vetëm kur ndërkombëtarët i bëjnë ato publike, reagon qeveria. Për korruspionin si një fenomen mjaft i dëmshëm për një shtet foshnjë ka pasur gjithmonë kritika si brënda edhe jashtë Kosovës? Cili është mendimi juaj?

Hashim Thaçi : Kosova nuk është vend i izoluar nga bota tjetër demokratike. Këto raporte të progresit nuk bëhen vetëm për Kosovën, bëhen për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, në veçanti për vendet e rajonit tonë. Vërejtjet që janë paraqitur në raport për Kosovën, apo sfidat që janë paraqitur për Kosovën i kanë edhe disa vendet të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Por lufta e madhe kundër korrupsionit ka bërë që ne të fitojmë perspektivën veropiane. Qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, transparenca, ka bërë që ne të fitojmë këtë perspektivë. Në këtë drejtim ne jemi partnerë me ndërkombëtarët.

Deutsche Welle : Në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, ende pesë vende anëtare nuk ju kanë njohur si shtet, zoti Thaçi. Si do të arrini që edhe këto vende të bëhen pjesë e vendeve të tjera për tju njohur si shtet i pavarur, pasi kjo mbase do tju jepte më shumë shanse për tu bërë anëtare e saj?

Hashim Thaçi : Ju e dini që Bashkimi Evropian vepron me vendime unike dhe Bashkimi Evropian e përkrah në mënyrë unike Kosovën. Edhe vendet që janë në proces të njohjes: Spanja; Greqia, Sllovakia Rumania dhe Qiproja megjithse nuk e kanë njohur Kosovën e përkrahin plotësisht Kosovën. Dhe ky është mesazhi më unik i Bashkimit Evropian për Kosovën, për paqen, për stabilitetin në rajon dhe përkrahin perspektivën evropiane. Perspektiva everopiane që u tha nga Komisioni Evropian është një vendim unik i Bashkimit Evropian, pra edhe i vendeve që nuk e kanë njohur.

Deutsche Welle : Po emërimi në Mitrovicë i amabasadorit italian nga BE-ja, çfarë do të thotë zoti Thaçi? Aty ka shumë përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë, a nuk mjaftonin ato?

Hashim Thaçi : Është vetëm një interesim më i theksuar, më konkret që do të ndikojë në arritjen e rezultateve më të mira në këtë qytet apo rajon, të angazhimit të komunitetit vendor dhe atij ndërkombëtar.

Deutsche Welle : Po nga Gjermania çfarë prisni zoti Thaçi? Si e shihni të ardhmen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë?

Hashim Thaçi : Konkretisht pres vazhdimin e marrëdhënieve bilaterale të shkëlqyeshme në të gjitha aspektet. Pres që të kemi një prezencë edhe më të madhe ekonomike të investitorëve gjermane, të cilët janë të mirëpritur dhe nga ne do të kenë mbështetjen e duhur dhe të plotë. Pres investime konkrete në sektorë të veçantë, si në atë të sigurisë që është shumë i rëndësishëm. Falenderoj autoritetet gjermane, shtetin gjerman për mbështetje të jashtëzakonshme që i ka dhënë vazhdimisht Kosovës. Marrëdhëniet tona do të thellohen në të ardhmen edhe më shumë.

Deutsche Welle : Zoti Thaçi, pse ka Kosova një rënie në drejtim të kritereve bashkëkohore për mediat? Raporti i fundit “Reporterë pa kufij” e publikoi ditë më parë këtë fakt. A janë mediat të pavarura dhe a respektohet liria e shtypit? Sa ka ndikim pushteti tek mediat?

Hashim Thaçi : Zotimi im ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë mbështetja e plotë dhe e zhvillimit të mediave të pavarura në Republikën e Kosovës. Sepse sa më tepër të kemi media të pavaruara do të kultivojmë demokracinë më tepër. Në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë dilemë dhe mendoj se çdo ditë e më tepër, çdo vit e më tepër mediat e pavarura në Kosovë po arrijnë kriteret e duhura bashkëkohore Sigurisht që ne e dimë se ka dobësi, por iu takon të gjithëve që t`i evitojnë këto mangësi. Kjo u takon në rradhë të parë editorëve, pronarëve, organizatave joqeveritare. Natyrisht që këtu bën pjesë edhe spektri politik, qytetar, shtetëror dhe ai ndërkombëtar. Gjithësesi, Kosova ka tendenca pozitive.

Autor : Mimoza Cika - Kelmendi

Redaktoi : Aida Cama