1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hashim Thaçi: Kosova ka garanci ndërkombëtare se do të jetë e pavarur dhe sovrane

Bekim Shehu20 Nëntor 2006

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës janë se, ata kanë marrë garanci ndërkombëtare se Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran, por nuk e dinë datën se kur do të ndodhë kjo

https://p.dw.com/p/Arb4
Hashim Thaçi
Hashim ThaçiFotografi: AP

Institucionet e Kosovës kanë përgatitur parimet bazë për hartimin e kushtetutës së Kosovës dhe elementëve të tjerë shtetformues, në mënyrë që në ditën e parë të pavarësisë Kosova, të funksionojë si shtet. Kështu u shprehën presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryetari i PDK-së në opozitë, Hashim Thaçi pas një takimi ku diskutuan rrjedhën e deritanishme të procesit në këtë fazë të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ata janë të bindur se ndërmjetësi ndërkombëtar, Marti Ahtisari, menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi do të publikojë propozimin e tij për statusin dhe nuk do të presë edhe konstituimin e institucioneve në Serbi, proces ky që nga përvojat e mëhershme mund të zgjasë më muaj. Kryetari i PDK-së në opozitë Hashim Thaçi, i cili është anëtar i grupit negociator, thotë se, Kosova ka garanci ndërkombëtare se do të jetë e pavarur dhe sovrane.

Megjithë deklarimet e udhëheqësve kryesorë politik në Kosovë rreth përgatitjeve që Kosova po bën që të funksonojë si shtet, punët rreth kushtetutës dhe simboleve shtetërore, kanë ngecur ende në fazën
fillestare. Përfaqësues në komisionin parlamentar për kushtetutën dhe simbolet shtetërore, thonë se, akoma nuk është formuar këshilli kushtetues për këto çështje, i cili më pas duhet të legjitimohet edhe nga kuvendi i Kosovës.

Sidoqoftë, udhëheqësit politik kosovar thonë se, që në ditën kur statusi i Kosovës do të përmbyllet, Kosova do ta ketë kushtetutën e saj e cila do t'i mundësojë të funksionojë si shtet. Ndërsa, për simbolet shtetërore i mbetet kryetarit të Kosovës, si një faktor uniteti, që përmes një forumi të gjerë të vendosë nëse duhen
ndryshuar apo jo simbolet që Kosova i përdor aktualisht.